Ndriçimi në shkolla, 25% e nxënësve, probleme me shikimin

Apr 27, 2011 | 11:13

Nxënësit e shkollave 9-vjeçare kanë probleme me shikimin. Sipas specialistëve, ndriçimi i dobët në klasa është shkaku kryesor. Sipas studimit të Institutit të Shëndetit Publik, rreth 25% e fëmijëve nga 6-14 vjeç kanë çrregullime pamore. Ndërsa niveli i ndriçimit është dy herë më i ulët se në vendet e BE-së. Në analizë janë marrë, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 13 shkolla 9-vjeçare në 5 qytete të vendit: Tirana, Shkodra, Vlora, Korça dhe Elbasani. Përz-gjedhja e tyre u bë në mënyrë të rastësishme. Specialistët e Shëndetit Publik kanë matur edhe ndriçimin e të gjitha shkollave ku u depistuan nxënësit. Përfundimet e studimit tregojnë se rreth 25 për qind e fëmijëve rezultuan të ishin me mprehtësi të ulët në shikim. Nga ana tjetër, nga mosha 6 deri në 14 vjeç, 5 deri në 10 për qind e fëmijëve kanë probleme serioze me shikimin për shkak të një sërë faktorësh, duke filluar që nga niveli i ndriçimit, defektet e trashëguara dhe përkeqësimi i gjendjes së tyre, pasi prindërit nuk i çojnë për vizita te mjeku okulist. Sipas mjekëve okulistë, fëmijët duhet të kenë dritë të mjaftueshme për të lexuar dhe për të shkruar, në të kundërt ata rrezikojnë të dëmtojnë shikimin. Ata këshillojnë gjithashtu edhe ruajtjen e distancës nga librat, e cila duhet të jetë minimalisht 30 centimetra. Nxënësit që kryejnë mësim gjatë orëve të pasdites duhet të kenë ndriçim të fortë dhe të mjaftueshëm për të parë në dërrasën e zezë, apo për të lexuar. Drita artificiale duhet të jetë e plotë, në mënyrë që sytë e fëmijëve të mos kenë vështirësi për të dalluar germat apo numrat. Sipas specialistëve të Shëndetit Publik, në vendin tonë, në shkolla nuk ka një ndriçim të mjaftueshëm qoftë natyral, qoftë artificial. Niveli i ndriçimit është rreth 250-30 luks (njësia matëse e ndriçimit), ndërkohë që sipas rekomandimeve të OBSH-së, ky niveli mesatar i ndriçimit duhet të jetë 700 luks.

© Panorama.al

Te lidhura