TIRANE – Prokuroria u ka njoftuar akuzat pesë punonjësve të sektorit të Antikontrabandës në Drejtorinë e Doganave në Fier dhe në Vlorë. Sipas Prokurorisë, pesë doganierët akuzohen se kanë kryer veprat penale shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi në lidhje me tri ngarkesa me naftë “Virgin” (e pa përpunuar), e cila është deklaruar me dokumente false si e kaluar në doganën e Vlorë, por në fakt nuk ka kaluar fare aty. Sipas Prokurorisë, shoqëria “Euroil” sh.a. ka përfituar rimbursim të TVSH-së në mënyrë të padrejtë, pasi dyshohet të ketë falsifikuar dokumente, duke pasqyruar një sasi të konsiderueshme nafte “Virgin” si të eksportuar në mënyrë fiktive dhe duke e shitur këtë sasi në tregun e brendshëm. Nga hetimet mësohet se sasia e naftës “Virgin”, e blerë prej shoqërisë “Euroil” sh.a. nga shitësi shoqëria “Armo” sh.a., është shumë më e vogël nga ajo e dy deklaratave doganore për praktikat e datave 10 dhe 28 shkurt 2009, të cilat pasqyrojnë sasinë 17 mijë tonë, ndërkohë që nga aktet e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, sasia që figuronte gjendje në depot e “Euroil”, e deklaruar prej kësaj të fundit në tatime, është vetëm 3681,2 tonë. Sipas akuzës, krijimi i dy praktikave doganore, që pasqyronin të dhëna të rreme, të sipërpërmendura nga shoqëria “Euroil”, i ka shërbyer këtij subjekti të përfitonte rimbursimin e paligjshëm të TVSH-së. “Euroil” sh.a është provuar se ka pasur detyrimin të eksportonte jashtë vendit nënproduktin “Virgin nafta”, por nga shkresat e DPD, datë 28.12.2010 dhe atyre të tërhequra nga dogana, në lidhje me ngarkesat e anijeve “Rita S” dhe “Calitea”, rezulton se nafta “Virgin” nuk është eksportuar, por dokumentacioni i shoqërisë “Euroil” përmban të dhëna të rreme. Pesë punonjës të Antikontrabandës rezultuan se kanë qenë në dijeni, por nuk kanë vepruar dhe as nuk kanë raportuar. Ata mësohet se kanë punuar në periudha të shkurtra në Vlorë dhe më pas janë transferuar në rrethe të tjera.











