Një 20-vjeçar i dha fund betejës së të gjithëpushtetshmit të Libisë në 42 vitet e fundit, Muamar Gedafit, pasi e gjeti atë të fshehur në një vrimë, në Sirte. “Mos qëllo! Mos qëllo!”, këto thuhet të kenë qenë ndër fjalët e fundit të “qenit të tërbuar të Lindjes”, siç e ka quajtur Presidenti amerikan, Ronald Regan kolonelin libian, Gedafi. Ushtari 20-vjeçar i forcave rebele, Mohamed el-Bibi, besohet të jetë njeriu që vrau Gedafin. Ai tha për BBC-në se ishte ai vetë që e gjeti dhe e kapi Gedafin në një nga vrimat në lagjen 2, në Sirte. Ushtari thuhet se e ka mbajtur pistoletën e tij të artë pas kapjes së ish-liderit libian, dhe mbase tani ai edhe pretendon të marrë shpërblimin 1 milionë dollarë, të vendosur për kokën e Gedafit. Ekziston një lidhje e fortë mes mënyrës së kapjes së tij dhe atë të kapjes së Sadam
Huseinit në Irak. Diktatori irakian u zbulua në një vrimë të vogël të zezë nën tokë në një ndërtesë afër qytetit të tij të lindjes, Tikrit. Ai ka qëndruar i fshehur për katër muaj, i ndihmuar nga besnikët e tij. Vdekjen e Gedafit e ka konfirmuar kryeministri i Këshillit Nacional të Tranzicionit, Mahmud Jibril. Bashkë me të, ka vdekur edhe djali i pestë i kolonelit, i cili besohet të ketë qenë këshilltari i tij ushtarak, Mutasim Gedafi. Ndërsa zëdhënësi i qeverisë së kolonelit, Musa Ibrahim, është arrestuar. I vrarë nga më të besuarit e kolonelit është edhe Abu Bakr Yunis, ish-ministër i Drejtësisë. Të arrestuar të tjerë janë këshilltari dhe kushëriri i Gedafit, Ahmed Ibrahim dhe ndihmësi i tij besnik, Mansour Dau. Ndërsa djali i preferuar i kolonelit libian, Saif al Islam, thuhet se mbetet ende i lirë në shkretëtirën në jug të Libisë. Një raportim tjetër thotë se ai është në spital, i plagosur. Por, televizoni “Al Arabya” ka raportuar se kufoma e Saif al

Islamit ka mbërritur në aeroportin e Misratës, megjithatë kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Imazhet e një videoje kanë dalë menjëherë, pasi televizionet pro regjimit mohuan raportimet e mëparshme për kapjen e Gedafit. Imazhet thuhet të jenë marrë me celularin e një reporteri francez, i cili i ka postuar ato online. Gedafi ende i gjallë shihet i rrethuar nga forcat revolucionare. Edhe pse i plagosur, Gedafi ishte ende në gjendje të fliste dhe të protestonte tek armiqtë e tij, të cilët po përpiqeshin ta hipnin në pjesën e pasme të një kamioni. “Po çfarë ju kam bërë unë ju”, u thoshte ai rebelëve të ekzaltuar për dobësinë e tij. Imazhet tregojnë minutat ndërmjet kapjes së tij në një tubacion dhe vdekjes së tij në duart e një njeriu të armatosur. Nuk ka imazhe që tregojnë mënyrën se si ai është qëlluar, në atë që besohet të ketë qenë një ekzekutim. Raportimet kanë qenë të ndryshme nga media të ndryshme. Fillimisht u tha se ai vdiq nga plagët e marra nëpër këmbë, ndërsa po transportohej për në spital. Një dëshmitar i ngjarjes tha se Gedafi kishte të paktën një plumb 9mm në stomak, ndërsa të tjerë thonë ta kenë parë trupin e tij me plumb në kokë. Por sipas AP, një mjek që ishte pjesë e ekipit mjekësor që shoqëroi Gedafin në spital tha se ai vdiq nga plagët e dy plumbave, një në kokë dhe një në kraharor. Rebelët kanë deklaruar se ata nuk e dinin se ku ishte fshehur Gedafi deri në momentin që ai kishte qëlluar në drejtim të tyre. Gedafi po përpiqej të dilte nga vrima e tunelit dhe të shkonte në konvojin e makinave që do ta largonin atë nga Sirte, por konvoji i tij u godit nga avionët francezë dhe ai mbeti “në çark”. Trupi i Gedafit, thuhet se është vendosur në një xhami në Misrata. “Al Jazeera” ka raportuar festime spontane në qytete si Benghazi dhe Tripoli, me njerëz që brohorisnin dhe bërtisnin, me bori makinash dhe të shtëna festuese.
