
Një prej protagonisteve kryesore të gjyqit famëkeq të Baldushkut tregon pas 36 vitesh versionin e saj të ngjarjeve. E cilësuar si pjesë e grupit armiqësor, që “helmoi” me zhivë termometri 100 krerë lopë, në nëntor të 1975-s, Nadire Shima rrëfen që nga hetuesia, tek vuajtjet në kampin e internimit, dhe humbjen dramatike të së motrës 28-vjeçare.
Ka “braktisur” fshatin e lindjes, Baldushkun, dhe prej vitesh jeton në Prush të Tiranës. Motivi duket të jetë më i fortë se vetë e kaluara e saj. Martesa me bashkëshortin, Aliun, disa kohë pas daljes nga kampi i Lushnjës, lindja e dy fëmijëve, një djali dhe një vajze, janë prej gati 20 vitesh jeta e re e Nadire Shimës. Ngjan se fshati në periferi të kryeqytetit mbart në vetvete po kaq histori të rralla njerëzore, sa edhe shtrirjet e reja demografike në të. Takimi me Nadiren do të ishe mbresëlënës, jo vetëm për motivin e fortë të trokitjes në derën e shtëpisë së saj njëkatëshe, ishte më shumë se kaq. Jeta tipike me erë fshati për gruan shtëpiake nuk është mundim i madh, po aq sa edhe kujdesi për rritjen dhe mirëmbajtjen e tri lopëve, të cilat janë angazhimi i ditës për të. Prodhimet e qumështit, sigurisht që janë konsumi i ditës për katër pjesëtarët e familjes, shpesh edhe orvatje të mundimshme me efekt tregtie. Pikërisht lopët na kanë çuar në fshatin Prush. Të kuptohemi, jo lopët e Nadires, por ato që përbëjnë gjenezën e historisë së dhimbshme të së kaluarës të 52-vjeçares.
Banorët e fshatit Baldushk nuk e kishin menduar ndonjëherë se do të tërhiqnin aq shumë vëmendje mbi vete, derisa u përballën me “thagmën” e sabotimit ekonomik. Ngordhja e 100 krerëve lopë në kooperativën bujqësore të fshatit ngriti në këmbë Ministrinë e Bujqësisë dhe anëtarët e Byrosë Politike. Pas analizave laboratorike, që rezultuan si “helmim” i bagëtive me zhivë termometri, pra e gjithë ngjarja u konsiderua si diversion kundër pushtetit popullor, e iniciuar nga një grup armiqësor, dënimi i të cilëve pasoi me dy pushkatime të bujshme dhe 115 vite burg për gjashtë persona të tjerë. Përfshirja e dy motrave, Emine dhe Nadire Shima, njëra infermiere e tjetra stalliere në këtë fermë, do të çonte edhe në arrestimin e tyre. Që nga 15 muaj tortura çnjerëzore, deri tek kërcënimet dhe traumat psikike përmes kufomave të shfaqura si shembuj të fundit tragjik. Pas hetuesisë, nuk vonoi dënimi me nga 14 dhe 15 vjet heqje lirie në kampin e Kosovës në Lushnjë. Ditët e vështira, puna e krahut e deri vdekja e motrës së madhe Emine Shima, për shkaqe të cilësuara “natyrale” nga infermieret e kampit. Do të ishin këto traumat e radhës për motrën e vogël të familjes Shima. Ajo rrëfen për suplementin “Unë Gruaja” ngjarjen që bëri bujë në vitin 1975, si i arrestuan të motrën një javë përpara dasmës, fundi tragjik i Eminesë, drama e jetës për 15 vjet në kampin e internimit dhe nostalgjia për rininë e humbur.
Zonja Shima, ju keni qenë një nga protagonistet e gjyqit famëkeq të Baldushkut, si u përfshitë në të?

