
Punëtorët e shpëtimit kanë nxjerrë nga rrënojat një foshnjë vetëm dyjavëshe, të gjallë pas 48 orësh nën ndërtesën e shkatërruar, bashkë me nënën, Semiha, 25 vjeçe dhe gjyshen e bebes. Nëna po e shtrëngonte fort beben në gjoks kur u gjet nga skuadrat e shpëtimit, dhe më pas u gjet dhe gjyshja e bebes, edhe ajo gjallë. U deshën orë të tëra pune për të nxjerrë gratë nga rrënojat. Nëna e foshnjës në veçanti ishte bllokuar afër një divani të ngecur nën copat e shembura të ndërtesës. Pasi u nxorën, dy gratë u hipën në një ambulancë, ndërsa njerëzit rreth e rrotull duartrokitën për shpëtimin e tyre. Mjekët thanë se ato kanë shenja dehidratimi,por jo plagë të rënda.
Punëtorët e lodhur kanë përdorur makineri, lopata, sqeparë dhe duart e tyre për të gërmuar rrënojat. Në periudha të shpeshta ata pezullojnë të gjithë punën, shuajnë gjeneratorët dhe makineritë e gërmimit për të dëgjuar nëse ka zëra që thërrasin nën tokë. Më pas, puna fillon sërish. Gjysmëhëna e kuqe tha se po përgatit streha të përkohshme për 40000 njerëz, edhe pse nuk ka shifra fikse për të pastrehët. Shumë banorë e kalojnë natën jashtë me frikën se dridhjet e forta mund të kthehen sërish e të rrëzojnë përfundimisht shtëpitë e tyre të dëmtuara. Tërmeti 7.3 ballësh ishte më i fuqishmi në Turqi, në dekadën e fundit. Ekipet e shpëtimit në Turqi e kanë vazhduar kërkimin për personat e mbijetuar nga tërmeti që goditi pjesën juglindore të këtij vendi, ditën e diel. Numri i të vdekurve nga tërmeti ka arritur mbi 430. Sipas Administratës për Shkatërrime dhe Emergjenca, afro 1300 veta ishin plagosur, ndërsa më shumë se 2200 ndërtesa janë shkatërruar. Ekipet e shpëtimit thonë se 47 orë pas tërmetit, shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë janë zbehur. Por ata vazhdojnë punën. Mijëra njerëz kanë kaluar natën e dytë duke fjetur në tenda, në temperatura të ulëta. Në rajonin e qytetit Ercis, me njëqindmijë banorë, që është afër epiqendrës së tërmetit, janë shënuar rreth 200 lëkundje të tjera. Kryeministri Rexhep Tayip Erdogan tha se Turqia është e aftë që të merret me pasojat e tërmetit dhe tani për tani nuk ka nevojë për ndihmë ndërkombëtare, duke i dhënë kështu në mënyrë diplomatike përgjigje negative ofertës për ndihmë të Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili shfrytëzoi këtë rast për të kërkuar riparimin e marrëdhënieve me Turqinë.
432 është bilanci zyrtar i të vdekurve nga tërmeti i së dielës në Turqi, numri i viktimave pritet të shtohet, pasi janë shumë që kanë mbetur nën gërmadha dhe tani shpresat për t’i gjetur gjallë janë venitur.











