Avokat Spartak Ngj-ela, duke komentuar qëndrimin e dy forcave politike, PD dhe PS, ndaj homa-zheve të Ramiz Alisë, tha se ato vuajnë nga komplekset e së shkuarës. “Këta që organizojnë ceremoni të tilla homazhesh janë njerëz pa vlerë. Këta edhe kanë ligj, edhe nuk respektojnë ligjin. Këta që drejtojnë shtetin kanë qenë të inkriminuar bashkë me sistemin e Ramizit dhe tani venë dhe futen e bëjnë gjëra gjysmake, gjysmë homazhe. Ata janë përfshirë nga kompleksi i fajit dhe në këtë mënyrë duket sikur distancohen. Këta janë i njëjti sistem dhe fakti që ka qenë i njëjti sistem, kanë gënjyer popullin. Dhe meqë e kanë bërë këtë, duan të tregojnë se nuk janë me Ramizin. Të gjithë këta Ramizi i vuri duke shkatërruar Shqipërinë me këta që drejtojnë sot. Këta kanë kompleksin e fajit, sepse kanë qenë në një sistem, në një parti, servilë të Ramizit kanë qenë, një herë nuk e goditën dhe e goditën vetëm atëherë kur u dha leje Ramizi”, u shpreh Ngjela.
Por, avokati i njohur analizon dhe qëndrimin e socialistëve, të cilët nuk dhanë asnjë deklaratë zyrtare ndaj Ramiz Alisë, as nga selia rozë dhe as nga organi i saj i shtypit, “Zëri i Popullit”, madje as njoftimin për ndarjen nga jeta të ish-presidentit të parë pluralist. “Edhe në Partinë Socialiste ekziston frika dhe kompleksi i së shkuarës. Ky kompleks kapërcehet me ide, me vizion për demokracinë dhe lirinë e individit, kapërcehet me qëndrimin tënd për interesin kombëtar.
Problemi është se Ramizi ishte i majtë, këta të gjithë janë të majtë. Problemi kryesor për mua qëndron te kompleksi i fajit. Kanë faj të përbashkët dhe meqë historia u dha të drejtën të gënjejnë popullin, e duan pushtetin që të vazhdojnë të gënjejnë dhe në këtë rast”, u shpreh Ngjela. Avokati i njohur i politikës shqiptare arrin të distancojë Edi Ramën nga kjo sjellje. “Kam përshtypjen se Rama bën përjashtim në këtë rast, të jemi realistë. Rama nuk ka pasur ndonjë lidhje me Ramizin, por dhe ai mund të ketë rënë në impasivitetin e partisë së tij. Po ta shikonte Rama në mënyrë pragmatiste këtë çështje, sepse mbështetës të Ramizit votojnë PS-në, duhet të shkonte në homazhe, po ta shikonte në një mënyrë personale strikte, nuk duhet të shkonte. Unë për veten time nuk kisha ndonjë obligim për të shkuar, por po të isha në ndonjë pozicion shtetëror, do ta kisha marrë në konsideratë vajtjen ose jo në homazhe. Këta kanë pozicione shtetërore dhe historia është histori, dhe krimet ndëshkohen me ligj, nuk ndëshkohen me zakon”, u shpreh Ngjela.
Që nga e premtja, kur ish-presidenti i parë pluralist, udhëheqësi i fundit i Shqipërisë komuniste, Ramiz Alia, ndërroi jetë, dy kampet politike mbajtën qëndrime të ndryshme. Partia Demokratike, përmes “Rilindjes Demokratike” e cilësoi Alinë si “diktatori i fundit komunist”, duke qëndruar në vijën e saj politike të dënimit të të gjitha figurave politike të kohës së diktaturës. Por, qeveria e maxhorancës së djathtë, organizoi përmes Protokollit të Shtetit, homazhe zyrtare për ish-nëpunësin më të lartë të shtetit shqiptar të 1991-shit. Ndërsa Partia socialiste nuk pati asnjë deklaratë zyrtare, por as dhe nga individët e saj në Parlament.
Madje, gazeta e PS-së, “Zëri i Popullit”, organ propagandistik i PPSH-së, të ngritur dhe kujdesur nga vetë Ramiz Alia pasi ai ka mbajtur postin e sekretarit për propagandën në PPSH, nuk kishte asnjë rresht për të njoftuar ndarjen nga jeta të Alisë. Ky qëndrim i PS nuk kaloi pa u komentuar dhe nga familjarët e Alisë, të cilët nuk e fshehën zemërimin e tyre.
ARISTIR LUMEZI