Bëhet fjalë për muajin nëntor të vitit 1975. Unë isha 19 vjeçe, ndërsa ime motër, Emineja, ishte 21. Punoja si stalliere në kooperativën bujqësore të fshatit Baldushk, milja lopët dhe kujdesesha për to. Ndërsa motra, meqenëse kishte mbaruar shkollën profesionale për infermieri, punonte në zanatin e saj në të njëjtën kooperativë dhe në familjet e fshatit. Si zakonisht, atë mëngjes shkoj në stallë për të nisur punën, dhe shoh që lopët nuk nxirrnin qumësht. Gjatë natës, roja i stallës kishte konstatuar që disa prej këtyre krerëve, racë importi e ardhur nga Holanda, kryesisht laramane dhe mëshqerra, kishin këputur zinxhirët dhe ishin harbuar në stallë. Kishin dalë në fushë, duke humbur krejtësisht kontrollin.
Ç’kishte ngjarë?
Për një moment u tremba dhe nisa të mendoja se diçka e paparashikuar do të ndodhte. Ishte gjithçka kaq e papritur. Gjatë së njëjtës natë, mësova se dy prej lopëve të sëmura u ishte bërë ekzaminimi nga mjekët veterinerë dhe ato kishin rezultuar të prekura nga sindroma e “lopës së çmendur”. Mandej i kishin therur dhe i kishin lënë po aty. Kur shkova në mëngjes, pashë lopët e therura në hyrje të fermës. Duke pyetur rrotull se si kishte ndodhur kjo ngjarje, po bisedoja me një shoqen time, me të cilën ndaja punën çdo ditë dhe ajo më pohoi që lopët që ishin therur, nuk ishin sëmurë, por ato ishin helmuar me zhivë termometri. Në habi e sipër, unë ia kthej se për të helmuar aq shumë lopë, duheshin mbi 100 termometra, ndërkohë që për kohën ishte e pamundur të gjeje qoftë edhe një termometër në shtëpitë e shqiptarëve, të atilla ishin kushtet. Pas kësaj fraze që unë kisha nxjerrë nga goja, të nesërmen mbërrijnë disa njerëz të Sigurimit dhe më arrestojnë. Më mbajnë tri ditë, duke më pyetur për gjithçka kisha dijeni, për punën time, për çfarë dija rreth lopëve të sëmura dhe atyre të therura. Kërkonin emra konkretë. Pas tri ditësh më lirojnë dhe unë menjëherë shkoj në stallë, po në vendin tim të punës. Më thanë se një natë më parë, aty kishin ngordhur plot 100 krerë lopë të tjera.
Një ngjarje e tillë s’mund të kalonte pa u vënë re, ç’reagime pati nga organet e pushtetit?

E gjithë kjo situatë shkaktoi bujë të madhe. Jo vetëm në radhët e veterinarisë së fshatit dhe infermierëve, por më shumë se kaq. Lajmi ngriti në këmbë Ministrinë e Bujqësisë së asaj kohe dhe krerët e Byrosë Politikë. Kujtoj që gjatë mesditës të së nesërmes, pas ngjarjes, erdhën në fermë Manush Myftiu, sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Tiranës dhe anëtar i Byrosë Politike, Pirro Dodbiba, ministër i Bujqësisë dhe Ndue Marashi, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Komitetit të Partisë së Rrethit Tiranë. Ky i fundit vrau veten një muaj pas gjyqit që u cilësua si “i Baldushkut”. Kam mësuar se sipas një qarkoreje të brendshme që qarkullonte brenda partisë shtet, kishte nisur të studiohej veprimtaria e tij armiqësore. Një muaj pas ngjarjes, në dhjetor të vitit 1975, Ndue Marashi gjendet i vdekur me një plumb në kokë dhe gjithçka u përfol si një vetëvrasje. Nga mënyra si u prezantua ngjarja, pas ekzaminimeve dhe pas analizave laboratorike që për mendimin tim u manipuluan, u ngrit akuza se grupi i ashtuquajtur “sabotator i ekonomisë së vendit” ka helmuar lopët me zhivë termometri të shpërndarë në ujë dhe në ushqimin e fermentuar të tyre. Kjo çoi në ngordhjen dhe therjen e 100 krerëve lopë. Akuza e rëndë, e cilësuar si “diversion kundër pushtetit popullor dhe agjitacion e propagandë”, do të na riçonte shumë shpejt në pranga mua dhe time motër.
