Ndryshimet në Kodin Rrugor, PD-PS: Gjobat do dyfishohen

Nov 25, 2011 | 9:57

PD pranon propozimet e opozitës. Rrëzohet varianti për katërfishimin. Nëse paguhet brenda 5 ditësh, zbritet 20% e vlerës

Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, i cili u mblodh gjatë kohës që në Kuvend po diskutohej Kodi Ajror, u vendos që gjobat për shoferët që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor të rriten dyfish, dhe jo katërfish, siç ishte propozimi i parë i qeverisë. Ideja e dyfishimit të gjobave u hodh një ditë më parë nga deputeti i PS-së Pandeli Majko dhe u mbështet nga grupet e interesit. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit, demokratët i pranuan të gjitha propozimet e opozitës dhe në fund ligji kaloi me konsensus. Në këtë takim, që u bë me dyer të mbyllura, u vendos gjithashtu një masë për të rritur numrin e arkëtimeve të gjobave. Kështu, nëse një shofer që gjobitet e paguan atë brenda 5 ditëve të para (që është edhe afati para se të nisë të llogaritet edhe kamatëvonesa), do të përfitojë 20% zbritje. Por, në një kohë që maxhoranca pranoi propozimet e opozitës, kjo e fundit hodhi poshtë një propozim të sekretarit të Komisionit, Viktor Gumi, i cili kërkoi që pas votimit të këtyre ndryshimeve, të ndryshojë emërimi dhe nga kod të quhet ligj dhe të miratohet me shumicë të thjeshtë votash. Opozita, në një zë, e hodhi poshtë këtë kërkesë të demokratëve, duke e lënë gjithçka siç ishte në fillim. Pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, tani fjalën e fundit do ta thotë Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, i cili do të mblidhet sot gjatë kohës kur Parlamenti të diskutojë buxhetin e vitit të ardhshëm. Pas miratimit edhe në këtë komision, të enjten tjetër projektligji do të votohet në Kuvend, sipas kalendarit të përcaktuar në marrëveshjen mes dy forcave politike.
Gjobat e reja
Sipas draftit të miratuar dje me votat e maxhorancës dhe të opozitës, drejtuesi i mjetit që kalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë me jo më shumë se 10 km/orë, ndëshkohet me masë administrative gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë. Më parë kjo gjobë ka qenë nga pesëqind deri në dy mijë lekë. Në të njëjtën kohë, shoferi që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 10 km/orë dhe jo me më shumë se 20 km/orë ndëshkohet me masë administrative gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë. “Cilido që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. Si pasojë e kësaj shkeljeje merret masa administrative plotësuese me pezullimin e lejes së drejtimit nga një deri në tre muaj. Në qoftë se shkelja është kryer nga një drejtues mjeti që e zotëron lejen e drejtimit prej më pak se 3 vjetësh, pezullimi i lejes së drejtimit bëhet për tre deri në gjashtë muaj”, thuhet në ndryshimet e nenit 140 të Kodit që u ndryshua dje në Komisionin e Ligjeve.
Sinjalet e policise
Amendamentet e propozuara dje nga opozita prekin edhe masën e gjobave në rastet kur nuk zbatohen sinjalet që jepen nga Policia Rrugore. Kështu, të gjithë përdoruesit e rrugës që nuk do t’i respektojnë këto sinjale, do të gjobiten me një gjobë që shkon nga një mijë deri në katër mijë lekë. Ndërsa më parë këto gjoba kanë qenë nga pesëqind deri në dy mijë lekë. Në nenin 146 të Kodit parashikohet mbajtja e largësisë së sigurisë nga mjeti që ndodhet përpara. Në këtë rast, nëse kjo largësi nuk mbahet, gjoba është nga një mijë deri në katër mijë lekë. Kodi përcakton gjithashtu një masë administrative që shkon nga një mijë deri në katër mijë lekë për rastet kur drejtuesit e automjeteve nuk zbatojnë rregullat sa i përket ndryshimit të drejtimit ose të korsisë, ndalimit të qëndrimit dhe pushimit të mjeteve, si dhe sinjalizimit të mjetit të ndaluar. Ndërsa në nenin për vendosjen e rripit të sigurimit thuhet se “cilido që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit të parashikuara për pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë. Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jo madhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit, ose, kur ndodhet në momentin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e kësaj fëmije”. Sipas kodit, “Për cilindo që, në kushtet e treguara në pikën 1 (mënyra e veprimit në rast aksidenti), nuk zbaton detyrimin e ndalimit në rast aksidenti, vetëm me dëme materiale, zbatohet masa administrative me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë dhe me pezullimin e lejes së drejtimit nga 6 deri në 12 muaj”.

