Narkotrafiku, 1.6 vjet burg turkut të arratisur

Nov 4, 2011 | 9:59

Gjykata e Tiranës dënoi me një vit e 6 muaj burg, në mungesë shtetasin turk, Abdulselam Turgut, i shumëkërkuar ndër-kombëtar.

Gjykata e Apelit në Tiranë

Ai u arratis pa lënë gjurmë në mars të këtij viti nga një apartament te Kthesa e Kamzës, ku duhet të qëndronte në masën e sigurisë “arrest shtëpiak”. Një vendim i shpallur pak ditë më parë nga gjyqtarja Antonela Prendi, deklaroi të fajshëm turkun Turgut, i dyshuari si “bos” i narkotrafikut të heroinës, për akuzën e “largimit të të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Turku u arratis në mars, një muaj pasi ishte arrestuar në Aeroportin e Rinasit për llogari të Drejtësisë Gjermane, ku akuzohej për trafikun e një toni heroinë në vitin 2009. “Surpriza” e largimit të turkut u mësua më 28 mars, kur ai nuk u gjend në banesën e caktuar nga Gjykata e Apelit për qëndrimin në arrest shtëpie. Oficerët e Policisë Gjyqësore shkuan të njoftonin turkun të paraqitej në prokurori, ku do t’i merrej pëlqim nëse donte të ekstradohej në Gjermani apo jo. “Organi i akuzës, në kuadër të procedurave të ekstradimit të të pandehurit, ka urdhëruar paraqitjen e tij në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, por nga verifikimet e realizuara nga oficerët e Policisë Gjyqësore në ambientet e vendqëndrimit të të pandehurit sipas procesverbalit dt. 29.03.2011, është konstatuar se i pandehuri nuk ndodhej atje i izoluar”, thuhej në vendimin e gjykatës. Referuar arsyetimit të vendimit të gjykatës, arratia e turkut nuk ishte e vetmja thyerje e masës së sigurisë “arrest shtëpie”, caktuar nga Gjykata e Apelit të Tiranës ndaj tij. Sipas vendimit, edhe para se të largohej pa gjurmë, turku Turgut nuk kishte qëndruar në adresën që i kishte dhënë gjykatës. “Nga raport shërbimi datë 30.03.2011 i kryeinspektorit të zonës, provohet se i pandehuri Abdulselam Turgut, gjatë periudhës 08.03.2011- 17.03.2011, ka qëndruar në hotelin ‘P…’, i ndodhur te Kthesa e Kamzës. Rezulton se koha kur janë kryer verifikimet nga oficerët e Policisë Gjyqësore dhe kohëqëndrimi i të pandehurit në hotel ‘P…’ i përket periudhës 40-ditore, që sipas vendimit të Gjykatës se Apelit Tiranë, i pandehuri Abdulselam Turgut duhet të qëndronte në arrest shtëpie”, arsyetohej në vendim.
KRONOLOGJIA
Abdulselam Turgut u arrestua më 18 mars 2011, rreth orës 15:00, në Aeroportin e Rinasit, pasi nga verifikimet e kryera në sistemin e Interpolit ai figuronte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar me qëllim ekstradimi në Gjermani, ku akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike. Dy ditë pas arrestimit ai u dërgua në Gjykatën e Tiranës, e cila vendosi ndaj tij masën e përkohshme të sigurimit arrest me burg, me afat 40 ditë, për efekt ekstradimi drejt Gjermanisë. Dy javë më pas, më 4 mars 2011, një vendim i Gjykatës së Apelit e liroi nga qelia të dyshuarin Turgut, duke e ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpiak” me afat 40-ditor.

Armand Bajrami

© Panorama.al

Te lidhura