Adresat e mijëra pronave luksoze në New York, mes tyre edhe ato të shumë personazheve të njohur nga bota e artit, biznesit dhe politikës, janë bërë publike pas publikimit të një liste nga Departamenti i Financave i qytetit.
Sipas New York Post, dokumentet lidhen me pronat që mund t’i nënshtrohen taksës së re të propozuar nga kryebashkiaku i New York-ut, Zohran Mamdani. Taksa, e njohur si “pied-à-terre”, synon të tatojë banesat luksoze që nuk përdoren si rezidencë kryesore.
Në listë figurojnë emra të njohur si këngëtarja Taylor Swift, prona e së cilës në Tribeca rezulton e regjistruar në emër të kompanisë “Euro Tribeca LLC”. Po ashtu përfshihen regjisori Darren Aronofsky, një pronë e lidhur me fondacionin “Woody Allen 2005 Revocable Trust”, Ellen Morris Scorsese, bashkëshortja e regjisorit Martin Scorsese, si dhe Anna Wintour, Deepak Chopra, gazetari Gay Talese dhe fondi i prezantuesit të ndjerë të “60 Minutes”, Morley Schaefer.
Në dokumente shfaqet edhe aktorja Cynthia Nixon, një mbështetëse e njohur e Mamdanit dhe ish-kandidate për guvernatore e shtetit të New York-ut.
Lista përfshin gjithashtu prona të lidhura me figura të politikës dhe biznesit, mes tyre ish-zëvendëskryebashkiaku Randy Mastro, ish-drejtuesi i kompanisë globale të pasurive të paluajtshme CBRE, Steven Siegel, si dhe biznesmeni miliarder Leonard Stern dhe zhvilluesit e pasurive të paluajtshme Morris Moynyan e Bruce Ratner.
Publikimi i dokumenteve ka shkaktuar reagime edhe nga anëtarë të Këshillit Bashkiak. Demokratja Gail Brewer kundërshtoi përfshirjen e pronës së saj në listë, duke deklaruar se banon aty gjatë gjithë vitit që prej vitit 1994.
Nga ana tjetër, republikani David Carr ironizoi nismën e Mamdanit, duke thënë se ai po fiton titullin e “Agjentit të Pasurive të Paluajtshme të Vitit” në Teksas, duke aluduar se taksa e re mund të nxisë largimin e banorëve të pasur drejt shteteve me politika tatimore më të favorshme.
Një zëdhënës i Departamentit të Financave të New York-ut sqaroi se lista është publikuar në përputhje me ligjin shtetëror dhe se, mbi bazën e saj, do të identifikohen pronat që mund t’i nënshtrohen tarifës së re shtesë për banesat që nuk shërbejnë si vendbanim kryesor.
© Panorama.al