Çfarë analizash u kryen dhe ku?

Sipas dosjes që na prezantuan në hetuesi edhe gjatë daljes në gjyq, përpara dhënies së vendimit të burgimit, ishin kryer analiza të hollësishme të mbetjeve ushqimore që ishin gjetur në aparatin tretës të këtyre lopëve të sëmura gati në gjendje komatoze. Disa prej këtyre analizave laboratorike i kishin çuar edhe në një klinikë kimike kineze në Tiranë, për një ekzaminim më të hollësishëm të gjakut të lopëve apo kampionëve të urinës së tyre. Dhe analizat janë kryer njëkohësisht në tre laboratorë të ndryshëm dhe rezultoi që në aparatin tretës të lopëve ishin gjetur mbetje fosforike të zhivës së termometrit. Gjithmonë sipas teorisë së tyre, ndërkohë që e gjithë tufa e lopëve që ngordhi ishin të ardhura nga jashtë shtetit, ato kishin shfaqur shenja jo normale që në kohën kur u vendosën në stallë. Ishin të egërsuara dhe të pabindura e, për më tepër, fakti që roja atë natë kishte konstatuar që disa prej tyre kishin këputur zinxhirët dhe kishin dalë nga stalla, kishte të bënte me sindromën e “lopës së çmendur”. Besoj se moslajmërimi në kohë i veterinerëve, për të bërë të mundur vaksinimin e tyre, çoi edhe në ngordhjen e lopëve, por helmim nuk ka pasur asnjëherë. Pasi u vërtetuan akuzat, më arrestojnë mua, motrën time Eminen, e cila punonte si infermiere në fshat dhe shpeshherë si ndihmësmami.
Po motra juaj, nuk punonte në stallë, ç’lidhje kishte ajo me gjithë këtë histori?
Time motër e arrestuan, sepse kohët e fundit kishin ndodhur disa vdekje të foshnjave në fshat, çka bëri të pretendohej se ato mbyteshin që në bark të nënës me zhivë termometri nga nënat dhe nga mamia. E duke qenë se përdorimi i zhivës përkonte edhe me helmimin e pretenduar të lopëve, iu vunë prangat edhe asaj. U arrestuan kryebrigadieri, veterinerë dhe punëtore të tjerë të stallës, me akuzën e “diversionit të rrezikshëm kundër pushtetit popullor dhe agjitacion e propagandë”. Gjithsej u arrestuan tetë veta, dy prej të cilëve u pushkatuan.
Ku ishit kur erdhën t’ju arrestonin?
Atë ditë isha duke punuar në fushë, sepse stalla ishte mbyllur për shkak të ekzaminimeve që bëheshin pas ngordhjes së tufës së lopëve. Ndihej që situata ziente orë pas ore, por duke qenë e papërfshirë në atë ngjarje, bëja punën time të përditshme. Rreth mesditës vjen një makinë me njerëz të Sigurimit dhe më komunikojnë që isha e arrestuar si pjesë e grupit armiqësor të Baldushkut. Më hipën në makinë, ashtu siç isha veshur, me rrobat e trupit. Ndërsa motrën, me sa më tregoi ajo rrugës, e kishin arrestuar në qendrën shëndetësore të fshatit, ku edhe punonte. Minia, siç e thërrisja unë motrën, kishte prerë ditën e martesës, dhe pas një jave do të bënim dasmën. Gjithçka ishte kaq e trishtueshme…
Cilët ishin pjesëtarët e tjerë të grupit tuaj “armiqësor”?
