
Ditë zie në qytetin e Bulqizës. Minatorët kanë ndalur punën për t’i dhënë lamtumirën kolegut të tyre, Naim Shyti, i cili shkurtoi numrin e 700 punonjësve të galerive të nëntokës. Jo vetëm ata, por gjithë banorët kanë qenë pjesë e ceremonisë mortore për babanë e dy fëmijëve që humbi jetën tragjikisht paraditen e së martës nga shpërthimi i gazit. Dje, në territorin e ACR-së asgjë nuk pipëtinte. Gjithçka dukej e shkretë. As administrata nuk është paraqitur në punë. Rojet e sigurisë shprehen se janë të paktën 30 punëtorë që po riparojnë dëmet e shkaktuara shpërthimi i gazit, mirëpo burime të tjera thanë se të gjithë minatorët, përveç mirëmbajtësve, e kanë ndërprerë punën. Një zyrtar lokal i ACR-së tha se kjo ndërprerje e punës lidhet me ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, ndërkohë këtë e hodhi poshtë kryetari i komisionit të grevës, Baki Bajraktari, kur deklaroi se minatorët e kanë ndërprerë punën pardje dhe dje, për të nderuar minatorin që humbi jetën, ndërkohë që hapat e mëtejshëm do të përcaktohen më vonë. Ndryshe nga ditët e tjera, lokalet e qytetit janë zbrazur. Minatorët qëndrojnë te një lokal në dalje të qytetit, aty ku familja Shyti pret e përcjellë të afërmit, qytetarët, politikanët, pushtetarët etj. Luan Nika, njëri nga drejtuesit e protestave tremujore, shprehet me fjalët më të mira për kolegun e tij, Naim Shyti. “Ishte një djalë i rrallë, i përkryer. Punonte shumë dhe nuk i ndihej zëri. Ai ka dy djem, 12 e 10 vjeç, ndërkohë babanë e ka shumë të sëmurë prej disa vitesh. Punonte në minierë prej 15 vitesh. Kohët e fundit e caktuan si mirëmbajtës ajrimi. Si të gjithë minatorët e tjerë, e ka ndërtuar jetën me shumë halle. E zënë ngushtë për shkak të të ardhurave të pakta, gruaja e tij punonte ndonjëherë në seleksionim kromi”, tregon Nika. “Jo vetëm ne minatorët, por i gjithë qyteti i Bulqizës kishte respekt për Naimin. Ndarja e tij nga jeta na ka prekur shumë. Për këto kushte sigurie ai protestoi bashkë me ne për tre muaj. Familja humbi njeriun e saj më të dashur, por edhe ne humbëm kolegun më të mirë”.

Nga lagjja “Gjeologu” qindra veta janë nisur drejt fshatit të lindjes së Shytit. Në orën 14:00 qyteti është zbrazur nga njerëzit. Dhjetëra makina kanë transportuar nga qyteti drejt Fushë-Bulqizës qindra minatorë, banorë të qytetit, sindikalistë të ardhur nga Tirana, Elbasani, Puka, Mirdita, Mati etj. Fjalën e rastit në ceremoninë e organizuar e mbajti Baki Bajraktari. “Në emër të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë i shprehim familjes së Naimit ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e djalit të tyre të dashur dhe të shtrenjtë. Ngjarja tragjike e ditës së djeshme, ku humbi jetën shoku, miku, vëllai ynë Naim Shyti, duke lënë dy fëmijë jetimë, do të mbetet i pashlyer në kujtesën tonë pasi ishte e paralajmëruar. Ne sindikalistët minatorë zotohemi para arkivolit me trupin e shokut, mikut dhe vëllait tonë të dashur, Naim Shyti, se nuk do të ndalemi në rrugën e nisur, së bashku për përmirësimin e kushteve të punës në minierë”, u shpreh i mallëngjyer Bajraktari pranë arkivolit të Naim Shytit.
Të plagosurit
Shtatë nga të plagosurit e shpërthimit të së martës në nivelin 16-të të minierës së Bulqizës vazhdojnë të marrin mjekimet në spital. Tre prej tyre ndodhen në gjendje më të rëndë në Spitalin Amerikan në Tiranë, tre të tjerë në spitalin e Bulqizës dhe i shtati në spitalin e Burrelit. Në gjendje të mirë ka qenë Astrit Çupi, i cili, sipas mjekëve, nuk ka pasur nevojë të qëndrojë në ambientet e spitalit. Çupi, bashkë me viktimën Shyti, ndodhej në ballë të frontit të punës ku ndodhi shpërthimi. Ai u gjet disa orë më vonë shëndoshë e mirë, ndërsa kolegu i tij kishte ndërruar jetë.
