Murinjo nuk toleron askënd, gjobë Kasijasit

Oct 25, 2011 | 14:00

Zhoze Murinjo vazhdon të tregojë se lojtarët duhet të zbatojnë me përpikëri rregulloren që trajneri ka vendosur dhe për asnjërin nuk do ketë tolerime. Ai që e ka pësuar i fundit, ka qenë Iker Kasijasi. Portieri i madrilenëve ka shkuar në stërvitje me vonesë, për shkak të trafikut që kishte hasur gjatë rrugës dhe, për këtë shkak, nuk i ka shpëtuar gjobës. Pas stërvitjes, ai nuk ka vonuar ta vendosë status në Facebook atë që i ndodhi. “Java nisi mjaft keq. Pas torturimit në trafikun e Madridit, shkova me vonesë në stërvitje dhe Murinjo më vuri gjobë. Faleminderit Zotit që të paktën morëm tri pikët ndaj Malagës”, ka shkruar ai, ndërsa më pas ka komentuar që e ka mirëpritur vendimin e trajnerit, pasi askush nuk mund të tolerohet kur thyen rregullat, pavarësisht arsyes që mund të ketë pasur. Gjatë seancës së djeshme, Albiol i është bashkuar grupit dhe është stërvitur normalisht me skuadrën, por duke mbajtur një mbrojtëse në kokë. Ndërsa Rikardo Karvajo, Nuri Shahin, Fabio Koentrao dhe Lasana Diarra janë stërvitur veçmas në palestër, për shkak të problemeve fizike.

© Panorama.al

Te lidhura