TIRANE – Një sasi prej 120 kilogramësh lëndë narkotike marijuanë është bllokuar mbrëmë nga policia e Tiranës, gjatë një aksioni që mundësoi ndalimin e katër personave. Policia tha se operacioni është zhvilluar në rrugën automobilistike pranë Ndroqit, ku pas kontrollit në dy automjete, kanë rënë në pranga katër persona që po lëviznin sasinë e drogës prej 120 kilogramësh. Lënda narkotike mësohet se kishte ardhur nga Lazarati. Shkëlzen Hajdari, 32 vjeç, nga Tropoja, Aleksandër Dedukaj, 32 vjeç nga Tropoja, Maliq Memo, 54 vjeç nga Shijaku dhe Eqerem Hoxha, 56 vjeç, nga Shijaku, janë katër personat e vënë në pranga nga policia e kryeqytetit. Sektori i Antidrogës ka bllokuar më pas edhe 120 kilogramët e marijuanës, e cila ishte fshehur në dy makina, një “Mitsubishi” fuoristradë e vitit 2010 me targë TR 3923 T dhe një “Benz” me targë të Durrësit 0558 F. Policia, gjatë aksionit, mësohet se ka bllokuar edhe një sasi eurosh dhe lekësh, si dhe një pistoletë “Zastava”. Policia dyshon se mes katër personave të arrestuar ndodhen edhe transportuesit e drogës, por dhe porositësit e saj. Sipas hetimeve, dyshohet se shtetasit Shkëlzen Hajdari dhe Aleksandër Dedukaj kanë qenë personat që e kanë marrë ngarkesën e drogës në Lazarat. Sipas dyshimeve të policisë, sasia e lëndës narkotike besohet se ka qenë duke u transportuar drejt Durrësit, ndërkohë që itinerari i drogës po hetohet. Agjentët e Antidrogës kishin marrë që më parë informacion për lëvizjen e drogës, por kanë pritur takimin e porositësve me transportuesit për t’i arrestuar të dy palët. Sipas burimeve nga Policia, veprimet e trafikantëve janë dokumentuar nëpërmjet ndjekjes operative, ndërkohë që katër personat janë arrestuar në flagrancë me akuzën e mbajtjes dhe transportimit të drogës. Automjetet dhe sasitë monetare të kapura në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërkohë që dosja penale i është referuar prokurorisë. Policia tha mbrëmë se pas kapjes së katër personave me 120 kg drogë të ardhur nga Lazarati, po kryhen hetime për të implikuar të tjerë në këtë rrjet.