Flet i plagosuri nga shpërthimi
Kujtim Lami: Kompania dhe shteti të rrisin sigurinë

Në katin e dytë të spitalit të Bulqizës po kurohen tre nga tetë minatorët e plagosur paraditen e të mërkurës. Mes tyre është edhe Kujtim Lami. Ai kujton se viktima Naim Shyti e Astrit Çupi kishin marrë si detyrë të matnin sasinë e gazit në galeri dhe të merreshin me ajrimin e këtij fronti. “Ata ishin para nesh të paktën 200 metra. Me sa jam në dijeni, po riparonin tubacionin e ajrimit, nga ventilatori për në tubacionin kryesor. Nga shpërthimi i fuqishëm janë hequr armaturat e galerisë, janë shkulur shina. Presioni na detyroi të ktheheshim e të shtriheshim në galeri. Kush qëlloi në fillim, u dogj e dëmtua më shumë. U zvarritëm këmbadoras, derisa erdhën shokët dhe na transportuan për në spital”. Minatori Lami thotë se pas kësaj ngjarjeje frika është e madhe. “Por, banorët e Bulqizës nuk kanë tjetër burim të ardhurash. Pas kësaj, me siguri kompania dhe shteti do të rrisin masat e sigurisë, ndryshe të tjera ngjarje mund të ndodhin”.
PSP: Shpërbleni familjen Shyti
Kryetari i Partisë Social-Punëtore, dega Bulqizë, Kadri Disha, tha se në emër të partisë që drejton, ka ngushëlluar familjen Shyti. Po ashtu, ai tha se i ka dërguar një letër kompanisë ACR, Presidentit Topi e Kryeministrit Berisha. “Ne, theksoi Disha, kemi kërkuar që ACR ta shpërblejë familjen Disha me 300 mijë dollarë, si dhe të miratojë për fëmijët e Naim Shytit një pension të posaçëm”.
“Shpërthimi, RISHM-i nuk e mati gazin”
Drejtuesit e Sindi-katës së Minatorëve të Bulqizës fajësojnë specialistët që nuk konstatuan nivelin e lartë të gazit në frontin e punës, ku humbi jetën nga shpërthimi 39-vjeçari Naim Shyti. Sipas tyre, gjatë inspektimit të datës 5 tetor të këtij viti, specialistët e caktuar nga RISHM-i (Reparti i Shpëtim-Minierave) dhe ata të firmës austriake ACR (Albanian Chrome) nuk kryen matjen e gazit, çka solli dhe tragjedinë në thellësitë e minierës. Përfaqësuesit e lartë të Sindikatës thanë dje se ka të ngjarë që RISHM-i nuk e kontrolloi këtë galeri për kushtet e sigurisë. Ata tregojnë një dokument të datës 5 tetor 2011, ku në akt-verifikimin e nënshkruar nga shtatë specialistë të RISHM-it dhe pesë specialistë të ACR-së nuk thuhet asnjë fjalë për këtë front pune, çka ka lënë të nënkuptohet se nuk ka pasur probleme. “Për nivelin 16 janë lënë këto detyra: Të mbyllen të gjitha punimet që nuk janë në funksion, të rregullohet disniveli i dyshemesë, të vendosen katrore në nënkatin e parë te gryka e remonteve, të afrohet ventilatori në drejtim të ballit LII-3b për të bërë funksionale skemën e ajrimit dhe në LII-3b (shembje), të bëhet tërheqja e duçkës, sipas projektit”, pohoi dje Kol Nikollaj, duke cituar raportin. Sipas tij, RISHM-i është fajtor për ngjarjen e së martës, pasi nuk është shprehur për gjendjen e krijuar nga gazi në nivelin 16. Ndonëse në këtë akt-verifikimi specialistët flasin për sasi ajri që ende nuk janë brenda normave të parashikuara në projekt, sipas Sindikatës së Minatorëve, ata duhej të përcaktonin saktësisht nivelin e gazit në frontin ku do të punohej. “Pas matjeve që do të bëhen, nëse rezulton se nuk ka rezultatet e pritshme, të ndryshohet menjëherë skema”, pohohet në këtë akt, por pa u deklaruar niveli i gazit. Nikollaj tha dje se, që nga ajo ditë e deri para se nëntë minatorët të futeshin të martën në galeri, në nivelin e 16-të të pusit 2, drejtuesit e ACR-së kanë pasur gjithë kohën e mjaftueshme në dispozicion për ta larguar gazin e tepërt. Minatorët madje hedhin dyshime se akt-verifikimi i kësaj date është manipuluar pas ngjarjes, pasi faqja 2 e saj nuk ka njëjtin lloj shkrimi dhe me siguri, sipas tyre, është shtuar për t’u justifikuar para prokurorisë. Akuzat vijnë nga drejtuesit e sindikatës, ndërsa organi i akuzës nuk është shprehur për shkaqet e shpërthimit. Nga ana e tij, drejtori i minierës, Medat Zogu, deklaroi se ende nuk është zbardhur e vërteta e shpërthimit që mori jetën e një minatori dhe plagosi 8 të tjerë. “Ne po kryejmë degazimin e nivelit ku ndodhi shpërthimi. Ekspertët e RISHM-it dhe prokurorët po hetojnë rreth ngjarjes. Grupi hetimor ka tërhequr nga drejtoria e ndërmarrjes gjithë dokumentacionin. Megjithëse po punohet me intensitet të lartë për pastrimin e ajrit në minierë, nuk dihet me saktësi kur do të ulet përqindja e gazit në minierë”, nënvizoi Zogu.