Mbaj mend që janë pushkatuar Rifat Daja, ndihmësmjek, i cilësuar si “koka” e grupit armiqësor të Baldushkut, dhe Nuri Allmuça me profesion infermier. Të dy u pushkatuan pa gjyq. Ndërsa për mua, time motër dhe katër të tjerët nisi kalvari i gjatë i përplasjeve nëpër dyert e hetuesisë dhe dalja në gjyq, deri në marrjen e masës së dënimit.
Si zhvillohej procesi hetimor?
Nuk mund t’i harroj dot 15 muajt në dyert e hetuesisë. Shumicën e kohës kisha hekurat në duar dhe më ndodhte shpesh, në mënyrë të përsëritur, që në orën 01:00 të natës më merrnin xhelatët dhe më nxirrnin në oborr të hetuesisë. Më shfaqnin përpara syve kufoma njerëzish të torturuar dhe më kërcënonin se, nëse nuk do të tregoja të vërtetën e ngjarjes dhe emra konkretë, do të pësoja fatin e tyre. Shpesh humbisja ndjenjat, sepse ishin vërtet çaste të frikshme të shihje me sy njerëz të vdekur e të gjymtuar. Mbaj mend një herë ndër ato ditë torturash sfilitëse se më ishte tharë buza për një pikë ujë. Hetuesi kishte një shishe përpara dhe më bënte karshillëk. I kërkova një pikë dhe ma ktheu se nuk e meritoja, sepse nuk kisha bashkëpunuar me ta. Nisi të pinte vetë, dhe në momentin që unë ia ktheva ashpër duke i thënë se ata nuk ishin njerëz por kafshë, xhelati që kisha ngjitur, nisi të më rrihte aq keq, sa për një muaj rresht veshi im i majtë mblodhi qelb nga të goditurat. Sot këtë vesh e kam të dëmtuar. Pas gjashtë muajsh tortura çnjerëzore, vendosa të pranoja. Vuajtjet dhe dhimbja po më mposhtnin çdo ditë. Gjatë kësaj kohe nuk kisha pasur asnjë kontakt me motrën, nuk e dija ku ndodhej. Vetëm ditën kur dola në gjyq, u përballa me Minen. Ime motër ishte transformuar gati në një kufomë. Ishte zverdhur e dobësuar shumë. Pasi na lexuan dosjen dhe faktin që akuzoheshim për helmimin e 100 krerëve lopë në kooperativën bujqësore të fshatit Baldushk, na u dha masa e dënimit: unë 14 vjet, ndërsa ime motër 15 internim. Në fillim të vitit 1977 do të niste edhe vuajtja jonë në kampin e Kosovës në Lushnjë.
Si ishte dita juaj e parë në kamp?
Atë ditë udhëtuam në të njëjtën makinë me motrën. Dridhesha dhe lotët nuk më pushonin. Pas disa orëve udhëtim, mbërrijmë në derën e kampit dhe nuk kam për ta harruar kurrë atë imazh që më ka mbetur në mendje. Njerëz, kryesisht gra që ishin vendosur në dy rreshta, të veshura të gjithë me uniformën e bardhë të kampit që ktheheshin nga puna nëpër fusha. Fytyra të rraskapitura, të vuajtura dhe njerëz që mezi mbaheshin në këmbë. U futëm edhe unë me motrën aty. Na treguan vendet e fjetjes, ato ishin kapanone dhe shtretër tipikë ushtarësh, me kate. Pas gjithë këtyre emocioneve negative, di që kam humbur ndjenjat dhe jam përmendur të nesërmen.
Ç’regjim ndiqnin të dënuarit, po ju ç’punë bënit?
