Eshtë për të ardhur keq se si ky vend në lulëzimet e veta, si në shkëlqimin e parë, para rënies së Trojës dhe në atë të dytë, Iliri (illi i ri), mësoi të tjerët duke iu ofruar protoplazmën e bërjes së mbretërive apo atë të kuvendeve, dhe sot ndodhet në pikë të hallit, aq më tepër kur koha i thërret burrat për log dhe jo për lojë me ta lashë apo me të mbetur. Ku koha i thërret burrat në orën e nevojës së madhe, ku secili duhet të pyesë veten se çfarë i dhe vendit tënd, punë apo bela, mbetje apo mbetje të mbetjeve. Kurrsesi se mund të ketë strategji që të drejtohen nga politikanët kur taktikat ende nuk janë diskutuar nga ekspertët. Këta burra të logut tonë kuvend, të majtë e të djathtë, nuk duhet të marrin vendime që deri më sot kanë pyetur njerëz që e kanë të vështirë të kuptojnë atë gjë, kur rroga e tyre varet nga moskuptimi i saj. Jo pa qëllim u lejua gjithë këto ditë që të flitej me zë të lartë, që mendimi të kishte zërin e ulët. Rezultati?! Mirë ai politikan që do dhe luan, po atij (popullit) që i duhesh të kuptonte më shumë, çfarë dëgjoi? Por, të paktën, dëgjo për herë të fundit, ti o vëlla deputet, që nëse sot voton, gangrenë do të ngelë jeta dhe shëndeti për këtë milet:
1. Projektligji i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve Urbane nuk duhet të përfshijë nenin 49, që flet për importin e mbetjeve. 2. Neni 49 i këtij projektligji duhet të përbëjë një ligj të tërë e më vete dhe duhet të jetë edhe njëherë sa aq, a mos më i madh e më i rëndësishëm. Tjetër gjë është menaxhimi i integruar i mbetjeve që është për ato të vendit dhe tjetër gjë është për ato që vijnë. 3. Edhe në rastin kur ligji i importit të mbetjeve do të jetë më vete, ky ligj duhet të përkojë me konceptin Ligj Transporti (shipment) të mbetjeve të gjelbra, dhe jo me ligj që nënkupton thjesht import të mbetjeve. 4. Projektligji i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve Urbane duhet të shoqërohet me paketë të detajuar financiare. 5. Ligji i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve Urbane që shoqërohet me një paketë ligjore ndihmëse për teknikat e trajtimit në shërbim të këtij ligji, si ligji i paketim-ambalazhimit apo të mbetjeve elektronike etj., duhet të formojë për disa vjet praktika të mira vendase dhe mandej Ligji i Transportit të Mbetjeve duhet të gjejë zbatim. 6. Ligji i Transportit të Mbetjeve duhet të gjejë zbatim pasi vendi ynë të ketë bërë gatitjen e duhur me “Know how’-n përkatës – si, qysh, kur, kush, si udhëzues, manuale, trajnime, libra, broshura, fletëpalosje, studim fizibël e vlerësim mjedisor, enkas për vlerën dhe dëmin e transportit të mbetjeve. 7. Ligji i Transportit të Mbetjeve duhet të gjejë zbatim pasi vendi të ketë bërë gatitjen e duhur me burime njerëzore, me degë enkas universitare, me departament në Bashki (jo me kuartalla), me institute kërkimore – studimore (Research-e), me ekspertë për menaxhimin e mbetjeve, me studio për trajtimin e mbetjeve. 8. Ligji i Transportit të Mbetjeve duhet të gjejë zbatim pasi vendi të ketë bërë gatitjen e duhur me institucione shërbimi, si laboratorë, enkas pranë pikave kufitare, me departamente mjedisi, me skaner, me zyrë të Konventës së Bazelit, me zyrë të Konventës së Aarhuzit, me kompani me programe menaxhim mjedisor – EMAS, me kompani të certifikuara me ISO 9001, 14001, me polici ricikluese, me fond mjedisi etj., etj. Për sa më sipër, i nderuar deputet, populli thotë se nuk del vaji pa u shtrydhur. Epo bindu, se ky vaj jo vetëm nuk është shtrydhur, por nuk janë mbledhur ullinjtë. Bindu se detyrimi europian është të minimizosh mbetjet e tua, pastaj t’i riciklosh ato afër, ndaj dhe kompanitë e riciklimit përfitojnë nga taksat, nga kreditë deri në ndihmë shtetërore. A e mendon dot se mund të dalin rentabël riciklimet nga jashtë, kur mbetjet kalojnë dete e oqeane, po diçka do luhet që ato të dalin të tilla. Po tani e kuptove? Nuk e ke kuptuar akoma?! Vazhdojmë. Pse vendet europiane riciklojnë të tyren dhe duke filluar nga 2001-shi, shprehimisht thuhet se 99% e mbetjeve vijnë nga vetvetja dhe 15, apo kohët e fundit, nga 25 vendet e BE-së? Nuk e ke kuptuar akoma?! Vazhdojmë. Pse shtetit fqinj përtej detit i humbasin 14 000 tonë mbetje të rrezikshme në vit dhe 300 000 tonë mbetje të tjera i flaken në detin Adriatik? A i ke bërë ndonjëherë pyetje vetes, pse ky nxitim për import mbetjesh nga jashtë dhe kjo ngadalësi e shpërfillje për trajtim mbetjesh nga brenda? A e di, mor deputet i dashur, se në asnjë vend të botës për mbetjet urbane dhe energjinë nuk vendos ti, por qytetari? Ti vetëm sa pret shirita, aq më tepër kur nuk i ke krijuar mundësinë për ndarje në burim (R-ja e parë), as për ripërdorim (R-ja e dytë), as për riciklim (R-ja e tretë), as për respekt (R-ja e katërt), as nuk e pyet ose t’i japësh mundësinë të refuzojë se ai do ta gëzojë ose vuajë (R-ja e pestë), dhe së fundi nuk e lë as ta peshojë projektligjin tënd, pra referendum (R-ja e gjashtë). A e di mor deputet i dashur, se çdo shtëpi ka halenë e vet? Kështu është edhe kombi, pra rregulli është që çdo komb trajton dhe mban erën e mbetjeve të veta, por edhe se realisht, mbetjet e tjetrit njësoj si m… i tjetrit mban shumë erë, thjesht mor, si ndijim i brendshëm. Dihet se e keqja e kësaj bote nuk ka ardhur nga bëmat e budallenjve, por nga heshtja e të mençurve, ndërsa në këtë nallane vend, e keqja e tij vjen edhe kur të mençurit (ekspertët) flasin. Eksperti, Roma/Mbreti foli. Kësisoj, na dëgjoni pa votoni.
© Panorama.al












