
TIRANE – Të pandehurit e dosjes “Gërdeci” nuk arritën dje të mësonin nëse prokuroria do të kërkojë fajësi apo pafajësi për akuzat që rëndojnë mbi ta, pasi gjyqi nuk u zhvillua. Seanca e djeshme e kësaj dosjeje nuk u zhvillua, duke ndëprerë kështu leximin e konkluzioneve të Prokurorisë, një pjesë e të cilave u lexua ditën e hënë. Gjatë apelit për praninë e palëve në proces nga ana e kryesuesit të seancës, gjyqtarit Ridvan Hado, u vu re mungesa e një numri të konsiderueshëm në radhët e avokatëve mbrojtës. Në përfundim të kontrollit të pranisë, rezultoi se për 11 të pandehur, të cilët nuk ishin në seancë, mungonin edhe mbrojtësit e tyre ligjorë. Mes tyre ishin edhe avokatët e të pandehurve Mihal Delijorgji e Dritan Minxolli. Në vijim, gjykata pranoi kërkesën e përfaqësuesve të prokurorisë në proces për shtyrjen e gjyqit dhe caktimin e një date të re, si edhe pezullimin e afateve për të pandehurit, të cilët ndodhen në masën e sigurimit “arrest shtëpie”. Për shkak se dita e sotme është ditë pushimi zyrtar, seanca e radhës ku do të vijojë leximi i pretencës së Prokurorisë, do të zhvillohet paraditen e së enjtes. Dy ditë më parë, Prokuroria e Tiranës në një seancë prej disa orësh paraqiti një pjesë të materialit 500-faqësh të pretencës për 29 të pandehurit e dosjes “Gërdeci”. Sipas Prokurorisë, në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec ishte punuar në shkelje të çdo rregulle sigurie. Referuar pretencës, fabrika e demontimit ishte ideuar nga i pandehuri Ylli Pinari, i cili kishte kontaktuar me amerikanin Patrik Henri e më pas edhe me Mihal Delijorgjin. Sipas Prokurorisë, mbi të pandehurit e dosjes rëndojnë akuza nga “shpërdorimi i detyrës” deri tek “vrasje në rrethana të tjera cilësues” e “shkatërrim të pronës me eksploziv”. ar.ba











