M*sakra me 84 të vrarë brenda pak orësh, çfarë ndodhi më 4 shkurt 1944 në Tiranë! Faktet e reja, u arrestuan 300 antifashistë

Feb 5, 2025 | 14:42

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi dje Masakrën e 4 Shkurtit 1944. 81 vjet më parë, nëpër shtëpitë dhe familjet e Tiranës u kryen bastisje të befasishme nga pushtuesi nazist gjerman dhe bashkëpunëtorët e tij.

nata e 4 shkurtit 1944

Dhuna e përgjakshme i kushtoi popullit të Tiranës rreth 84 të vrarë, si dhe arrestimin e mbi 300 të tjerëve. Qëllimi i masakrës ishte të frikësohej populli e të detyrohej të hiqte dorë nga lufta e nisur, të sigurohej qetësia e rendi që kërkonte pushtuesi gjerman. Organizatorë dhe drejtues të kësaj masakre ishin bashkëpunëtorët e pushtuesit gjerman Xhaferr Deva, ministër i Brendshëm dhe Xhelal Staravecka, komandant i xhandarmërisë së Tiranës. Masakra e 4 Shkurtit ndodhi në kohën kur pushtuesit nazistë ndërmorën Mësymjet armike të Dimrit 1943-‘44. Masakra nuk arriti të ndalte luftën e qëndresën antifashiste të shqiptarëve. Tirana u gdhi me një mëngjes të tmerrshëm. Trupa të masakruar dhe të shpërndarë nëpër rrugë e sheshe. Nëna dhe fëmijë që qanin me kuje.

Tirana e mbytur në gjak e terror. Nazistët dhe ballisto-zogistët zgërdhiheshin, fërkonin duart e përgjakura dhe mburreshin para padronëve, për veprën makabre të natës së errët. Në shtypin zyrtar atë mëngjes shkruhej: “…Gjaku duhet të rrjedhë rrëke nëpër rrugët e Tiranës, nëse kërkojmë me rivendosë qetësinë. Një ditë terrori siguron 10 vite qetësi…”. Por edhe kjo masakër, edhe ky terror nuk u siguroi asnjë minutë qetësi xhelatëve hitlerianë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, tradhtarëve shqiptarë. Ai ndezi edhe më shumë zemërimin e popullit dhe flakët e Luftës Antifashiste. Pa u mbushur viti u dhanë përgjigjen që meritonin, me çlirimin e Tiranës dhe të krejt Shqipërisë më 29 Nëntor 1944. Dhuna e përgjakshme i kushtoi popullit të Tiranës rreth 84 të vrarë, si dhe arrestimin e mbi 300 të tjerëve. Qëllimi i masakrës ishte të frikësohej populli e të detyrohej të hiqte dorë nga lufta e nisur, të sigurohej qetësia e rendi që kërkonte regjimi gjerman i pushtimit.

PËRMASAT

Masakra e 4 shkurtit 1944 në Tiranë është ndër masakrat më të përgjakshme, që kryen nazistët gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre: si Xhafer Deva, ministër i Brendshëm i nazistëve, Kadri Cakrani, komandant i forcave të Ballit Kombëtar, Qazim Mulleti, Prefekti i Tiranës, fashisti Osman Kazazi etj., nën drejtimin e Gestapos gjermane. Natën e 4 shkurtit drejtuesit e xhandarmërisë, me lista në duar e me grupe xhandarësh u futën nëpër shtëpitë e qytetarëve të Tiranës, rrëmbyen djem e burra dhe i pushkatuan nëpër rrugë. Për të futur frikë e tmerr, për të terrorizuar popullin, ata vepruan mbarë, pushkatuan edhe të tjerë që i gjenin në rrugë. I vrisnin dhe i masakronin barbarisht, duke i gjymtuar edhe për së vdekuri, pastaj i hidhnin nëpër kanale, apo dhe në mes të bulevardit. Rrugët e Tiranës u mbushën me gjak.

Përmasat e kësaj masakre i pohon të nesërmen Komanda e Xhandarmërisë në raportin e saj ku thuhet: “Forcat e xhandarmërisë, së bashku me forcat e Regjimentit “Kosova” dhe me vullnetarët e Ballit Kombëtar, këtë natë kanë bastisur 230 shtëpi, ku kanë arrestuar 478 persona të dyshimtë dhe nga këta 84 më të rrezikshmit i kanë pushkatuar. Nga të 84 të pushkatuarit rezulton se 67 janë shqiptarë, 9 italianë, 4 malazezë, 2 maqedonas, 1 grek (minoritar) dhe 1 çifut. Viktimat kanë qenë nga Tirana 29 dhe 37 nga rrethet Fier, Korçë, Durrës, Shkodër, Vlorë e Dibër”. Gazeta “Bashkimi” e datës 4.2.1945 ka pretenduar se nga ngjarja e një viti më parë janë vrarë 41 persona, por të identifikuar janë vetëm 27 emra.

TERRORI

Ngjarja e 4 shkurtit 1944 ka hyrë në memorien e shqiptarëve si “Nata e Shën Bartolomeut”, kur në rrugicat e Tiranës u derdhën forcat mercenare të ministrit të Brendshëm Xhaferr Deva dhe ekzekutuan dhjetëra qytetarë të pafajshëm. Si shkak për këto reprezalje u përdorën dy atentatet që komunistët zhvilluan një ditë më parë kundër Xhaferr Devës dhe Kadri Cakranit, ku mbetën të vrarë një xhaxha i Devës dhe një nip i Cakranit. Operacioni i 4 shkurtit i quajtur Masakra e 4 Shkurtit të vitit 1944 sipas numrit të gazetës “Bashkimi” që doli një vit pas ngjarjes, në kohën e regjimit komunist, ishte një operacion kundëraksion i autoriteteve shtetërore të Mbretërisë Shqiptare si përgjigje e atentateve që u kishin bërë figurave politike.

