Ndonëse trioja e sulmit e përbërë nga Hamshik, Kavani dhe Laveci do udhëheqë sulmin edhe të martën në Ligën e Kampioneve, trajneri Valter Maaxrri e sheh defektin më të madh të skuadrës së tij në repartin e mesfushës. Nesër në stadiumin “San Paolo” do të vijë Bajerni i Mynihut, i cili do kërkojë të mbyllë çështjen e kualifikimit për në fazën e 1/8 të Champions-it, duke marrë fitoren e tretë radhazi në grup. Por Valter Maxarri e ka studiuar shumë kundërshtarin në pritje të kësaj përballjeje vendimtare edhe për napolitanët, ndaj ndryshimet në këtë skuadër pritet të jenë rrënjësore në mesfushë. Trajneri ka lënë Garganon dhe Dosenën pas ndeshjes me Parmën, ndaj ai që do të marrë çelësat e mesfushës kundër bavarezëve do jetë Xhemaili. Futbollisti me origjinë shqiptare do zëvendësojë Garganon në qendër, për t’i dhënë më shumë forcë dhe njëkohësisht fantazi manovrës së Napolit.











