Nga Ali Këlcyra te Myfit Libohova, si u zhdukën nga fotoja 10 bejlerët në krah të Ismail Qemalit!

Dec 24, 2025 | 13:54

ismail qemaliPËLLUMB VREKA

Siç kam shkruar edhe më parë, unë kam qenë i angazhuar në disa punë specifike, speciale, kjo falë aftësive të mia, të shkollimit, por edhe këmbënguljes për të mësuar të renë. Midis tyre mund të përmendim dekoratat për ushtrinë, të cilat ishin shumë më të bukura se sa ato sovjetike apo të vendeve Perëndimore. Angazhimi në Bankën e Shtetit për të prodhuar (dhe që pati sukses të jashtëzakonshëm) kartëmonedhën shqiptare në Shqipëri pas prishjes me kinezët. Përgatitja e uniformave të ushtrisë të të gjitha rangjeve, së bashku me profesorin tim, të talentuarin e paarritshëm, Fatmir Haxhiu, etj., etj.. Për të gjitha këto punë po veçojmë katër “ese” të veçanta.

“ESE” E PARË. MUZEUMI

Viti 1981. Pas pjesëmarrjes në disa muzeume të ndryshme, deri edhe në muzeume ushtarake si ai i Tankeve, u caktova të punoja edhe në Muzeumin Historik Kombëtar. Detyra ime ishte të retushoja foto të vjetra, të dobëta, njëkohësisht të hiqja me “stil” personat e padëshirueshëm të Partisë së Punës, të shpallur “Armik i Pushtetit”. Në këtë kontekst unë personalisht vërtet isha i detyruar të bëja atë punë, por nga ana morale, nuk isha aspak dakord. Kjo për faktin se kur thua Muzeumi Historik nga periudha X e deri në periudhën Y, duhej ta pasqyroje historinë absolutisht ashtu siç ka qenë, me miq dhe armiq sepse fakti është fakt psh., Mehmet Shehun vërtet ti e shpalle armik duke i zhdukur nga dokumentet fotot dhe emrin e tij, por ama kurrsesi nuk mund të kundërshtosh faktin e pamohueshëm që ai kishte qenë Komandant i Divizionit I Sulmues. Beqir Ballukun, vërtet e shpalle armik, bile edhe e pushkatove, por ama Beqiri kishte qenë komandant i Njësive Guerile të Tiranës. Kështu ishin me dhjetëra e dhjetëra figura që u fshinë me një urdhër të posaçëm nga Partia e Punës dhe Enveri. Pikërisht, këtë detyrë kam pasur edhe unë në muzeumet që punave: retushimin. Në Muzeumin Historik Kombëtar punonin disa seksione, ai i pikturës, i modelimit, i shkrimeve, i restaurimeve, i retushimit etj., etj.. Në sektorin tim, Anastas K. më vë përpara një foto me pesë partizanë të pozicionuar në këmbë krahas njëri-tjetrit. Ndërmjet tyre të binte në sy njeri me xhup të zi (të paktën në foton bardh e zi ashtu dukej), të cilit ai i kishte bërë një kryq me laps në kokë dhe më tha: -Pëllumb, këtë me xhup të zi, hiqe, është jugosllav.

-Si urdhëron, i thashë. Shkova te seksioni i fotografive dhe kërkova riprodhimin e saj edhe në tre kopje të tjera në letër “MAT”. Pas disa ditësh m’u dorëzuan fotot, kishte shumë punë ai seksion. Dhe kur bëheshin punë të tilla, duheshin bërë disa kopje për të arriturën atë më të mirën, që të mos dallohej fare. Aty kishte edhe retusherë të tjerë, por disa nuk kishin perfeksion dhe vetëm sa i fshinin fotot, duke lenë edhe shenjat e fshirjes e të boshllëkut. Apo të vendosjes së një tipi në foto. Siç është rasti i një proteste në Korçë, ku retushuesi (me urdhër) kishte vendosur kokën e Enver Hoxhës, si demek pjesëmarrës në të, por ajo kishte dalë për faqe të zezë, si fanti spathi në mes të turmës! Ndërkohë që po përgatitesha të prisja një foto me bisturi (një bisturi që sot nuk e gjen në asnjë dyqan kançelerie me materiale për piktor dhe që akoma e ruaj dhe e përdor për punime speciale) më afrohet Rita Marko, i cili ishte ngarkuar nga ana e Komitetit Qendror të ndiqte punimet e Muzeumit. Faktikisht aty vinin edhe shumë kuadro të tjera, edhe Anëtarë të Byrosë Politike, për të parë nëse u ishte vënë emri apo foto. Rita u afrua, nuk foli, po shikonte, pas disa sekondash mori njërën nga fotot në dorë dhe pasi e afroi pak afër syve, m’u kthye mua:

-Çfarë do bësh me këtë foto ti?

