Në vend të replikës për “Iniciativën për Tiranën”

Apr 15, 2011 | 10:31

ZEF PREÇI

Që në krye të herës më duhet të theksoj se po përgjigjem jo për mospjesëmarrjen time në panelin e dytë të “Iniciativës për Tiranën”, që u mbajt të mërkurën në drekë,…me prezencën e shumicës së intelektualëve të përfshirë në këtë përpjekje, por për diçka të ndryshme nga sqarimi i djeshëm i mikut tim, Henri Çili, mbi (një)anshmërinë ose jo të vetë nismës. Së pari, jetoj në Tiranë prej afro 40 vjetësh dhe në respekt të përvojës profesionale dhe të përgjegjësive qytetare, iu bashkova pa asnjë paragjykim “Iniciativës për Tiranën”, të ndërmarrë nga Universiteti Europian i Tiranës me dëshirën që të kontribuoj sadopak në nxitjen e debatit dhe dialogut qytetar ndërmjet kandidatëve për kryetar të Bashkisë, për problemet që shqetësojnë qytetarët e kryeqytetit. Si shumë të tjerë, besoj dhe shpresoj se problematika e këtyre të fundit është “alfa” dhe “omega” e të bërit politikë në botën që na rrethon (aq më tepër në zgjedhjet lokale), e se cilido prej nesh, nëse ka vendosur të jetojë këtu, duhet të thotë fjalën e vet, me qëllim nxitjen e politikës të ecë në këtë drejtim… Në këtë kuptim, jam dhe dëshiroj vetëdijshëm të mbetem i anshëm, të renditem në anën e atyre që shteti dhe shoqëria jonë e sotme – jo për faj të tyre – nuk u ka dhënë
(dhe as ka ndërmend t’u japë) shansin të mendojnë më shumë për të siguruar “bukën e përditshme”…
Së dyti, nuk jam nihilist dhe nuk dëshiroj të mohoj asnjë kontribut të qeverive të dy dekadave të fundit dhe as të qeverisë aktuale, të Bashkisë dhe të vetë z. Rama e komunitetit të qytetarëve e biznesit në ndërtimin e Tiranës që kemi sot. Kjo nuk do të thotë se më janë errur sytë dhe duhet të hesht përballë problemeve jo të vogla të urbanizimit dhe të legalizimit të Tiranës sonë, të përmirësimit të cilësisë së jetesës në të, të shndërrimit të saj jo vetëm në një metropol të zhurmshëm, por edhe për adoptimin në të të disa standardeve bashkëkohore që na
mundësojnë të gjithëve një cilësi më të mirë të jetës, bashkëjetesë komunitare, kulturë që zhvillohet dhe biznes që nuk njeh dallim nga vendet përreth. E, për këtë mora pjesë dhe pak a shumë ky ishte mesazhi im në panelin e javës që shkoi, në të cilin z. Rama – “për shkak të axhendës së ngjeshur”, nuk mundi të merrte pjesë…
Sa treti – dhe ky ishte qëllimi kryesor i këtyre radhëve – miku im, Çili, mendoj se gabon kur thotë se paneli i kësaj jave ishte i fundit i këtij lloji. Personalisht mendoj se roli i “Iniciativës për Tiranën” fillon në të vërtetë mbas datës 8 maj. Thjesht sepse monitorimi i veprimtarisë së Bashkisë së Tiranës, mënyra se si përmbush angazhimet elektorale dhe transparenca në përdorimin e fondeve që burojnë nga taksat e qytetarëve dhe bërja publike e gjetjeve rreth këtyre problemeve, mund dhe duhet të jenë në fokus të këtij paneli. Madje, nuk e teproj të them se kështu duhej bërë fushata në Tiranë dhe jashtë saj, gjë që e theksoi edhe  z. Aleksandër Arvizu, ambasador i SHBA-ve në Tiranë, në fjalën e tij në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë, kur tha se “… pikërisht debati inteligjent dhe serioz është ai që nevojitet tani në mënyrë që të ballafaqohen me sfidat shumë të vërteta dhe shumë të mëdha përballë Shqipërisë”.
Në fund të fundit, duhet të pranojmë se përgjegjësitë qytetare dhe intelektuale nuk lidhen vetëm me qenien përfaqësues në lista partish në Kuvend, apo në Këshillin Bashkiak, apo atë komunal, se nuk janë shterur ende shpresat se dikush në këtë vend mund të jetojë edhe jashtë “pushtetit të listës partiake”, përndryshe pushtetet e pambikëqyrura nga qytetarët-taksapagues – të majta a të djathta qofshin formalisht – nuk do të ndryshojnë shumë nga ai që kujtuam se lamë pas dy dekada më parë…
Aq më keq për të nëse dikush dëshiron t’i ndajë shqiptarët në “partizanë” dhe në “gjermanë” edhe mbas 60 vjetësh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore…

© Panorama.al

Te lidhura