Në kërkim, turku i liruar nga Apeli

Apr 14, 2011 | 10:27

Drejtësia shqiptare “korrigjon” vetveten, duke rishpallur në kërkim narkotrafikantin turk, Abdulselam Turgut, të cilin Gjykata e Apelit Tiranë e la të lirë në mesin e muajit mars.Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, ka shpallur në kërkim 44-vjeçarin turk, duke vendosur ndaj tij masën e re të sigurisë “arrest me burg në mungesë”. Personazhi i kësaj historie akuzohet nga shteti gjerman për trafikimin e një toni heroine dhe konsiderohet si një nga “kokat” e nëntokës kriminale ballkanike, me lidhje të forta edhe në Shqipëri. Një javë më parë mësohet se në Tiranë ka mbërritur dosja e plotë e Prokurorisë gjermane, e cila e akuzon shtetasin turk për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Me të marrë në dorëzim këtë dosje, Prokuroria shqiptare ka paraqitur në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit turk, të cilit i është shtuar tashmë një akuzë e re për krimin e “largimit nga vendi i qëndrimit gjatë masës së sigurisë caktuar nga gjykata”. Historia e shtetasit turk me drejtësinë shqiptare filloi më 18 shkurt. Narkotrafikanti turk u arrestua nga policia e Rinasit, gjatë tentativës për të hyrë në Shqipëri pas mbërritjes me avion nga Turqia. Nga verifikimi në sistemim TIMS, Abdulselam Turgut, 44 vjeç, rezultoi se ishte person në kërkim nga Zyra e Interpolit në Uestbaden të Gjermanisë. Në zbatim të mandatarrestit gjerman shtetasi turk ishte shpallur në kërkim edhe nga pesë shtete të Bashkimit Europian. Pas arrestimit në Rinas, turku u dërgua në paraburgim në Tiranë, ndërkohë që për çështjen u informua prokuroria, me qëllim fillimin e procedurave të ekstradimit të tij në vendin ku kërkohej për trafik droge në Gjermani. Gjykata e Tiranës, me kërkesë të prokurorisë, vendosi mbajtjen e shtetasit turk në arrest për 40 ditë, derisa të realizohej ekstradimi drejt Gjermanisë. Afati prej 40 ditësh është koha e nevojshme ligjore për transferimin e dokumenteve dhe procedurave ligjore të nevojshme për ekstradimin. Por, pasi Gjykata e Tiranës vendosi masën “arrest me burg” ndaj tij, shtetasi turk nëpërmjet avokatit e ankimoi masën e sigurisë në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Rreth një muaj pas arrestimit të shtetasit turk, trupi gjykues i Gjykatës së Apelit në Tiranë, drejtuar nga gjyqtari Gjin Gjoni, urdhëroi lirimin e shtetasit turk nga paraburgimi dhe lënien e tij në arrest shtëpie. Vendimi u kundërshtua nga prokuroria, e cila theksoi se shtetasi turk nuk kishte shtëpi në Shqipëri, por gjykata, referuar avokatit të 44-vjeçarit turk, caktoi se masa e sigurisë “arrest shtëpie” do të zbatohej në një pallat pa adresë të saktë tek “Kthesa e Kamzës” në Tiranë. Një javë pas lirimit nga Gjykata e Apelit, shtetasi turk “çau ferrën”, pasi policia gjyqësore kontrolloi banesën ku duhej të ndodhej narkotrafikanti, por ai nuk u gjet aty.

KLD: Hetim Apelit për vendimin

Vendimi i Gjykatës së Apelit të Tiranës për lirimin e shtetasit turk Abdulselam Turgut është marrë vesh gati dhjetë ditë pasi shtetasi turk kishte shijuar lirinë dhe arratinë. Ka qenë nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu, ai që e ka bërë të ditur lajmin për median, duke pohuar se Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të fillonte një procedurë kontrolli në këtë dosje, për të parë sa i bazuar ishte vendimi i Apelit të Tiranës që la në “arrest shtëpie” shtetasin turk. Ndërkohë, nuk janë bërë ende të qarta rezultate të këtij hetimi, madje nuk ka konfirmime nëse ky proces ka filluar apo jo.

Skandali i lirimit të turkut, ping-pongu i përgjegjësisë

TIRANE – Disa ditë pas lirimit të shtetasit turk, Abdulselam Turgut, vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë u bë publik. Kjo gjykatë, në vendimin e saj që i dha lirinë të shumëkërkuarit ndërkombëtar, bënte me faj prokurorinë për mangësi në dokumentacion. Sipas Gjykatës së Apelit, shtetasi turk nuk mund të mbahej në arrest me burg në Shqipëri vetëm me një kopje të fletës së Interpolit, e cila tregonte se ai ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria gjermane. Gjykata e Apelit theksoi se për mbajtjen në burg të shtetasit turk, nevojiteshin dokumente të dosjes penale gjermane të cilat sipas saj prokuroria nuk i paraqiti në proces. Me këtë argument Gjykata e Apelit vendosi lirimin e shtetasit turk. Ndërkohë, prokuroria reagoi duke thënë se Apeli gaboi në lirimin e narkotrafikantit, pasi rrezikshmëria e tij shoqërore ishte e lartë dhe po kështu Gjykata e Tiranës kishte dhënë ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”. Sipas prokurorisë, nuk kishte arsye për ndryshimin e kësaj mase nga Gjykata e Apelit, aq më tepër që shtetasi turk nuk kishte banesë dhe nuk ishte rezident në Shqipëri.

 

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura