
Janë 113 fotografi, që prej vitit 1939 ndjekin hap pas hapi gjithë historinë spanjolle
Duket si 150 vjet luftë mes demash e toreadorësh. Frikë, gjak, pastaj fitore ose humbje. Në 150 vjet, Spanja ka parë e riparë të riciklojë historinë e vet. Këtë mund ta lexosh sa hyn në ekspozitën “150 vjet fotografi në Spanjë”, hapur në sallën kryesore në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Është “Vjeshta spanjolle”, e cila kulmon me një nga ngjarjet më të mëdha të fotografisë në Spanjë. Një ekspozitë e kuruar nga Publio López Mondéjar, akademik dhe historian i fotografisë pranë Akademisë Mbretërore të Arteve të Bukura të San Fernandos. I janë dashur plot 20 vjet që të ngrejë këtë ekspozitë, të shëtisë gjithë Soanjën për të mbledhur një për një të gjitha fotografitë që gjendeshin në arkiva privatë, familjarë, sepse siç tregon ai, në Spanjë, deri në vitet ’80, fotografia ishte një art inferior. Por duket se ia ka vlejtur. Duke kaluar nga njëra fotografi në tjetrën mund të shijosh artin, por mund të lexosh edhe historinë. Ka aty shumë marri njerëzore, luftëra, grushte shteti, të vrarë, emigracion, varfëri, lot…, siç ka edhe heroizëm, dëshirë për të ecur përpara, buzëqeshje, bukuri fizike, trill artistik.. Ka kërcimtarë flamengoje, toreadorë.. Guxim dhe art. I gjithë shpirti i Spanjës në 113 fotografi. Që çuditërisht ka kaq shumë pikëprerje me historinë dhe dhimbjen shqiptare. Për arsye didaktike, kuratori e ka ndarë atë në 3 periudha, që përkojnë edhe me ngjarje të mëdha historike (1839-1900; 1900-1939; 1939-2000). I kënaqur që ndodhet në Shqipëri, ku mund të shohë nga afër fototekën “Marubi”, Publio López Mondéjar tregon mbi ekspozitën, si janë mbledhur e përzgjedhur fotografitë dhe momentet emocionuese gjatë kërkimit.
“150 vjet fotografi në Spanjë” përfshin tri periudha, që kufizohen nga ngjarje të mëdha historike, një ndarje didaktike kjo?

Ishte e vështirë ta ndaje ekspozitën, sepse ishin plot 150 vjet të fotografisë. Ideja jonë ishte që ekspozita të fliste dhe për historinë e Spanjës. Së pari ishte një periudhë e përcaktuar tashmë, shek. XIX, kur fotografinë e lëvronin më shumë të huajt. Spanjollët ishin shumë të zënë me luftëra. Më pas shek. XX, në
vitin 1939 përfundoi Lufta Civile në Spanjë dhe filloi menjëherë e shkuara. Gjatë viteve të Republikës, 1931-1936, Spanja kishte avancuar nga ana e demokracisë, por fitorja e fashizmit gjatë Luftës Civile provokoi një situatë të re shumë të keqe, dramatike dhe Spanja u nda në dy pjesë. Brenda në Spanjë ishin fitimtarët e Luftës Civile, ndërsa shkrimtarët, muzikantët, kineastët, akademikët etj., pra e gjithë bota kulturore u dëbua jashtë Spanjës. Pra, për ne ishte kthimi i së shkuarës, i Spanjës së varfër, të izoluar nga e gjithë bota. Spanja progresiste priste që fitorja e fuqive demokratike në Luftën II Botërore të mund të sillte dhe fundin e Frankos, por në fakt ai vazhdoi dhe 50 vjet të tjera. Kjo është edhe pjesa e tretë. Franko vdiq në vitin 1975 dhe menduam të bënim një pjesë të katërt që është Spanja demokratike, por menduam më pas të përfshinim gjithçka pas luftës, në mënyrë që të kuptohej më mirë fotografia në atë periudhë dhe, bashkë me të, historia e Spanjës. Kështu që ka fotografi që kanë të bëjnë me grushtin e shtetit që dështoi, që përbënte të shkuarën për ne dhe më pas një Spanjë e re, plot shpresë, demokratike me lirinë e mendimit, shtypit, e integruar në Europë, që do të vuajë krizën europiane si të gjithë. Dhe mund të them se ky është edhe fundi i ekspozitës. Pra, në këtë periudhë, fotografia spanjolle, e përçmuar deri në vitet ’80, tani është shumë e njohur në botë dhe është e pranishme në muzetë më të mëdhenj në Spanjë. Shpresoj të jetë e pranishme dhe në vendin tuaj, sepse kemi shumë gjëra të përbashkëta, një periudhë paslufte shumë të ngjashme.
Interesante është të shohësh se si historia përsëritet: luftë, masakra, pastaj paqe, vajza që pozojnë, e pastaj gjithçka nis nga e para…
E vërtetë, çdo gjë përsëritet. Njeriu është një qenie shumë budallaqe. Gjithnjë ka luftëra. Miqtë e mi më të mirë kanë punuar shumë në frontet e luftërave në Ballkan dhe
kanë parë fotografi, ku viktimat, dy vite më pas ishin ata që viktimizonin të tjerë, në Kosovë apo në Serbi. Miqtë e mi qanin kur bënin ato fotografi dhe kur vinin në Spanjë me këto imazhe, kërkonin familjet e atyre viktimave që kishin fotografuar. Kanë trokitur nëpër dyer dhe u kanë treguar fotografitë familjarëve. U kanë treguar baballarëve fotot e djemve të vdekur dhe ka qenë një emocion i jashtëzakonshëm. Besoj se të gjithë jemi të aftë për të vrarë dhe prandaj është kaq dramatike historia. Dhe fotografia e tregon atë dramë si asnjë shprehje tjetër artistike…
Pak më parë thatë se fotografia nuk ka qenë shumë e vlerësuar nga politikbërësit deri 30 vjet më parë, ka qenë e vështirë ta ndërtonit këtë ekspozitë?
Ka qenë një rrugë e vështirë. Janë shfrytëzuar arkiva familjarë, privatë, të fëmijëve apo nipërve të fotografëve, sepse në Spanjë fotografia nuk ekzistonte në arkivat publikë. Kështu që ka qenë shumë e vështirë, por edhe shumë e këndshme. Kemi udhëtuar në gjithë Spanjën, kemi parë fotografi në shtëpitë e shumë njerëzve të thjeshtë. Dagerotipi nuk ka ekzistuar në asnjë muze, vetëm në disa shtëpi private. Me pak përjashtime, të gjitha arkivat spanjollë të shek. XIX ishin zhdukur. Përballë akademisë ku unë punoj, ka qenë një nga arkivat më të pasur dhe kemi parë se si janë hedhur në plehra 200 mijë negativa në xham. Prandaj më emocionon dhe do të doja shumë që të kthehesha e të shihja fotografitë e Marubit. Është një mrekulli që ato fotografi janë ruajtur.
U nisët me synimin të ndërtonit historinë e fotografisë, por a pati surpriza rrugës?
Një fotografi është gjithnjë një surprizë, sepse është e tillë edhe për fotografin që bën foton. Fotografia është fakti i asaj që ti e ke ditur, sepse ka një kujtesë letrare, gojore, por ka dhe një kujtesë grafike shumë të rëndësishme. Do t’ju sillja një shembull… Ka shumë piktorë,
skulptorë që na kanë treguar vdekjen e Krishtit. E kanë sjellë në forma të ndryshme fotografike, por nëse dikush do të kishte një aparat fotografik dhe do t’i kishte bërë një fotografi Virgjëreshës Mari apo atij momenti do të na sillte imazhin më të mirë dhe më emocionuesin. Kjo është vlera e fotografisë për mua…
Ka pasur fotografi që ju kanë bërë të emocionoheni në veçanti?
Ishin fotografitë e pas Luftës Civile, të cilat ishin të ndaluara të shfaqeshin gjatë fëmijërisë sime. Kur i pashë të gjitha bashkë, varfërinë, shtypjen, burgjet, të gjitha momentet e dhimbshme që lidheshin me fëmijërinë time, u emocionova shumë. U ndjeva melankolik, por është e domosdoshme që të gjithë të shohin se si ka qenë ajo Spanjë.
Ka qenë e vështirë përzgjedhja e fotografive e fotografëve?
Ka qenë shumë e vështirë, sepse janë shumë fotografë dhe nuk mund të jenë të përfshirë të gjithë. Janë përfaqësuar me nga një fotografi dhe është e vështirë që me një fotografi të prezantosh një fotograf. Kur kjo ekspozitë u hap në Madrid, ishte një lloj certifikate lindjeje për një gjuhë të re, që nuk është as piktura, arkitektura, muzika, kinematografia. Është një gjuhë artistike, që ka po aq dinjitet sa dhe gjithë gjuhët e tjera, por ndër të tjera, ajo që desha të shfaqja në këtë ekspozitë ishin periudhat kur fotografët donin të ishin edhe piktorë, sepse kishin një lloj inferioriteti. Në një numër të madh fotografish vihet re një lloj pikturalizmi, që kopjon pikturalizmin europian që si gjithmonë tek ne ka ardhur me vonesë.
Cila ka qenë periudha e fotografisë më të mirë?
Fotografia më e mirë është bërë në shek. XIX. Por edhe tani ka fotografë shumë të mirë që janë shumë inteligjentë dhe që e dinë se e ardhmja e tyre është në artin e fotografisë.
Përmendët Marubët, ç’dini për fotografët shqiptarë?
Njoh Marubët, të cilët janë fotografë të rëndësishëm. Mes tyre më
pëlqen Kol Idromeno, i cili mendoj se ka qenë një piktor i mirë, por edhe një fotograf shumë i mirë gjithashtu. Shpresoj që fotografitë e Marubëve të mund të shfaqen edhe në Spanjë.
Folëm për ju si historian, jeni gjithashtu dhe një fotograf i mirë?
Nuk jam një fotograf i mirë. Jam një fotograf mediokër. Bëj vetëm foto të familjes sime.
ALMA MILE
© Panorama.al











