Analisti Ervin Kulluri, tha sot për televizionin “News24” se protesta e fuqishme popullore po bën që klasa e vjetër politike dhe veçanërisht PS dhe PD të jenë në fundin e tyre, për t’i hapur rrugë një sistemi të ri, një Shqipërie të re.
Sipas tij, vetëm një protestë e tillë e rrëzon kryeministrin Edi Rama, por me rëndësi mbetet edhe shpërbërja e mazhorancës dhe përmbysja e kupolës politike.
“Këtu kemi një reformim dhe ka nevojë për përmbysje të kupolës politike dhe restaurim të sistemit. Është sabotuar vazhdimisht Kushtetuta, që nga 1997, 1998 e më tej, edhe ligjet. Kryeministrin në Parlament e rrëzojnë vetëm këto protesta në shesh, se ndryshe ai është i parrëzueshëm. Sepse është e pamundur ta shkarkosh në parlament me ata deputetë, deputetët nesër mbetet pa punë. E di çfarë kanë bërë këta, dalin nesër në zgjedhje të parakohshme dhe mbeten deputetët në rrugë pa punë. Këta kanë bërë këtë që kanë kapur institucionet, këtë kanë ndërtuar këta. Po mos të kishte ndodhur kjo nuk do ishte shkëputur as deputetja Koçeku, por tani u shkëput dhe themi shyqyr që po çahet grupi i PS”, tha Kulluri mes të tjerash.
Më tej ai analizoi sistemin politik të dështuar në 35 vite, duke sjellë këtë situatë dhe mllefin e qytetarëve.
“Në 35 vite u dështua me sistemin në vend. Kjo klasë politike pas kësaj proteste i ka ardhur fundi. Qytetarët i drejtohen me mllef sistemit të vjetër apo elitës politike”, tha Kulluri.
Analisti mendon se ky presion qytetar në vazhdim do çajë dy partitë e mëdha, PS dhe PD, të cilat po e ndjejnë presionin.
“Kjo protestë do i përçajë të dyja partitë e mëdha, Berisha në burg, Rama në burg, kuptohet, të dy partitë e mëdha tani janë nën presion. Ata kanë dështuar, PD-ja tani nuk është më faktor politik dhe qëllimi është largimi i kësaj qeverie dhe shpërbërja e mazhorancës. Numrat janë aty, sheshi është plotë”, tha ai.
© Panorama.al