Do heq këtë jugosllavin këtu dhe t’i le të tjerët të katër bashkë, ashtu grup.

– Po e di ti se kush është ky jugosllavi?

-Jo – iu përgjigja – detyrën ma dha Anastas K., bile i ka venë edhe kryqin sipër fotos.

Duke qeshur ai vazhdoi – Ky more djalë është shoku Ramiz Alia, Ramiz Alia, kupton ti! Po nejse, ta kanë dhënë dhe nuk është faji yt. Mos e prek, lere siç është. Ndërkaq, u mblodhën aty afër nja dhjetë a pesëmbëdhjetë persona dhe po dëgjonin.

-Këto xhupa – vazhdoi Rita – na i sollën anëtarët e Misionit Anglez për kuadrot pranë Shtabit tonë të Përgjithshëm. Një nga këto xhupa ka pasur edhe shoku Enver etj.. Kështu mori edhe shoku Ramiz. Janë xhupa me të cilët ishin të pajisur të gjithë pilotët e Britanisë së Madhe. Faktikisht, xhupa si këto dhe këtu qëndron edhe ngatërresa e shokut Anastas, kishin edhe Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, të deleguarit e Partisë Komuniste Jugosllave, bile edhe vetë Tito. Prandaj foto është e saktë, por edhe ngatërresa mund të ndodhin dhe për këtë duhet të jemi shumë të kujdesshëm në trajtimin e fotografive që të jenë të sakta. (Harroi që na kishin dhënë urdhër të fshinim edhe figura historike!).

Me kaq u mbyll historia e Ramiz Alisë dhe unë vazhdova punën me fotot e tjera. Puna vazhdonte me intensitet, të gjithë ishin të okupuar për një punë me sukses, një investim goxha i madh për atë kohë. Vetëm shiriti i zi me mermer rreth e qark godinës mbi katin e parë ka kushtuar një djall e gjysmë. Dhe nuk është mermer, por granit i blerë me para kesh në Kretë, ashtu edhe si mermeri i Piramidës (i cili u vodh dhe imagjino shtëpitë e Bathores të shtruar me mermer-graniti nga Kreta?!). U blenë me para kesh sepse Greqia nuk pranonte me klering. Makineria e prerjes së granitit kushtoi 28 mijë dollarë (si ato makineri sot në Shqipëri gjenden pa hesap), por për kohën e at’hershme ishin shumë, shumë para, sepse kishin filluar edhe tolonat e famshëm (një pulë në muaj). Por për propagandën e saj dhe interesin e vet, Partia e zgjidhte qesen.

“ESE” E DYTË. MITROLOZI

Siç e theksova më sipër, Rita vinte pothuajse çdo javë, sepse e kishte detyrim. Por edhe puna nën “tutelën” e partisë ecte për bukuri, objektivi ishte inaugurimi patjetër më 28 tetor 1981. Atë ditë që ndodhi incidenti me piktorin, Rita e kishte marrë shtruar, të gjithë i kishin sytë dhe veshët nga e ku shkonte ai. Dhe frymë e mbajti te sektori i Pikturës, ku tre–katër piktorë realizonin piktura për gravurë në mur. Ndaloi te njeri prej tyre, vuri dorën në mes dhe mbi të mbështeti bërrylin e dorës së djathtë dhe pëllëmbën e dorës nën mjekër. Po shikonte, nuk fliste. Kaluan disa minuta, të paktën pesë a gjashtë. U kthye nga piktorët.

-Kush e pikturoi këtë?

-Është e imja- u krekos piktori.

-Ke qenë partizan ti? (tallte b…n se ai ishte 30-35 vjeç)

-Jo- ishte përgjigja e piktorit.

-Bukur, po këtë tip mitralozi ku e gjete që e pikturon kështu?

-Po ja, shoku Rita, unë u nisa nga fotografia që kam këtu, por nuk doli tamam.

-Edhe – u nxeh Rita – ti sajon mitraloz sipas qejfit tënd? Ne në luftë kishim vetëm mitraloza gjerman dhe italian. Piktori nuk e shkrepi më, e mbylli gojën.

