Ndahet nga jeta Steve Jobs, bota nderoi gjeniun

Oct 7, 2011 | 11:26

Bota mbajti zi dje për vdekjen e themeluesit të “Apple”, Steve Jobs, pasi ai humbi një betejë të gjatë me kancerin në pankreas. Liderët e botës nga politika dhe biznesi i kanë bërë homazhe gjeniut vizionar që shpiku “iPhone”, “iPad” dhe “iPod”, i cili u nda nga jeta në moshën 56-vjeçare, më 6 tetor 2011. Në dyqanet e “Apple” në të gjithë botën dhe në zyrat qendrore të “Apple” u mblodhën me mijëra fansa për të nderuar njeriun që e konsideronin një hero, sipas mbishkrimeve të tyre në buqetat me lule dhe tabelat e homazheve. Nderimet, të drejtuara nga Presidenti Barak Obama, nisën pak minuta pasi kompania njoftoi vdekjen e shpikësit të madh. “Ne jemi shumë të trishtuar për t’ju njoftuar ndarjen nga jeta të Steve Jobs”, shkruhet në deklaratën e bordit të drejtorëve të “Apple”. “Brilanca, pasioni dhe energjia e Steve, ishin burimi i inovacioneve të panumërta që pasuruan dhe përmirësuan jetët tona. Bota është pamatësisht më e mirë për shkak të Steve”, thuhet më tej në njoftimin ku përmendet edhe familja e tij, e më pas, “Apple” ka humbur një gjeni vizionar dhe krijues, ndërsa bota ka humbur një njeri të mrekullueshëm”. Steve Jobs siguroi 338 patenta për aksesorë elektronikë në SHBA. Ai la pas gruan, një djalë dhe dy vajza. Të afërmit e tij në një deklaratë pas vdekjes shkruanin se Steve vdiq në paqe dhe i rrethuar nga familja e tij. Politikanët, biznesmenët, yjet e sportit dhe argëtimit në botë iu bashkuan homazheve për bashkë-themeluesin e “Apple”, Steve Jobs. Disa nga fjalët më prekëse erdhën nga rivalët më të mëdhenj të biznesit, njerëzit që e kanë admiruar atë si konkurrent dhe njeri. Bill Gates, themeluesi i kompanisë rivale “Microsoft” dhe mik i Jobs tha: “Bota rrallëherë mund të shohë dikë që të ketë ndikimin e thellë që pati Steve, efektet e të cilit do të ndjehet për shumë breza që do të vijnë”. Themeluesi i “Facebook”, Mark Zuckerberg, tha: “Steve, faleminderit që u tregove mik dhe mentor. Faleminderit që tregove se ajo që ndërton mund të ndryshojë botën”. Presidenti Barak Obama tha: “Ai transformoi jetët tona, ripërkufizoi të gjithë industrinë dhe arriti një nga sukseset më të rralla në historinë e njerëzimit: Ai ndryshoi mënyrën se si secili nga ne e sheh botën”. Steve Case, themeluesi i “AOL” tha: “Ndjehem i nderuar që e kam njohur Steve Jobs. Ai ishte sipërmarrësi më inovator i gjeneratës sonë”. Presidenti rus Dimitri Medvedev tha se “njerëz si Steve Jobs ndryshojnë botën tonë. Ngushëllimet e mia të sinqerta për të dashurit e tij dhe të gjithë që admiruan intelektin dhe talentin  tij”. Steven Spielberg, regjisor dhe producenti i njohur tha se “Steve Jobs ishte shpikësi më i madh që nga Thomas Edison. Ai vuri botën në majat e gishtave tanë”. Në Tokio njerëzit vendosën grafikë qirinjsh në  “iPad”-ët dhe “iPhone”-ët në dyqanet “Ginza”. Në Malajzi njerëzit shkruan mesazhe ngushëllimi në një mur memorial në dyqanet e kompanisë në Kuala Lumpur. Steve Jobs, si drejtues i kompanisë ka fituar vetëm 1 dollar në vit, por ai kishte 5426 milionë aksione të “Apple” si dhe 138 milionë aksione në “Disney”. Pasuria e tij vlerësohet më shumë se 8 miliardë dollarë.

56 vjeç u nda nga jeta shpikësi i madh i teknologjisë, Steve Jobs, i cili vuajti tetë vitet e fundit nga sëmundja e rëndë, por sërish edhe gjatë kësaj kohe paraqiti teknologjinë më inovative në botë.

Iku gjashtë javë pas dorëheqjes
Vdekja e tij ndodhi gjashtë javë pasi shëndeti i tij i lig e detyroi të japë dorëheqjen dhe t’ia besojë kompaninë Tim Cook, i cili prezantoi një ditë më parë gjeneratën e re të “iPhone”. Fakti se “Apple” sillte gjithnjë risi i atribuohet Jobs dhe teknikave inovative të tij, të cilat kishin po aq peshë sa vizioni i tij i magjishëm. Edhe kur u largua nga kompania për dy vjet për arsye shëndetësore, ai qëndroi gjithnjë në kontakt me titullarët. Në atë kohë ai mezi ecte dhe fotografët komentuan se do t’i mbesnin edhe pak javë jetë. Por ai u rikthye në detyrë, duke paraqitur gjeneratën e dytë të “iPad” dhe duke u takuar me Presidentin Barak Obama për të diskutuar të ardhmen e industrisë teknologjike. Jobs i mbijetoi operacionit pas heqjes së një tumori në pankreas në 2004 dhe një transplantimi mëlçie në 2009. Dy vjet pas kësaj ai u nda nga jeta.

Pak nga jeta e budistit Steve Jobs: Marrëdhënia e munguar me të atin dhe kërkesa për perfeksion
I lindur në San Francisco, Steve Jobs, i cili ishte i adoptuar, braktisi universitetin pas një semestri dhe i vetëm nisi punën për kompjuterin e tij të parë për të mbledhur para e për të shkuar në një trajtim shpirtëror në Indi. Ai u kthye në budist me kokën e tij të rruar dhe pranoi se kishte eksperimentuar me LSD, duke e quajtur eksperiencën e tij me drogën “një nga dy apo tri gjërat më të rëndësishme” që ai kishte bërë në jetë. Kur u kthye në Kaliforni, ai nisi të punojë për një firmë kompjuterësh, “Atari”, përpara se të themelonte “Apple” në garazhin e tij, në vitin 1976, bashkë me miqtë Steve Uozniak, Ronald Uayne and Mike Makkula. Pas një “lufte” fuqie në 1985, ai la “Apple” për t’u rikthyer vetëm pas 11 vitesh për të lançuar zhvillimin e jashtëzakonshëm të kompanisë në 14 vitet e fundit. Ai krijoi një atmosferë grupi dhe unifikimi në staf, ndërsa njëkohësisht kërkonte vetëm më të mirën. Të punësuarit e tij e shihnin si një mesia, por edhe i druheshin. Por, jeta personale ishte pak e koklavitur. Ai nuk e ka njohur të atin e tij biologjik, i cili ishte një student nga Siria dhe nëna e tij, në atë kohë studente, e kishte dhënë për adoptim. Gjatë shkollës së mesme ai pranoi se kishte një fëmijë ilegjitim (Lisa Brennan Jobs, në 1978), me një studente dhe thuhet se ka pasur lidhje me disa yje të kinemasë, informacion të cilin fansat e tij e quajnë trillim. Jobs u martua me gruan e tij, Laurene Pouell, në një ceremoni të vogël në “Yosemite National Park” në 1991, jetuan në Uoodside, Kaliforni, dhe kanë tre fëmijë: Reed Paul; Erin Sienna dhe Eve.

Berisha: Steve Jobs e takova që me “Apple 2” në komunizëm
Ndarjes nga jeta të bashkëthemeluesit të “Apple” iu kushtua një rëndësi e madhe dje nga klasa politike në Tiranë. Kryeministri Berisha, duke folur në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, shprehu keqardhjen për ndarjen nga jeta të Steve Jobs, bashkëthemeluesit të “Apple”, duke e cilësuar atë “pararendës gjenial i së ardhmes”, i cili ndryshoi “më shumë se kushdo jetën e miliarda qytetarëve të planetit”. Më tej, Kryeministri u shpreh: “Sot, kombi amerikan, njerëzimi dhe bota u zgjuan më të vegjël. Kjo sepse Steve Jobs, njeriu që ndryshoi më shumë se kushdo tjetër kohën e tij, jetën tonë, jetën e miliarda qytetarëve të planetit, nuk është më. Pararendës gjenial i së ardhmes, ai solli në duart tona vizionin, ëndrrën e tij mahnitëse dhe i bëri të vërteta për ne të gjithë”. “Unë jam një ndër ata që e ‘takova’ Steve Jobs në rininë time; natyrisht, jo vetë atë, por krijesën e tij të parë dhe për rastësi, unë jam një ndër ata që i detyrohem më shumë se të tjerët atij. Unë pata fatin të ‘takohem’ me ‘Mollën e dytë’ (Apple 2), në vitet e errësirës më të madhe të vendit tim. Në laboratorin tim të hemodinamikës, me ekipin që drejtoja, me ndihmën e ‘Mollës së tij të parë’, mundëm të realizojmë studime origjinale që u botuan në revistat e kardiologjisë më serioze në mbarë botën”, u shpreh Kryeministri Berisha.  Edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha gjatë seancës: “Apple sot ka humbur gjeniun që e krijoi. Bota ka humbur vizionarin më të dashur. Sot jemi zgjuar me një lajm të trishtueshëm. Steve Jobs nuk është më. Apple sot ka humbur gjeniun që e krijoi. Bota ka humbur vizionarin më të dashur. Të rinjtë sot kanë humbur inspiruesin e tyre”. Dje, në hyrjen kryesore të Kuvendit, në një stendë, ishe vendosur një foto e madhe e Steve Jobs dhe disa qirinj të ndezur.

© Panorama.al

Te lidhura