Ndalimi i Federica Mogherini në Bruksel, deputetët e opozitës: Shpresojmë të mos jetë e lidhur edhe me korrupsionin e Kolegjit të Europës në Shqipëri

Dec 2, 2025 | 14:03

Deputeti i PD-së, Gjin Gjoni, ka reaguar pas lajmit për ndalimin në Bruksel të ish-shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, me urdhër të Zyrës së Prokurorit Publik Europian.

Federica Mogherini

Ai u shpreh se shpreson që të mos jetë e lidhur edhe me korrupsionin e Kolegjit të Europës në Shqipëri.

“Rektore aktualisht është arrestuar për shkak të korrupsionit dhe shpresoj të mos jetë e lidhur edhe me korrupsionin në lidhje me zgjedhjen e Kolegjit të Europës në Shqipëri. Të shpresojmë”, tha Gjin Gjoni.

Ndërsa deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha se: “Ndaloni mbështetjen madhështore për diplomatët e huaj, ja tek e keni mbështetësen tuaj Federika Mogerini, nisur nga lajmet e fundit, e kanë arrestuar për Kolegjin e Evropës. Ndaloni përdorimin e diplomatëve të korruptuar në Tiranë. Ata duhet t’i përgjigjen dy pyetjeve, me valixhe në bodrum apo me zarfa në duar. Ja ku e keni Federika Mogerinin, e arrestuar, që ju mbështeti për reformën në drejtësi, i dhatë edhe tokë publike në zemër të Tiranës. I keni falur tokë atje ku protestojnë qytetarët, në mes të Tiranës. Pse? Ne këtu jemi të gjithë të barabartë. Jeni ju që duhet të na dëgjoni ne”, u shpreh ligjvënësi.

Ndalimi i Federica Mogherini

Mogherini është aktualisht Rektore e Kolegjit të Europës dhe ka shërbyer si Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme.

Sipas Le Soir, sot u bënë kërkime në shërbimin diplomatik të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe në disa ndërtesa të Kolegjit të Europës në Bruges.

Në total, u arrestuan tre persona, përfshirë Mogherinin. Hetimet datojnë nga periudha 2021-2022, ndërsa ka dyshime për mashtrim në dhënien e kontratave publike, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.

Hetimi përqendrohet në dyshimet për favorizim dhe konkurrencë të padrejtë në dhënien nga shërbimi diplomatik i BE-së të një programi trajnimi nëntëmujor për diplomatët e ardhshëm evropianë, Akademisë Diplomatike të Bashkimit Evropian, për Kolegjin e Evropës.

Po hetohet “nëse Kolegji i Evropës ose përfaqësuesit e tij ishin informuar paraprakisht për kriteret e përzgjedhjes” si pjesë e procesit të tenderimit të shërbimit diplomatik të BE-së për një program trajnimi.

Zyra e Prokurorit Publik Europian është një organ i pavarur i BE-së përgjegjës për shpërdorimin e fondeve të BE-së.

Përpara operacioni policor, Zyra e Prokurorit Publik Europian kishte kërkuar heqjen e imunitetit që gëzonin disa të dyshuar.

© Panorama.al

Te lidhura