
Ndryshimet në ligjin që sanksionon funksionimin dhe procedurat e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme u diskutuan dje me grupet e interesit, ku ministri i Drejtësisë sqaroi edhe synimin që kanë këto ndryshime. Një ndër pikat që ai theksoi në fjalën e tij lidhej me regjistrimin e apartamenteve qysh në momentin kur pallati është i papërfunduar, karabina. Kjo synon që të shmangë problemet që lindin më pas mes ndërtuesit dhe blerësit. Sipas Halimit, përmes ndryshimeve në ligj synohet që ndërtuesve t’u sigurohet akses që të regjistrohet në moment edhe leja e ndërtimit që është marrë pranë bashkisë në ZRPP. Në tryezën e Ministrisë së Drejtësisë ishte ftuar si grup interesi edhe Shoqata e Ndërtuesve, që cilët ka shprehur mbështetjen e saj për këto ndryshime, të cilat pritet të ndikojnë pozitivisht edhe te kompanitë ndërtuese. Një tjetër pikë e vendosur në ndryshimet e ligjit të diskutuar dje ishte edhe ajo lidhur me funksionimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshëm si një institucion i pavarur buxhetor nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë. Pra kjo zyrë do të vetëmenaxhohet me të ardhurat e saj, ndërkohë që mbikëqyrjen do ta bëjë një organ kolegjial ku do të kenë përfaqësues edhe Ministria e Financave dhe Këshilli i Ministrave.











