Grekët e pasur, në mënyrë të fshehtë kanë nxjerrë më shumë se 200 miliardë euro jashtë vendit të tyre, ndërsa Greqia është e goditur nga kriza. Paratë e tyre janë lëvizur në disa llogari në bankat zvicerane, sipas një raporti të publikuar së fundmi në gazetën prestigjioze gjermane, “Bild”. Paratë e pasanikëve po nxirren jashtë vendit, pasi ata janë të trembur se vendi do t’i kthehet monedhës së vjetër greke, dhrahmisë, dhe kjo do t’ia çonte vlerën të ardhurave të tyre në euro përgjysmë, nëse ato liheshin në bankat greke. Pjesa më e madhe e parave po dërgohet nëpërmjet Qipros nga industrialistët grekë, të cilët po përdorin degët e tyre të huaja për t’i kanalizuar paratë jashtë vendit të zhytur në borxhe. Markus Korll, nga grupi i shërbimeve financiare gjermane “Roland Berger”, tha për “Bild” se “Vetëm gjatë pak muajve të fundit janë nxjerrë jashtë Greqisë më shumë se 10 miliardë euro”. Gazetat greke shkruajnë gjithashtu se njerëzit që fluturojnë jashtë Greqisë, përfshirë murgesha, priftërinj dhe të papunë, po ndalohen në Aeroportin e Athinës me valixhe të mbushura me euro. Ndërkohë, Martin Shulc, lideri i Socialdemokratëve në Parlamentin Europian, i ka bërë thirrje Zvicrës që të vendosë një taksë 25 për qind për paratë. Sipas “Daily Mail”, ai tha se “Në këtë mënyrë të paktën ne mund ta luftojmë largimin masiv ta kapitalit. Njerëzit që lëvizin në mënyrë sekrete paratë e tyre jashtë vendit, nuk mund të jenë të varfër. Ata duhet të paguajnë pjesën e tyre. Është e kuptueshme pse ‘njerëzit e vegjël’ dalin të protestojnë rrugëve për t’u rebeluar kundër kësaj padrejtësie”, shtoi ai. Sipas “Bild”, bosët e bankave greke e kanë paralajmëruar qeverinë për këtë panik në rritje në depozitimet bankare kesh dhe nxjerrjen e kapitalit jashtë vendit. Këshilltarët e qeverisë po paralajmërojnë mbi nevojën e madhe për kontrollin e kapitalit, duke përfshirë edhe shkëputjen e makinave-bankomate, ATM-ve, raporton gazeta.
Dje, në Athinë, nisi greva e përgjithshme dyditore, e cila ka ulur fluturimet, ka shkëputur transportin publik dhe ka mbyllur gjithçka, nga dyqanet deri të shkollat, ndërsa të paktën 100 000 protestues u mblodhën në qendër të Athinës. Përleshje të dhunshme ndodhën jashtë ndërtesës së Parlamentit grek mes policisë dhe protestuesve, ku forcave të rendit u janë hedhur bomba benzine dhe gurë. Të gjithë sektorët që nga dentistët, mjekët e spitaleve shtetërore, avokatët deri të pronarët e dyqaneve, punonjësit e zyrës së taksave kanë lënë punën për të protestuar për masat e reja të kursimit, të cilat do të votohen sot në Parlament. Disa mijëra policë janë zbarkuar në kryeqytetin grek, duke bllokuar një rrugë pranë Parlamentit dhe duke mbyllur dy stacione metrosh. Demonstratat gjatë një greve të ngjashme të përgjithshme në qershor shkatërruan qendrën e Athinës dhe u pasuan nga përleshje me policinë.
Hetimi
Kontrollorët e konkurrencës në Bashkimin Europian kanë kryer bastisje në disa banka europiane, pasi kanë dyshime të mëdha mbi bashkërendime të palejuara për normat e interesit. “Inspektimet e paparalajmëruara janë kryer në institute bankare, të cilat veprojnë në tregun e derivateve”, ka bërë të ditur dje Komisioni Europian. Shkak për bastisjet u bë dyshimi fillestar se bankat kanë manipuluar në favorin e tyre normën e interesit “Euribor”, duke shkelur kështu rregullat e tregut të përbashkët në Bashkimin Europian.
Samiti dhe Franca
Takimi i nivelit të lartë të kryetarëve dhe kryeministrave të shteteve të BE-së, i parashikuar për të dielën, mund të ngarkohet shtesë edhe me rritjen e dyshimit për shkallën e besueshmërisë së Francës për kthimin e kredive. Agjencia e vlerësimit “Moody’s” ka paralajmëruar qeverinë në Paris se, nëse nuk ndërmerr një kurs të vendosur kursimesh, atëherë kërcënon humbjen e notës më të mirë AAA, për aftësinë e kthimit të kredive. Franca pas Gjermanisë konsiderohet si shtylla më e rëndësishme e eurozonës. Të dielën, 17 vendet e monedhës së përbashkët, euros, planifikojnë të paraqesin gjatë takimit të krerëve të shteteve dhe qeverive të 27 vendeve të BE-së një paketë gjithëpërfshirëse zgjidhjeje. Në të do të përfshihet edhe propozimi për një koncept të zbatueshëm për uljen e barrës për Greqinë e zhytur në borxhe, por edhe do të miratohet nga të gjitha vendet vendimi për zgjerimin e fondit të shpëtimit.