-Përjashta – ulëriu Rita – përjashta, veç piktor nuk je ti. Piktori duhet të jetë natyralist dhe preciz për materialin që servir në pikturë. Rita fliste e fliste si specialist, por piktori kishte marrë dhenë!

-Kini kujdes – vazhdoi Rita, shumë kujdes, që çdo gjë duhet të jetë ashtu siç është në fakt. Një mitraloz “SHARS” gjerman apo “BREDA” italian nuk mund të modifikohet. Sa vrima ka tyta e “SHARSIT” anash tytës për ftohje, aq duhet t’i ketë edhe në pikturë, asnjë më tepër. Vazhdoni punën.

Kështu u mbyll edhe historia e mitralozit tip “SHQIPTAR” dhe ne vazhduam punën.

“ESE” E TRETË

Në seksionin e retushimeve, njërit prej retusherëve i ishte dhënë një foto e Ismail Qemalit në Vlorë. Themi e Ismail Qemalit, por në fakt në dokumente emri i tij i saktë është Ismail Qemal bej Vlora. Kleçka qëndron në faktin se Partisë së Punës dmth., komunistëve u dukej halë në sy termi “BEJ”. Prandaj edhe kudo e në çdo rast e thjeshtuan emrin e tij në Ismail Qemali. Por në anën tjetër harronin se në foton në ballkonin prej druri të shtëpisë në Vlorë, ku në mes të tij ishte vendosur flamuri me shqiponjë, ishin bejlerë e latifondistë, të cilët të gjithë në mes të emrit kishin titullin “BEJ” si psh., Ali Bej Këlcyra, Mufit bej Libohova etj. Nejse, në ballkonin që thamë, majtas, djathtas Ismailit qëndronin këta “BEJLERËT” që thamë dhe nuk ishin pak por nja dhjetë vetë, të cilët ishin mbështetur tek parmaku me të dy… duart. Retusheri kishte marrë detyrë të retushonte e të zhdukte nga fotoja të gjithë grupin e ballkonit e të linte vetëm Ismailin. (Këtë foto e kam parë të qarkullojë me humor në shtyp, por për çudi origjinalin e ruante e mbesa e Ismailit, Nermin Vlora, kur erdhi tek Redaksia e Gazetës “ALBANIA” e na e tregoi. E mbante në çantë si relike të mashtrimit. Faktikisht, është një foto e jashtëzakonshme se tregon shkallën dhe nivelin e retusherit (injorant), i cili kishte retushuar dhe zhdukur trupat duke lenë duart e të gjithëve në parvaz. Të dyja fotot kanë qarkulluar, edhe ajo e sakta edhe ajo me duar në parvaz. Edhe Nermini i mbante të dyja, edhe origjinalin, edhe të retushuarën, edhe për humor, por edhe për falsifikimin e historisë. Këtë retushim nuk e kishte parë asnjë në muzeum derisa një kopje, ra në dorë të inventarizuesit të muzeumit. Kjo foto e famshme, më vonë u retushua përsëri dhe ballkoni u shfrytëzua sikur ishte një shtëpi e vjetër në Shkodër. Në të ishte vendosur Enver Hoxha, demek duke mbajtur fjalimin para popullit, pas luftës Nacional-Çlirimtare!

“ESE” E KATËRT. SHKOLLA E PARTISË

Dhjetor 1981, në 18 të muajit, Mehmet Shehu “vret” veten, ndërkohë Partia, ishte jashtëzakonisht e shkathët për të realizuar objektivat e saj ndaj atyre të shpallur “Armiq të Pushtetit”. Këtë e vërteton fakti që pasuesit e të akuzuarit ose arrestoheshin menjëherë pa u mbushur 24 orë ose “ZIS-I” te dera, plaçkat e me “kuçe maç” drejt e në internim në ca vende që as në ëndërr nuk i kishin parë. Nejse, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, arrestohen familjarët e tij, kjo është histori tjetër, ne e kemi me të shoqen e tij, me Fiqiretin e cila kishte vite që kryente funksionin e Drejtoreshës së Shkollës së Partisë. Kjo shkollë kualifikonte kuadrot e Partisë, duke u dhënë mundësinë atyre që të kryenin këtë shkollë, të ngriheshin në detyra e funksione partie pa hezitim. Pa u tharë boja e Muzeumit, më lajmërojnë të paraqitesha në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (që sot i ka humbur “nami e nishani”) tek Sekretari i Përgjithshëm, zoti Kujtim Buza, piktor i talentuar, i biri i piktorit mbresëlënës, Abdurrahim Buza. Kujtimin e njihja, se edhe unë isha anëtari Lidhjes dhe trajtohesha me të gjitha atributet, me leje krijimtarie, me pagesë, me materiale për pikturën falas si bojëra, panele, vajra, telajo etj.