Ndryshimet në Kodin Rrugor
– Cilido që kalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë me jo më shumë se 10 km/orë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
Ishte nga 500 deri në dy mijë lekë

– Cilido që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 10 km/orë dhe jo me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë.
Ishte nga një mijë në katër mijë lekë

– Cilido që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzetë mijë lekë. Si pasojë e kësaj shkeljeje merret masa administrative plotësuese me pezullimin e leje-drejtimit nga një deri në tre muaj. Në qoftë se shkelja është kryer nga një drejtues mjeti që e zotëron lejen e drejtimit prej më pak se 3 vjetësh, pezullimi i lejes së drejtimit bëhet për tre deri në gjashtë muaj.
Ishte 2.5 mijë deri në 10 mijë lekë

– Cilido që shkel dispozitat e pikës 4, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
Ishte nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë

– Cilido që shkel dispozitat e tjera të këtij neni (pozicioni i mjetit në karrexhatë), ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë

– Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (qarkullimi i mjeteve në rreshta paralele), ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë

– Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (përparësia), ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë

– Cilido që nuk sillet në mënyrën e treguar nga sinjalizimi rrugor, ose nga normat përkatëse të akteve në zbatim, si dhe nga polici i trafikut, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë. Janë përjashtuar masat e veçanta të parashikuara në nenet 6 dhe 7.
Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë

– Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (mënyra e veprimit në kalimet në nivel) ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë

– Cilido që kryen një parakalim pa zbatuar dispozitat e pikave 2, 3, 4, 5 dhe 8 (parakalimi) ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë

– Kur nuk zbatohen ndalimet e parakalimit sipas pikës 14, masa administrative është me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë.
Ishte nga një mijë deri në katër mijë lekë
– Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (largësia e sigurisë ndërmjet mjeteve) ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë
Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë

– Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (sinjalizimi pamor dhe ndriçimi i mjeteve), ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë
Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë
– Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (ndryshimi i drejtimit a i korsisë ose manovra të tjera), ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë

– Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (ndalimi i qëndrimit dhe pushimit të mjeteve), ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë

– Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (sinjalizimi i mjetit të ndaluar), ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë

– Cilido që drejton mjete ose trolejbuse të destinuar për transportin e njerëzve, duke përjashtuar autoveturat që kanë një numër pasagjerësh dhe një ngarkesë të përgjithshme më të madhe se vlerat maksimale të treguara në lejeqarkullimet, si dhe transportojnë një numër pasagjerësh më të madh nga ai i treguar në lejeqarkullimin, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë.
Ishte nga një mijë deri në katër mijë lekë

– Cilido që shkel dispozitat e mësipërme, kur bëhet fjalë për autovetura, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë.
Ishte nga një mijë deri në katër mijë lekë

– Cilido që shkel dispozitat e treguara në pikën 6, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë.
Ishte nga pesëqind deri në dy mijë lekë.

– Cilido që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit të parashikuara për pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë. Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jo madhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit ose, kur ndodhet në momentin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e kësaj fëmije.
Ishte nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë

– Cilido që shkel dispozitat e këtij neni (përdorimi i syzeve optike dhe aparateve të tjera gjatë drejtimit të mjetit), ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.
Ishte nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë

– Cilido që drejton mjetin pas përdorimit të pijeve alkoolike, në rastet kur nuk përbën vepër penale, dënohet me gjobë nga pesë mijë deri në njëzetë mijë lekë.
Ishte nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë

– Për cilindo që, në kushtet e treguara në pikën 1 (mënyra e veprimit në rast aksidenti), nuk zbaton detyrimin e ndalimit në rast aksidenti, vetëm me dëme materiale, zbatohet masa administrative me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë dhe me pezullimin e lejes së drejtimit nga 6 deri në 12 muaj.
Ishte nga një mijë deri në katër mijë lekë

– Cilido që nuk zbaton dispozitat e pikave 2, 4 dhe 5, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë.
Ishte nga një mijë deri në katër mijë lekë

© Panorama.al

Te lidhura