Në orën shtatë të mëngjesit bëhej apeli i parë dhe ne duhet të ishim zgjuar. Pasi merrnim atë racionin e përditshëm të 200 gramëve bukë, niseshim për në punë. Udhëtonim gati tri orë në këmbë deri në vendet e punës. Sigurisht që bënim punë krahu tepër të lodhshme. Punoja tokat me bel, bënim kanalet e thella të gazit të Metalurgjikut, që shkonin deri në kufij me Elbasanin. Kanale super të thella, të cilat i hapnim me krahë. Në ditë të caktuara bënim edhe tela me gjemba, të cilat i punonim me pincë e me dorë dhe këto ishin blloqe të mëdha telash që viheshin në kufij, për të mbrojtur atdheun nga hyrjet e jashtme. Të gjitha punët ishin të lodhshme dhe tepër të vështira, por duhet të punonim për të plotësuar normën ditore, sepse na gënjente mendja se, nëse punonim shumë, do të na ulnin masën e dënimit.
Por fatkeqësia më e madhe ende s’kishte mbërritur…
Kur më vdiq motra, ishte gjithçka kaq shokuese dhe e papritur. Deri në orën nëntë të darkës atë natë, qëndruam bashkë, po bisedonim, ndërkohë që Mineja po më ankohej se kishte ftohtë nga këmbët. Të nesërmen në mëngjes, shkoj për të marrë si zakonisht dy racionet e bukës, timen dhe të motrës, e ndërkohë një infermiere më thotë që motra kishte ndërruar jetë nga një atak në zemër gjatë natës. E pata të vështirë për ta besuar këtë të vërtetë. Motra mund të ketë pasur ndonjë komplikacion për shkak të zemrës, por aty në kamp mungonte ndihma e shpejtë mjekësore, ilaçe nuk kishte, ndërsa një mjek që ishte, vinte vetëm një herë në javë nga qyteti i Lushnjës. Nuk e mblodha dot veten, nisa të qaja me të madhe, por ishte e kotë… Nuk e kisha më motrën time. Më e keqja do të pasonte, për faktin se as nuk më lanë që ta varrosja, vetëm më lejuan ta shihja pesë minuta kufomën e saj. Prej ditës së vdekjes së motrës e tutje, mua nuk më lanë më të punoja në terren, sepse kishin frikë se mos ndoshta shkoja tek varri i motrës.
Asokohe, për shkak të torturave e pranuat “bashkëpunimin” në krim. Sot, cila është e vërteta juaj?
As unë, as ime motër dhe as ata njerëz që u pushkatuan apo u arrestuan, nuk kishin gisht në atë ngjarje. Lopët e importit ishin të prekura nga sindroma e “lopës së çmendur”. Madje, unë di që lopët pasi janë therur, mishi i tyre është tregtuar, ato nuk janë groposur, sepse do e kishim marrë vesh, të paktën të afërmit e mi apo bashkëfshatarët e zonës. E gjithë ajo situatë u sajua, për të burgosur apo fajësuar ashtu siç ndodhte në ato vite, njerëz edhe krejt të pafajshëm. Ende besoj se rezultatet e analizave laboratorike janë manipuluar, sepse kurrë nuk mund të gjendeshin në ato vite 100 e kusur termometra, të cilëve u është marrë zhiva. Ndiej keqardhje për fundin tragjik të motrës sime, e cila nuk kishte asnjë lidhje me punën në stallë apo me injeksionet te bagëtitë. Ajo punonte në fshat dhe u vinte në ndihmë njerëzve të sëmurë. Edhe familja ime u torturua për vite të tëra. Gjatë periudhës kur unë edhe motra qëndronim në hetuesi, nënën dhe babain i kanë marrë në shtëpi dhe i kanë rrahur barbarisht. Siç tregonte nëna ime, edhe ata i kanë marrë në hetuesi për disa ditë për t’i pyetur rreth ngjarjes. Më vjen keq që ditët dhe mosha më e bukur imja apo e motrës u dogjën për hir të mbrapshtisë së një sistemi politik.
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











