“Në mund të jemi prapa në shumë gjëra, por pretendojmë Kupën e Botës në mikpritje”- Rama nga Spanja: Na thanë shumë fjalë inkurajuese për betejën tonë për të reformuar drejtësinë

Feb 7, 2025 | 18:26

Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp nga Spanja para nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin e Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027 në Shqipëri foli për mikëpritjen shqiptare.

edi rama

Sipas kryeministrit Rama në vitin 2027 Shqipëria do të presë shumë evente të rëndësishme, duke treguar një sinjal të fortë besimi.

“Ne mund të jemi mbrapa në shumë gjëra, por pretendojmë kupën e botës në mikpritje gjithmonë”, u shpreh kryeministri, i cili theksoi se “na u thanë kaq shumë fjalë inkurajuese për betejën tonë për të reformuar drejtësinë në Shqipëri dhe për ta bërë Shqipërinë një anëtare krenare të Bashkimit Evropian, ku shteti i së drejtës është i vendosur një herë e përgjithmonë”.

Rama: Është një privilegj i vërtetë për mua dhe miqtë e mi që të dëshmojnë në një moment kaq të bukur, ku jemi pritur nga Mbreti dhe u mirëpritëm nga bordi i Shoqatës Botërore të Juristëve.

Sigurisht, na u thanë kaq shumë fjalë inkurajuese për betejën tonë për të reformuar drejtësinë në Shqipëri dhe për ta bërë Shqipërinë një anëtare krenare të Bashkimit Evropian, ku shteti i së drejtës është i vendosur një herë e përgjithmonë. 

Dhe po, i jam shumë mirënjohës Havierit dhe udhëheqjes së tij që jo vetëm erdhën, por po kështu panë me sytë e tij dhe mblodhi të gjitha informacionet objektive rreth reformës sonë shumë sfiduese, por deri më tani mjaft të duartrokitur.

Kështu, sigurisht, jam i hapur për pyetje, por më duhet të them që fakti që Shqipëria do të mikpresë Kongresin Botëror të Drejtësisë është shpërblimi më inkurajues për të gjitha përpjekjet dhe për arritjet. 

Por po kështu, ky është një sinjal mjaft i fortë besimi që vjen me përgjegjësinë për të bërë më mirë dhe për të përfaqësuar një vend, i cili vjen nga një e shkuar mjaft e vështirë, por përmes aleancave të duhura, partneriteteve të duhura dhe vizionit të duhur mund të tejkalojë edhe të shkuarën më të keqe e më shkurajuese, kur vjen fjala për të ndërtuar institucione të besueshme dhe për të garantuar që shteti i së drejtës të mos jetë vetëm një fjalë në Kushtetutën tonë, por një mënyrë jetese, një mënyrë e të qenit bashkë në një shoqëri demokratike.

Ne do të bëjmë gjithçka që të jemi mikpritës të shkëlqyer, do të bëjmë gjithçka që të mposhtim mikpritjen e domenikanëve, të Republikës Dominikane dhe të gjitha republikave të tjera më parë, sepse ne mund të jemi mbrapa në shumë gjëra, por pretendojmë kupën e botës në mikpritje gjithmonë.

Ne jemi të pamohueshëm në mikpritjen tonë dhe duhet ta vërtetojmë këtë dhe gjithkush këtu, që është pjesë ose jo e kësaj organizate e gazetarët kanë të gjithë një ftesë për të ardhur në Shqipëri me premtimin që, jo vetëm nuk do të pendoheni, por do të doni që të ktheheni dhe me premtimin që çdo gjë që keni dëgjuar, se në ç‘mënyrë të bukur të parët tuaj në Spanjë përdornin për të mirëpritur miqtë e për t’i trajtuar miqtë do ta gjeni aty.

Kështu që nuk jemi ende aq të pasur sa të humbasim kujtesën dhe duam që të tregojmë se jemi mikpritës për këdo.

Dhe kjo nuk do të thotë që duhet të shpenzoni shumë, por nënkupton që jeni më të pasur sesa llogaria juaj dhe kështu do doja dhe një herë t’ju thoja faleminderit, edhe një herë është vërtetë nder dhe jemi mjaft të përulur që jemi këtu të përfaqësojmë vendin tonë dhe që na është treguar kaq shumë respekt dhe kaq shumë miqësi në të gjitha nivelet. 

Gjithashtu, edhe që takuam Mbretin që në pikëpamjen njerëzore është më e mira që ti mund të gjesh, kështu që faleminderit edhe një here!

Në 2027 ne do të mikpresim një seri evenimentesh, të cilat do të kishin qenë të paimagjinueshme, jo 50 vjet më parë, por edhe pak vjet më parë, sepse në 2027, Shqipëria do të jetë mikpritëse, jo vetëm e Kongresit Botëror të Drejtësisë, por edhe e Samitit të NATO-s, e po kështu edhe e finaleve evropiane nën moshën 21 vjeç në futboll.

Kështu që, këto janë gjëra të jashtëzakonshme që po na ndodhin, falë punës që kemi bërë sigurisht, sepse duhet të mbani parasysh që nuk ishte 100 vjet më parë, por ishte gjatë jetës sime. Ishim tërësisht të izoluar dhe ishim Koreja e Veriut të Europës, ishim të izoluar, qoftë nga Perëndimi, ashtu dhe nga Lindja dhe pretendonim se ishim vendi i vetëm i vërtetë e i mirëfilltë komunist dhe kishim vetëm 5 mijë vizitorë mesatarisht në vit, ndërkohë që vitin e kaluar e mbyllën me 12 milionë të tillë.

© Panorama.al

Te lidhura