
Nismën e ndërmarrë nga kryebashkiaku i Tiranës, Lulëzim Basha, për përshpejtimin e procesit të hipotekimit të pallateve, ndërtuesit kanë gjetur vend ta vlerësojnë edhe dje në ceremoninë e 10-vjetorit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë. Sipas ndërtuesve, kjo është një nismë e ndërmarrë në kohën e duhur dhe për t’i dhënë shtysë sektorit të ndërtimit për të dalë nga kolapsi që ka mbërthyer pas stokut të banesave që nuk shiten. Përshpejtimi i procesit të hipotekimit shihet nga ndërtuesit si një mënyrë për të sjellë më shumë kapital për këto të fundit dhe më shumë para për ekonominë. Në ceremoninë e 10-vjetorit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë ishte i pranishëm edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili vlerësoi rëndësinë që ka sektori i ndërtimit në ekonomi dhe mbështetjen që duhet t’i jepet. “Unë jam tërësisht në të njëjtin opinion me ju se vështirësitë që hasni aktualisht kërkojnë një vëmendje dhe një bashkëpunim më të gjerë, për fuqizimin e mëtejshëm të partneritetit për të cilin unë falënderoj dhe shoqatën tuaj, për të kapërcyer vështirësitë e përkohshme dhe për t’i dhënë qëndrueshmëri në kohë industrisë së ndërtimit, dhe kur flasim për këtë industri nuk e kemi fjalën thjesht për ndërtuesit, por dhe për ata që prodhojnë materialet e ndërtimit”, u shpreh Bode. Nisma për përshpejtimin e hipotekimit të dhjetëra pallateve në Tiranë shihet nga sektori i ndërtimit, por edhe nga biznesi në tërësi, si një mënyrë për të marrë frymë lirisht nga borxhi në të cilën kompanitë janë zhytur pas post-krizës. Shumë prej tyre, vit pas viti u detyruan që të zvogëlonin apo të mbyllnin kantieret, ndërkohë që problemi i hipotekimit ka qenë refren i deklaratave publike të bëra shpesh prej tyre. Të dhënat e fundit të publikuara nga institucionet në vend, si Banka e Shqipërisë apo INSTAT, reflektojnë një situatë të përmirësuar.
700 milionë euro
është vlera e përafërt që llogarit Bashkia e Tiranës se mbahet peng nga pallatet e pahipotekuar në kryeqytet. E gjithë kjo shumë që do të çlirohet nga shitjet do të shkojë për sektorin e ndërtimit dhe për ekonominë.











