Ditëve të fundit, çmimet e karburanteve kanë pasur një tendencë rritëse. Dje nafta arriti rekordin prej 183 lekësh për litër, kurse benzina vetëm një lekë më shumë, 184 lekë për litër. Në fakt, tendenca rritëse e çmimit ka rreth dy javë që ka filluar në pika të ndryshme të shitjes së karburanteve. Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Viktor Nushi, i pyetur nga gazeta, komentoi se kjo rritje nuk është e lartë dhe ka ndodhur vetëm për një pjesë të pikave të karburantit si efekt i ndryshimeve fiskale të bëra nga qeveria. Këto ndryshime nuk janë pasqyruar më herët te një pjesë e kompanive, sepse ato kanë vijuar të operojnë me depozitat e karburantit ku taksa e re e qarkullimit nuk ishte përfshirë (5 lekë për litër). “Ne nuk kemi vënë re ndonjë rritje në masë. Nëse ka ndodhur për një apo disa pika karburanti, kjo ka ndodhur pasi efektet e ndryshimeve fiskale për këta importues janë ndjerë në ngarkesat e tanishme, pasi më herët kanë pasur depozitat. Ndërkohë që rritja nga ndonjë kompani mund të jetë dhe efekt i bursës, e cila në ditë të ndryshme ka vlera të ndryshme”, tha Nushi. Sipas tij, rrija tjetër te karburantet do të bëhet në janar të vitit të ardhshëm, kur taksa e qarkullimit do të bëhet 7 lekë për litër, kurse bashkë me TVSH-në do të jetë 8.5 lekë për litër. Aktualisht taksa e qarkullimit që vilet nga karburantet është 5 lekë për litër, ndërsa bashkë me TVSH-në, 6 lekë për litër. Gjatë vitit 2011 çmimet e karburanteve janë shquar për luhatje të vazhdueshme dhe në pjesën e parë të vitit kjo iu faturua bursës.
Bursa e Londrës, 1 fuçi 111 dollarë
Importuesit shqiptarë të karburanteve në përgjithësi orientohen për blerjet sipas ecurisë së bursës së Londrës. Ditëve të fundit edhe kjo bursë ka pasur një luhatje në çmimin e naftës, por këto luhatje kanë qenë të kontrolluara. Ditën e djeshme një fuçi naftë u shit me 111 dollarë, ndërsa krahasuar me një ditë më parë, çmimi kishte pësuar një ulje me 0.7 dollarë. Ndërkohë që sipas bursës së Nju Jorkut, çmimi i karburanteve ka vijuar të mbetet i stabilizuar në nivelin 86 dollarë për fuçi. Në të dyja bursat çmimet kanë pësuar rritje gjatë ditëve të fundit, por ndërsa për SHBA-të rritja ka qenë e moderuar, për Londrën rritja ka qenë pak më shumë. Diferencat në çmimet për fuçi janë të dukshme.











