NATO ndërton korridor ujor për tregtinë e rebelëve

Apr 16, 2011 | 13:41

NATO po konsideron krijimin e një korridori detar, të mbështetur nga anije, për të mundësuar kalimin e anijeve të tjera tregtare, që të lulëzojnë tregtinë me rebelët libianë dhe të përshpejtojnë ndihmat humanitare.Gjatë javëve të fundit tregtia detare në Libi ka qenë mjaft e vakët, për shkak të luftimeve mes rebelëve dhe forcave të Gedafit si dhe sanksioneve të vendosura nga OKB-ja. NATO ka vendosur embargon e armëve vetëm në ujërat ndërkombëtare. Anijet tregtare përballen me rrezikun e sulmit brenda ujërave libiane. Kështu u mendua formimi i një itinerari të sigurt për anijet, ku NATO do të jetë në gjendje t’i mbrojë ato derisa të hyjnë në port. Forcat e Gedafit po vazhdojnë sulmin e tyre në Misrata, ku po përdorin edhe bomba thërrmuese, të ndaluara në pjesën më të madhe të botës. Ndërkohë, NATO-ja ka kërkuar më shumë mjete bombardimi për të vazhduar me më shumë fuqi misionin e saj në Libi. Aleanca është kritikuar për një përgjigje të ngadaltë ndaj sulmeve të forcave të Gedafit në qytet e rebelëve, sidomos, Misrata, i vetmi qytet perëndimor në duart e rebelëve dhe opozitës. Krerët e vendeve më të fuqishme perëndimore kanë kërkuar menjëherë largimin e Gedafit nga pushteti, pasi, “nëse ai qëndron, nuk mund të ketë paqe”. Ministri Francez i Mbrojtjes deklaroi se vendi i tij do të lobojë në Këshillin e Sigurisë së OKB-së për të miratuar një rezolutë të re. Gerard Longuet e bëri këtë deklaratë pas publikimit të një letre të përbashkët të nënshkruar nga liderët amerikanë, francezë dhe britanikë, ku shkruhet se “nuk mund të nënshkruhet asnjë paqe me kolonel Muamar Gedafin në pushtet”. Teksti i rezolutës së re pritet të prekë edhe ndërhyrjen e NATO-s për rrëzimin e Gedafit. Rezoluta aktuale e lejon NATO-n të ndërhyjë vetëm për të mbrojtur jetën e civilëve, por nuk ka asnjë klauzolë për ndryshimin e regjimit. Organizatat ndërkombëtare po takohen shpesh gjatë javëve të fundit për të gjetur një gjuhë të përbashkët për përgjigjen që duhet t’i japin Muamar Gedafit dhe forcave të tij, por thirrjet e shumta nga Franca dhe Britania kanë hasur në rezistencën e partnerit të tyre më të fortë në BE, Gjermanisë, e cila është pozicionuar fort kundër ndërhyrjes ushtarake në Libi. Edhe Rusia po e shfrytëzon mirë këtë situatë për të dënuar politikat e Perëndimit.

© Panorama.al

Te lidhura