Pasi Operacioni i Dimrit u kishte shtrënguar darët komunistëve, iu rikthyen atentateve ndaj figurave politike, si në rastin e Idhomeno Kosturit. Në zonën e Tiranës së re, më 3 shkurt, guerilët komunistë në befasi i bëjnë atentat makinës së autoriteteve të regjimit pushtues ku mbeti i plagosur a pa jetë shoqëruesi i afërt i Kadri Cakranit. Pasditen e vonë të 3 shkurtit, guerilë të qarkorit komunist i bëjnë një goditje të befasishme të armatosur makinës së ministrit Xhaferr Deva.

Sipas dëshmisë së Isuf Devës, sekretar privat i tij, i cili edhe në rrethana torture dëshmonte: “Komunistët më 3 shkurt i bëjnë atentat makinës së Xhaferr Devës, plagoset dhe vdes në spital i nipi, adoleshenti Fahri Ibrahimi. Operacioni filloi në orët e pasdites së 3 shkurtit 1944, dhe do të përfundonte në ora 5 të mëngjesit të datës 4 shkurt 1944. Sipas organit të shtypit të regjimit komunist, “Bashkimi”, autorët kanë qenë Kolonel Bajazit Boletini – komandant i regjimentit “Kosova”, Kadri Cakrani, dhe Xh. Deva.

FAKTET

Trakti i PKSH-së për atë masakër shkruar nga Sejfulla Malëshova, i botuar më 4 shkurt 1945, në gazetën “Bashkimi” përcillte numrin e 86 të vrarëve, por me emra identifikohen vetëm 24 të vrarë. Shifra e mbi 80 të vrarëve duket se vjen nga një letër që Nako Spiru u ka nisur Komitetit Qendror (M. Popoviqit, K. Xoxes, L. Gegës). Sipas kërkimit të studiueses Gilmana Bushati, procesverbalet e prokurorisë (5 e 6 shkurt) me të vrarët më 3-4 shkurt, viktimat janë 14. Në procesverbalin e 6 shkurtit janë nëntë të identifikuar, dy të paidentifikuar, dy me identitete italiane, kurse një (Ali Ferra) i vrarë nuk është i listuar në “Pavdekësia”. Si përfundim, katër janë të vrarë në pasditen e 3 shkurtit, shtatë të vrarë natën e 4 shkurtit (bashkë me dy italianë). Sekretari privat i ministrit Xhafer Deva, Isuf Deva (i pushkatuar) në dëshminë e tij në janar ’47 në hetuesinë e regjimit komunist pohonte se “Xh. Deva pohoi se ishin vrarë jo më shumë se 7-8 njerëz dhe nuk pranoi 80 të vrarë”.

Dëshmi kjo e përafërt me të dhënat nga procesverbalet, tek të cilat figurojnë: Vangjel Capo, i biri i Andonit dhe i Valës nga Fieri vjeç 22, Todi Shkurti nga Fieri vjeç 25, Hasan Rexhep Çeliku vjeç 34, kryepunëtor pranë Ministrisë P.B nga katundi Mullet i Tiranës, Sokrat Vangjel Tako, i biri i Aleksandrës vjeç 43 nga katundi Novosel i Përmetit dhe banues në Tiranë rruga “Mihal Grameno”, Mihal Jani Koço i biri i Margës vjeç 20 Druvjan i Gjirokastrës banues në rrugën e Kavajës Tiranë, Vinçenzo Apel, i biri i Feliksit dhe i Kleopatrës lindur në Sarandë banues në Tiranë rruga e Dibrës nr.6 vjeç 20, Reveni Ludovico Carlo i biri Marijes nga Italia banues në Tiranë vjeç 26, Gjergji Legjizi i biri i Frrokut dhe i Diles lindur në katundin Kthjellë të Mirditës vjeç 45 banues në Tiranën e Re Lagje Llagami nr;43, dy të paidentifikuar: ..vjeç 22… këpucë me syprina beze të zezë e… çorape të zeza pambuku ushtarake;… katrore, boj kafe… jeshile me të bardha, triko leshi pambuku boj kafe, xhaketë civile boj kafes të mbydhun me vija pak të dukshme. Mesatar vjeç 34 flokë kështije, fytyre pak të hekun, i rruem pa mjekër, me nji shall leshi jeshil, xhaketë civile e pantallona boj të kafes, i vesgun nën rrobe me bixhama të bardhe e me vija te kuqe, nji triko leshi në boj të hinit e pa mange, jelek boj kafe, peshime me ngjyra e me vija, kepucë te zeza civile ushtarake, çorape boj kafe të Europës. Më 6 shkurt 1944 u paraqitën për t’u interesuar tre persona për familjarët e tyre që nuk ishin as në burgje ose në ndonjë vend tjetër të kryeqytetit, familjarët që kërkonin: Haki e Maliq Huta (letrat e identitetit të të cilëve u gjetën nëndhé në rr. e Elbasanit), Fadil Rada punëtor 22 vjeç, Xhemal Sojli. Më 16 shkurt 1944 Gjyle Shkalla e veja e Selim Ferrës deklaroi se i biri Ali Selim Ferra, 18 vjeç, tabelashkrues, u mor nga shtëpia mëngjezin e 4 shkurtit nga një patrullë e armatosur. Kufoma e tij u gjet në lumin e Tiranës afër Saukut.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura