I penduari i drejtësisë, Henrik Hoxha ka deklaruar gjatë seancës së sotme në GJKKO për çështjen “Plumbi i Artë” se kishte marrë porosi për të vrarë edhe Altin Ndocin, i cili arriti të arratisej një muaj më parë nga spitali i Durrësit, ku ishte shoqëruar nga efektivë të burgut për një kontroll mjekësor.

Sipas dëshmisë së Hoxhës, porosia për ekzekutimin e Ndocit ishte dhënë nga Erion Alibej, i njohur ndryshe si “Krymi”, fakt që ia kishte konfirmuar Nuredin Dumani. Ai ka treguar se plani nuk u realizua për shkak të pandemisë së Covid-19, kohë kur lëvizjet ishin shumë të vështira dhe krijohej shumë ekspozim.
“Kam marrë porosi për vrasjen e Altin Ndocit. Kjo për shkak se këta ishin bërë bashkë dhe ishin bërë kundra Krymit. U mor porosia po nuk u bë, se ishte Covidi. Ndoci ka jetuar nga zona e “Misto Mames”.
I kam kaluar në lagje, ma ka treguar Nuredini. Bije shumë në sy se ishte pandemi, nuk kishte ku rrije. Sipas Nuredinin Krymi e kishte porositur. Ai investonte. Pastaj Ndoci ra në burg.”, ka deklaruar ai.
Ai shtoi se edhe pas arrestimit të Ndocit, ishte diskutuar mundësia e eliminimit me snajper brenda në burg.
“Ne jemi interesuar për ta vrarë Altin Ndocin me snajper brenda në burg. Nuredini e diskutonte me mua. Ishte në ëndrrat e tij, por nuk e kemi realizuar.”, ka dëshmuar Hoxha.
© Panorama.al