-Ulu, shoku Pëllumb – m’u drejtua Kujtimi, pasi u përshëndetëm e i dhamë dorën njëri-tjetrit. Pasi folëm për punët në përgjithësi, Kujtimi kaloi në temë. Unë mora një fletë të vogël letre për të mbajtur shënim, të cilat i mbajmë edhe sot. Këtë ma ka mësuar miku im i vjetër Filip Çakuli kur shkova me punë tek Revista “Hosteni”. Nxora edhe rapidografin, një si tip stilografi por me majë speciale, prodhim i “STANDLER”, Gjerman.

-Çfarë e ke atë – m’u drejtua Kujtimi, pata shoh. E mori, e provoi mbi ato fletët që mbante mbi tavolinë.

-Po të pëlqeu, mbaje – thashë – kam tjetër.

-Po, po qenka i veçantë – tha, po edhe unë i veçantë jam apo jo? Kishte humor të këndshëm. Kur duke e provuar iu thye maja, më tha – më sill një rapidograf tjetër, se u thye.

-Maja – thash unë. Jo.jo, kallami – tha, e kishte fjalën për trupin e rapidografit (vini re: kallam i thotë).

-Tani, të vazhdojmë – tha Kujtimi.

-Nga Komiteti Qendror ka ardhur një urdhër për të të ngarkuar me detyrë te Shkolla e Partisë për riparimin e të gjitha diplomave të kuadrove të Partisë që kanë mbaruar atë shkollë, janë plotë 630 diploma. Kishin kaluar veç pesë ditë nga arrestimi i Fiqiretit, por masat ishin të menjëhershme. Për këtë punë do paguhesha sipas rregullave. Vlen të theksohet se asokohe çdo punë, piktura apo shkrim, apo përkthime paguhej kokërr më kokërr sipas karakterit të germave nga një Komision i Posaçëm.

-Do kesh kohë në dispozicion 10-15 ditë, drejtori Mihal B. në Komitetin Qendror që ti e ke dëgjuar është ngarkuar të ndjekë këtë punë. Bazën materiale e ke nga shteti. Dmth., faqen e brendshme të Diplomës, ku janë të dhënat e personit dhe emrin e Fiqiretes si drejtore e Shkollës do bëhen nga e para. Edhe njëherë ta kesh të qartë dhe nxori nga sirtari një diplomë, do heqësh komplet faqen e brendshme e do ngjitësh këtë fletën e re, do plotësosh të dhënat e mbajtësit siç i ka tek e vjetra, kurse tek emri i Fiqiretes është lënë vetëm “DREJTORIA E SHKOLLËS” dhe kuptohet sipër saj, vula.

-Të kuptova, shumë mirë. Unë atë punë e kisha si “bukë e djathë”, por ama ishte një rast i rrallë që të vjen në derë për të fituar një dorë… lekësh.

Nisu, e mbylli Kujtimi – shko në Shkollë e tako shokun Besnik A., sekretar i shkollës e të fillosh punë.

Shkova direkt në Shkollë, takova Besnikun, më çoi në një dhomë boshe ku mbi dysheme ishin të stivosura grupe-grupe diplomat, nuk ishin të një formati dhe stivosja nëpër dysheme më kujtoi stivosjen e parave që kisha parë te Firmat Piramidale, ku pirgje me para të ndara sipas llojit, dollarë, lireta, Dojçmarka, lekë mbushnin dyshemetë e dhomave. Ishte “gallatë” piramidale por për këtë do shkruajmë një herë tjetër se si filloi, si vazhdoi, si u mbyllën, çfarë bënë fqinjët si Maqedonia, kur edhe aty plasën firmat piramidale.

Të nesërmen sigurova bazën materiale dhe me dy tavolina fillova nga puna. Në gjithë atë sasi të panumërt diplomash që kalova nëpër duar ato ditë, më bëri përshtypje diploma e Muho Asllanit, i cili u nda nga jeta para disa ditësh. Ishte e vetmja që kishte dy mbiemra, Asllani dhe tjetrin në kllapa (Artunda).

