Kohë e keqe duket se do të bëjë akoma më gjatë, përpara se të kthjellohet, për ekonominë tonë shqiptare. Situata e rënduar financiare në të gjithë Europën e vendos gjendjen tonë në një kontekst tjetër, që duhet të shikohet me kujdes për të kuptuar atë që po ndodh sot në të vërtetë. Por akoma më e rëndësishme paraqitet ajo që mund të ndodhë me shumë gjasa në të ardhmen jo shumë të largët… Nesër do të jetë dhe më rëndë ekonomia dhe biznesi vendas nëse nuk kuptojmë si duhet realitetin përtej përrallave politike. Ndaj, duhet ne të gjithë – si shoqëri – të kërkojmë me ngulm këtë kthjellim, të paktën në mendime, analiza dhe strategji. Do ta kemi shumë më të vështirë nëse lejojmë që tymi halucinant që lëshohet nga politika, në tavolina qeveritare dhe më gjerë, të na prekë mendjen dhe të na turbullojë shikimin. Qeveria është sot opiumi për popullin: dhe opiumi nuk është falas.
Biznesi i vogël pagoi realisht këtë vit +810 milionë lekë më shumë, ose +56% më shumë nga sa ishte parashikuar në projektbuxhetin 2011, të paraqitur në fillim. Në fakt, ishte më shumë se në buxhetin faktik vjet 2010: +433 milionë lekë, ose +24% më shumë.
Pse e kam paraqitur faktin e mësipërm? Jo më shumë në vetvete, por argumenti sillet si prognozë dhe për të parë më gjerë, në kontekstin e klimës së krizës ndërkombëtare dhe të asaj që po kalon biznesi dhe ekonomia private shqiptare, që ndodhet sot që po diskutojmë nën një “morsë të trefishtë”:
1. Kreditë me probleme janë shtuar në mënyrë masive, gati 8 herë më shumë, duke kapur sot ritme alarmante fryrje: 783% krahasuar me vitin 2005. Në atë vit, kreditë me probleme ishin vetëm 2.3%, në 2005-n, në shtator 2011, ato ishin në 18% të totalit të kredive të marra nga biznesi. (“Banco CAM” në Spanjë u nacionalizua pikërisht se arriti 18% të kredive me probleme në korrik 2011). Këto shifra nuk janë aspak optimiste: në fakt, janë një ogur paralajmërues për stuhi ekonomike shumë afër në të ardhmen. Huat me probleme po shkojnë në masën 8% të GDP në Shqipëri. Spanja, më problematikja e deklaruar sot në EU, është në masën 10% GDP. Ne po arrijmë limitin shumë më shpejt në kohë se ata.
2. Buxheti i shtetit e ka rritur barrën dhe të ardhurat e shtrydhura nga biznesi, për të mbushur arkën bosh të financave publike. Ndërkohë që investimet publike, të vetmet në këtë periudhë që mund të nxirrnin biznesin nga vështirësitë, do të mungojnë: se nuk ka më të ardhura në buxhet. Nëse qeveria do të ishte treguar më e matur në vitet pa stuhi, sot do të kishte mundësinë të kryente disa investime në infrastrukturë për të rivitalizuar ekonominë, qoftë duke fryrë dhe borxhin publik. Por atë vrull qeveria jonë e ka harxhuar me një borxh që e ka rritur në nivelin e rrezikshëm, 60% të GDP, ndaj sot nuk ka më hapësirë veprimi: as në tregun vendas dhe as në atë të huaj, që për disa koha duhet ta harrojë.
3. Konteksti tepër i rënduar global, ekonomik dhe financiar: Situata ekonomike në rënie, rrënimi i fuqisë blerëse të familjeve konsumatore, rënia e remitancave nga emigrantët, rënia e fuqisë tregtuese nga fqinjët tanë në krizë, mosbesim reciprok mes financave publike dhe tregjeve të kapitalit e bursave anembanë botës, rënia e investimeve private dhe shtetërore, rreziku zinxhir i bankave komerciale të lidhura me borxhin grek e më gjerë në Europë etj.
Të gjithë indikatorët financiarë këtë radhë tregojnë për zgjim në një periudhë të keqe të ekonomisë private, e cila ka hyrë në një spirale të rrezikshme borxhesh dhe kredish të pamatura mirë dhe larg pritshmërive për aktivitetin real apo fitimet në të ardhmen. Këtë vit kreditë me probleme janë shtuar rrezikshëm, ndërkohë që shteti nuk u përgjigjet detyrimeve financiare që ka ndaj punimeve të kryera nga biznesi vendas, duke e detyruar sipërmarrjen të hyjë në borxhe të mëtejshme dhe të vonojë shlyerjen e kredive që ka marrë për të financuar vetë shtetin.
Qeveria nënkontrakton borxhin e saj duke ia transferuar rrënimin financiar tregut dhe biznesit shqiptar. Më pak politik dhe i drejtpërdrejtë ishte FMN në vizitën e tij në këto anë të botës, në këto ditë të vështira globale. “Kjo praktikë e bën buxhetin vjetor të pabesueshëm dhe tepër politik, ajo dëmton objektivat shumëvjeçare të investimeve publike. Nga kjo praktikë krijohen detyrime të prapambetura ndaj sektorit privat, i cili, nga ana e vet, vonon detyrimet e veta (ndaj furnitorëve apo punëtorëve), gjë që ul më tej performancën ekonomike”, thotë raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë.
Këto tri anë të morsës e bëjnë shumë të vështirë rimëkëmbjen e biznesit vendës, por dhe të ekonomisë sonë, në një të ardhme të afërt, por dhe të mesme. Ndaj, do të vijë duke u ngushtuar ky rreth vicioz: ku nuk ka para në thesar të shtetit, sepse nuk ka blerje konsumatore, ashtu si nuk ka punë dhe investime në treg – dhe nuk ka blerje, nuk ka punë dhe investime publike në treg për të nxjerrë vendin nga kriza, sepse nuk ka para në thesar të shtetit.
Ajo që e bën më tipike këtë morsë shtrënguese të ekonomisë, të kapur në të tri dimensionet e shpjeguara më sipër, është dimensioni i katërt tipik shqiptar. Ky është dimensioni më radioaktiv që i imponohet ndërgjegjes se çdo qytetari të kësaj shoqërie, me një re mashtrimesh e marrëzish infantile, tipike ballkanike. Dikush bën para dhe prona me tymnajat e përrallave qeveritare, sepse ujku mjegull do.
Të gjithë i dimë efektet e lavazhit të trurit që na vijnë nga diktatura e deri më sot me të njëjtën gjatësi vale dhe të njëjtin intensitet dhe brutalitet, për të na mohuar realitetin nëpërmjet kësaj kapje hipnotike: “të mbjellim arrore në gjithë vendin”, “mini-superfuqi bërthamore në Ballkan”, “20 milionë ullinj”, “ne, pastaj Gjermania në ekonomi”, “prasi çan bllokadën”, “çeliku i partisë”, “patatja është ushqim dhe bukë”…. Punoni për familjen time….
© Panorama.al