Konfuzion
Situata në Libi është shumë konfuze, raportimet janë sa të besueshme aq edhe të dyshimta, mbi fatin e 17 anëtarëve të tjerë të rrethit më të ngushtë të Muamar Gedafit. Një përfaqësues i Këshillit të Tranzicionit tha se 17 anëtarët e ngushtë të regjimit të Gedafit janë kapur ose janë vrarë. Ka pasur raportime se djemtë e tij, Mutasim Gedafi dhe Saif al-Islam, janë vrarë, por raportime të tjera tregojnë se Mutasim është kapur i gjallë, ndërsa Saif është larguar.
E përshëndesin
Vdekja e Muamar Gedafit është përshëndetur me kujdes nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, zv/presidenti Xho Bajden, Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, Kryeministri britanik, David Kameron, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, Kryeministri irakian, Nuri al-Maliki, Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe shumë liderë të tjerë të botës demokratike, të cilët e kanë quajtur vdekjen e diktatorit libian një fitore dhe një mundësi të re për Libinë.
Ja cili ishte njeriu që “tërboi” Perëndimin
Muamar Gedafi, i biri i një bariu, qeverisi për katër dekada Libinë
Gedafi, djali i një bariu beduin, lindi në vitin 1942, në një tendë afër Sirtes, në brigjet mesdhetare libiane. Ai braktisi një kurs gjeografie në universitet për karrierën ushtarake, që përfshiu një periudhë të shkurtër në një shkollë sinjalesh ushtarake britanike. Ai mori fuqi pas një grushti ushtarak në vitin 1969, kur rrëzoi mbretin Idriz (i cili kishte lidhje të mira me Perëndimin), dhe në vitin 1970 ai formuloi “Teorinë e tretë universale”, një rrugë të mesme ndërmjet komunizmit dhe kapitalizmit, dhe e shkroi atë në Librin e Gjelbër. Ai mbikëqyri zhvillimin e shpejtë të Libisë, e cila ishte e njohur më parë për pak më shumë se puset e naftës dhe shkretëtirat, ku u zhvilluan betejat e mëdha të Luftës së Dytë Botërore. Një nga detyrat e para të tij pas marrjes së pushtetit ishte të ndërtonte forcat e armatosura, por shpenzoi edhe miliarda dollarë nga të ardhurat e naftës për të përmirësuar standardet e jetesës, gjë që e bëri atë mjaft popullor me shtresën e ulët. Gedafi hodhi para në projekte gjigande si një impiant çeliku në qytetin e Misratës dhe Lumi i Madh i bërë nga dora e njeriut, një skemë për të sjellë ujin nga puset e shkretëtirës në komunitetet bregdetare. Gedafi përqafoi pan-Arabizmin e liderit egjiptian Gamal Abdel Naser dhe u përpoq pa sukses të shkrinte Libinë, Egjiptin dhe Sirinë në një federatë. Një përpjekje e ngjashme për të bashkuar Libinë dhe Tunizinë përfundoi në ashpërsi. Në vitin 1977, ai ndryshoi emrin e vendit në Jamahiriyahu i Madh Arab Popullor Socialist Libian (Shteti i masës). Në pjesën më të madhe të pushtetit të tij, ai është dënuar nga Perëndimi, i cili e ka akuzuar atë për lidhje me terrorizmin, financime të grupeve terroriste dhe lëvizje revolucionare. Ai u dënua në veçanti pas bombardimit në avionin “Pan Am” në vitin 1988 mbi Lokërbi nga agjentë libianë, ku u vranë 270 njerëz. Pas viteve ’90, Gedafi kërkoi përmirësim të marrëdhënieve me Perëndimin, duke u afruar me Uashingtonin, Londrën, Parisin, Berlinin e të gjitha përmirësimet e marrëdhënieve u pasuan me marrëveshje shumëmiliardëshe të kompanive të mëdha perëndimore në Libi. Situata ndryshoi pas fillimit të rebelimit në Libi, i frymëzuar nga “Pranvera arabe”, që rrëzoi liderët autokratë në Egjipt e Tunizi.