Minxhozi
Familjen Shyti e ka ngushëlluar dje deputeti socialist i Dibrës, Qemal Minxhozi. Ai u shpreh pas ceremonisë mortore se ngjarja ishte paralajmëruar më parë nga minatorët, pasi ata për 90 ditë kërkuan kushte më të mira pune. “Tragjedia ishte e pritshme. Isha në familjen Shyti për ta ngushëlluar për humbjen e djalit të saj. Organi i akuzës duhet t’i shkojë deri në fund kësaj ngjarjeje të rëndë. Ajo nuk duhet të veprojë si në rastet e tjera, kur është heshtur, megjithëse për pak vjet këtu kanë humbur jetën 20 minatorë. Ende askush nuk është vënë para përgjegjësisë”, deklaroi Minxhozi.
KSHH
Komiteti Shqiptar i Helsinkit reagoi dje për shpërthimin tragjik në minierën e Bulqizës, duke kërkuar hetim të shpejtë, të plotë e të gjithanshëm për zbardhjen e shkaqeve dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve. “Kjo ngjarje nuk është e para e këtij lloji dhe as e rastësishme. Ajo ndodhi fill pas ndërprerjes së grevës së minatorëve, dhe siç ishte premtuar, pritej përmirësimi i kushteve të punës”. KShH deklaroi se në kushtet kur kjo minierë administrohet nga kompania austriake ACR, përgjegjësia direkt e saj për këtë ngjarje nuk përjashton përgjegjësinë e administratës publike përgjegjëse.
Këshilli sindikal: Gati të punojmë në frontet e tjera
Pak orë pas ceremonisë mortore të Naim Shytit, këshilli sindikal i minatorëve ka zhvilluar një mbledhje ku të pranishëm kanë qenë edhe Kol Nikollaj e Taf Koleci. Fillimisht ata kanë kërkuar sigurimin e fronteve të punës, si dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër. “Ne, – thanë minatorët, – do të fillojmë punën në ato fronte pune ku nuk ka probleme dhe RISHM-i do të japë garanci për jetën e minatorëve. Në nivelin 16 ende nuk është arritur largimi i gazit të tepërt dhe nuk është kryer riparimi i dëmeve të shkaktuara”, u shprehën sindikalistët e Bulqizës. Megjithatë, minatorët nuk kërkojnë ndaljen e punës në frontet e tjera. Ata protestuan për rreth 3 muaj, duke paralizuar çdo aktivitet në minierë, por janë të gatshëm të veprojnë në minierë, aty ku specialistët japin miratimin.
Berisha viziton të plagosurit
Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje në Spitalin Amerikan minatorët e plagosur në minierën e Bulqizës. Kreu i ekzekutivit, pasi u njoh nga shefi i repartit të reanimacionit për gjendjen shëndetësore dhe trajtimin e tyre, vizitoi minatorët dhe i uroi shërim të shpejtë. Kryeministri siguroi se qeveria është e vendosur të japë ndihmën e mbështetjen e saj për shërimin e shpejtë të tyre. “Ky ishte një aksident i dhimbshëm e tragjik dhe qeveria është e vendosur, së bashku me mjekët, të bëjë çdo gjë për t’ju ndihmuar”, u shpreh Berisha. Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjes së minatorit Naim Shyti, i cili humbi dje jetën në minierën e Bulqizës. “Vdekja tragjike e njeriut tuaj të dashur, birit, babait, prindit, ishte një lajm shumë hidhërues për mua dhe familjen time, por edhe për qeverinë e vendit”, thuhet në mesazh.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











