Gazetari Osman Stafa rrëfeu sot ngjarjen e kërcënimit nga dy persona në rrugën Elbasan-Librazhd, teksa investigonte krimin mjedisor të gërryerjes së lumit Shkumbin për inerte fundjavën e kaluar.
Ai tha në studion e “News24” se ndodhej për shkak të detyrës në zonën e Hotolishtit dhe duke u kthyer pa se po gërmohej në rrjedhën e lumit Shkumbin, duke nisur të filmonte, pasi po bëhej krim mjedisor.
Në këto momente e ka ndjekur një makinë e zezë me dy persona brenda, që më pas e kërcënuan. Stafa tha se bëri denoncim në Polici, por në Komisariat u shoqëruan persona të tjerë, të ndryshëm nga ata që e kërcënuan. Policia ka deklaruar se këta persona kishte gjetur në makinën e denoncuar, që i përkiste një kompanie private.
“Do t’i ndjek krimet mjedisore, nuk kam frikë. Lumi Shkumbin po pëson masakrën më të rëndë mjedisore. Pse duhet të preket lumi Shkumbin, nuk ishte prekur deri tani. Kjo bëhet për të os harxhuar para, kanë gjetur rrugën më të thjeshtë, është masakër e madhe mjedisore. Do e pësojnë banorët e dy anëve të lumit Shkumbin, ata e dinë. Shkova nga Tirana në Hotolisht se mora mesazhe se atje kanë ulur malin, e kanë bërë fushë. Nga aty për në Elbasan, ku pashë gjurmën ku kalonte rruga, për të parë se çfarë bëhet aty. këta çfarë marrin e derdhin po në Shkumbin. Në rrugën Librazhd-Elbasan pashë një eskavator që merrte inerte në mes të lumit Shkumbin dhe në mes të ditës. Unë doja të kisha të filmuar aktin e marrjes së inerteve nga eskavatori në kamion. Erdhi ky për telefonin tim që filmova dhe e çova në polici”, rrëfeu gazetari.
Dhe më tej ai është kërcënuar de ndjekur, duke iu rrezikuar edhe jeta.
“Sapo dola nga rruga pashë një makinë fuoristradë e zezë të afrohej pas meje. Makina më kishte parakaluar në fillim, 200 metra më tej me fushëpamje që të ndiqte veprimet e mia. Në momentin që kaluan ata më panë kush isha, panë makinën dhe logon. Ata nuk patën qëllim parakalimin, por të kalonin direkt para makinës time dhe për të kërcënuar. Kaloi duke ma bërë me drita. Ndalova dhe unë se ndryshe do përplaseshim. Nuk dola nga makina, pashë dy persona te makina tjetër. Më pas kam vijuar rrugën dhe më kanë ndjekur për 1 kilometër dhe derisa i humba”, vijoi ai.
Stafa tha se si njeri që besonte institucionet, iu drejtua Policisë me denoncim, duke dorëzuar edhe filmimet. Por mesa duket autorët u larguan dhe në Komisariat u dërguan nën presion apo detyrim persona të tjerë që nuk kishin lidhje me ngjarjen.
“Unë jam njeri që besoj te institucionet dhe kam vijuar rrugën për kallëzimin penal në Policinë e Elbasanit. Aty mësova kujt i përkiste makina, kompanisë “4AM”, më pas mësova se policia mori dy persona por unë pashë se nuk ishte personi i bëshëm që erdhi aty te unë, ishin të tjerë. Ata që ishin aty ishin të traumatizuar, ishin të zverdhur, nuk e bënin kurrë ata, nuk ishin ata. Policia thotë këta persona kemi gjetur në makinë, duhet të hetojë Prokuroria tani. Fakti është se nuk ishin ata persona që ndodheshin në makinë kur më kërcënuan. Unë do i ndjek, nuk kam frikë nga asgjë”, tha Stafa.
Në fund gazetari deklaroi se nuk do e braktiste këtë çështje dhe do ta ndiqte deri në fund, pasi nuk trembej nga askush.
“Shikoni çfarë bëhet aty në pamje, në mes të ditës, mbushen kamionët me inerte në Shkumbin, aty nuk mbajnë të dyja anët e rrugës, është e ndaluar të merret. Unë do i ndjek krimet mjedisore, nuk e lë”, tha ai.
© Panorama.al