-I drejtohem Besnikut, duke i thënë – a ke idenë pse ka dy mbiemra ky në një dokument të rëndësishëm partie?

– Ky, Muho Asllani, Pëllumb, ka një histori më vete me shokun Enver. Në morinë e informacioneve dhe letrave anonime që i shkonin shokut Enver Hoxha dhe të cilat ai i lexonte personalisht duke bërë shënimet përkatëse, shikon që Muho Asllani ishte një sekretar partie, i palodhur, i pastër dhe militant i thekur i Partisë e propagandues i zjarrtë i vijës së saj. Enveri bën shënimin për Sekretarin e Komitetit Qendror që merrej me kuadrot që ky të dërgohet në Shkollën e Partisë për kualifikim se është kuadër me perspektivë të lartë, por me kushtin që të ndryshojë mbiemrin nga Artunda në një mbiemër tjetër, për arsye se Artunda ishte mbiemër malazez. Muho, si patriot e si komunist, pa një, pa dy pranoi dhe vendosi si mbiemër, emrin e babait, ashtu siç ndodh rëndom tek ne, ama u lut që në kllapa të vendosej Artunda. Më vonë, Enveri e bëri Muhon, anëtar të Byrosë Politike, funksioni më i lartë në Parti. Dhe Muho e kreu me nder atëherë detyrën ndaj Partisë dhe me besnikëri deri në ditët e fundit kur u largua nga kjo jetë. Puna ime mbaroi, unë u paraqita tek Kujtimi dhe e njoftova me anën e një shkrese nga Besniku, që Pëllumbi e kreu punën me sukses. Pas disa ditësh, diku nga Janari 1982, u mblodh Komisioni dhe bëri vlerësimin e një diplome duke e shumëzuar me 6800 diploma që ishin në total dhe doli vlera e 150 mijë lekëve (të asaj kohe), ndërkohë që Enveri e kishte rrogën 16 mijë lekë, pa llogaritur përfitimet e tjera në natyrë. Më thirri Kujtimi pas vlerësimit në zyrë.

Të falënderojmë për punën! Ke bërë një punë të bukur, të pastër e të shpejtë. Bravo! E diskutuam edhe me shokun Mihal, por kemi një problem, Pëllumb.

Shuma është jashtëzakonisht e madhe, e paparashikuar dhe e vështirë për të siguruar kaq para, prandaj të kërkojmë si Anëtar që të kemi (vini re, Kujtimi nuk përmend fjalën parti, se unë nuk kam qenë asnjëherë kandidat për anëtar partie), të kemi ndër më të mirët, edhe Dritëroi (ishte Kryetar i Lidhjes) ka përshtypjet më të mira për ty.

-Pra, si do bëjmë, Pëllumb? E pashë që mund të mbetesha pa gjë fare, mendova të marr, ç’të marr e… nga “sytë këmbët”.

-Mesa shoh unë, ju po ma lini mua në dorë këtë punë? -Pikërisht, Pëllumb, si e gjykon?

– E mirë, u thashë – dakord, më jepni 15 mijë lekë dhe një autorizim për televizor me ngjyra. Kujtimi, siç e mora vesh më vonë, pikërisht atë shumë ia kishte servirur Mihalit, si një shumë pothuajse normale për volumin e punës. Më vonë, pata rastin që edhe për një pikturë me bojëra vaji me tankun në Shebenik të Elbasanit u pagova goxha para, arti paguhej mirë në atë kohë, natyrisht kur kapje punë… Sot, eh sot…!

-Mirë – vazhdoi Kujtimi, ja ku u mirëkuptuam. Eja pas dytri ditësh të marrësh paratë (at’herë pagesat bëheshin kesh nga financa e Lidhjes) së bashku me autorizimin. Në atë kohë dihej se autorizimet për televizorë e lavatriçe jepeshin nga Ndërmarrjet në bazë të rezultateve të punës që kishe arritur.

Tërhoqa paratë e drejt në dyqan mora televizorin, 43 mijë lekë e me paratë e tepruara shkova në shtëpi. Për gjysmë ore, shtëpia u mbush me komshinjtë e shkallës për të parë televizor me ngjyra. Kur mbetëm vetëm familja, shkëputa antenën dhe …hop kanaçja me tranzistorin e fuqishëm BF-99 hyri në punë dhe në ekran dolën stacionet italiane, Jugosllave e kë të doje. Historia mbaroi, edhe “esetë” për këtë radhë mbaruan.

Autori, Drejtor i Revistës “Hosteni”

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura