Përcillet baba Reshat Bardhi, ditë zie kombëtare

Apr 2, 2011 | 13:39

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka shpallur diten e sotme, “Ditë Zie Kombëtare”, në nderim të udhëheqësit shpirtëror të bektashizmit, Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Reshat Bardhi. Me nje vendim te posacem, qeveria kërkoi nga të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtizë, dhe në orën 12.00 të mbahet një minutë heshtje.

Nderkaq, axhenda e ceremonise percjellese te kryetarit te kryegjyshates nis ne oren 10.00 e deri në orën 12.00 me homazhet në Pallatin e Kongreseve. Ne oren 13. 30 do të bëhet varrimi në mjediset e Kryegjyshatës Botërore sipas rregullave fetare.

Baba Reshat Bardhi u nda nga jeeta mesditen e se shtunes. Kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane ka ndërruar jetë në moshën 76 vjecare pas problemeve të rënduara shëndetësore. I njohur gjerësisht për rolin e dorës së parë në ruajtjen e mardhënieve tradicionalisht të mira midis komuniteteve e besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri, ai ka vlerësuar e parë tolerancën fetare si domosdoshmëri jetike dhe porsi hyjnore.

Haxhi Dede Reshat Bardhi lindi më 4 mars të vitit 1935 në fshatin Lusëm të Kukësit dhe mësimet e para fetare i ka marrë tek hoxha i fshatit. Më pas ka ndjekur një kurs formimi në Medrese të Tiranës. Më 1954 u dorëzua dervish tek Kryegjyshi Botëror i asaj kohe, Dede Ahmet Ahmataj. Gjatë viteve 1958 – 1967 ka qënë i internuar së bashku me Dede Ahmetin në Drizar të Mallakastrës. Pas viteve 1967 ka punuar për 23 vjet me radhë, punëtor në Ndërrmarjen Bujqësore „Gjergj Dimitrov“ në Tiranë.

Veprimtaria

Më 1991, bën peligrinazhin tradicional islamik në qytetin e shenjtë të Mekës dhe fiton titullin Haxhi. Po atë vit, me ndihmën dhe bashkëpunimin e Nënë Terezës, rihap Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Më 20 korrik 1993 organizon dhe drejton Kongresin e Gjashtë bektashian, ku shpallet Kryegjysh Botëror i Bektashinjve. Shtatë vjet më vonë, në shtator të vitit 2000, organizon Kongresin e Shtatë të bektashizmit dhe shtator 2005, Kongresin e tetë bektashian. Këto 14 vjetët e fundit pas përmbysjes së regjimit komunist, nën kujdesin personal të Dede Reshatit janë hapur e vënë në shërbim të besimtarëve bektashianë rreth 120 objekte kulti, duke realizuar kështu një ringjallje të vërtetë e të fuqishme të besimit bektashian në vendin tonë. Ka marrë pjesë aktive në konferenca e takime ndërkombëtare kushtuar problemeve të mprehta të kohës, si në Gjermani, Itali, Iran, Turqi, Azerbaixhan, Maqedoni, Kosovë etj.

Vlerësimet

Ai është nderuar me titullin “Pishtar i Demokracisë”, është vlerësuar edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh Bush, në lidhje me qëndrimin e prerë kundër aktit barbar të 11 shtatorit 200 , është nderuar edhe nga Papa Gjon Pali i II gjatë Konferencës Botërore për një dialog ndërkombëtar për të mirën e Paqes. Në këto vite është nderuar në vendin tonë me tituj të ndryshëm si: Qytetar Nderi i Qarkut të Beratit, Kukësit, të Krujës, të Bulqizës, të Martaneshit dhe në mars të vitit 2005, me rastin e 70 vjetorit të ditëlindjes nga Presidenti i Republikës iu dha Urdhëri “Naim Frashëri”,i Artë.

© Panorama.al

Te lidhura