Modeli ekonomik i Berluskonit dhe Shqipëria

Nov 16, 2011 | 8:53

NEZIR HALDEDA

Eshtë shkruar e diskutuar nga pothuajse çdo segment institucional e shoqëror i jetës së vendit, që nga ato politike, akademike, shoqëria civile etj., për ekonominë  e modelin ekonomik që duhet të ndjekë Shqipëria si një vend me histori jo të gjatë në ekonominë me bazë pronën private. Ka pasur e ka diskutime nga më të ndryshmet nëse është ky modeli i duhur apo duhet ta modifikojmë. Kuptohet, përmirësimi është gjithmonë i dëshiruar dhe absolutisht që ka vend për përmirësim.
Kam besimin që jemi të saktë në vlerësimin që modeli ynë ekonomik në këto 5-6 vite është një model ekonomie me karakteristikat e një sistemi taksash të ulëta, të reformimit të vazhdueshëm rrënjësor të infrastrukturës fizike e asaj jo fizike, sjelljen e avantazheve krahasuese që ka vendi ynë në potencial të plotë, mbështetje e sektorëve kyçë të ekonomisë për rritjen ekonomike afatgjatë etj.
Vetë koncepti ose fjala model nga pikëpamja gjuhësore të krijon idenë e një diçkaje fikse, të normuar, apo statike. Në fakt, nëse do të kërkoja ta cilësoja me një tog fjalësh shumë të shkurtër modelin tonë ekonomik, që në fakt po përshtatet por dhe duhet të përsoset më tej, do të ishte: vazhdimësia e reformave, mbajtja e ritmit me kohën në të cilën jetojmë. Kur them këtë, kam parasysh që pavarësisht se ndër vite janë ndërmarrë reforma thelbësore në fushën fiskale, në atë ambient të biznesit, të tregut e taksave të punës, të pronës etj. nuk është zgjidhje fakti nëse është ndërmarrë apo jo një reformë e caktuar, tashmë çështja është sa i përgjigjemi realitetit dhe shpejtësisë me të cilën evoluojnë ndryshimet në rajon, kontinent e më gjerë. Tashmë jemi pjesë e realitetit global dhe çështja është që jo vetëm të ecim përpara, por të ecim me hapat që ecin konkurrentët tanë, ekonomitë e krahasuara me ne dhe përmirësimet e vazhdimësia e reformave bëhet e domosdoshme, ajo është jetike, jo më çështje alternative apo zgjedhje modeli.
Këto reforma strukturore, ekonomike, fiskale etj. kanë shërbyer dhe kanë qenë një mburojë e fuqishme nga goditjet e krizës globale, vazhdimësia e tyre do të jetë përballimi me sukses dhe arritja e objektivit strategjik të Shqipërisë për integrimin europian e shndërrimin në vend të zhvilluar. Përveç artikulimit të vazhdimësisë së reformave si model, po aq e rëndësishme është edhe të besohet në to, dhe duhet të punojmë më shumë për ta ushqyer këtë besim, sepse reformat/ndryshimet janë gjithmonë të vështira.
Për të ilustruar rëndësinë e vazhdimësisë së reformave me hapat e shpejtësinë me të cilën realiteti global na vë përballë, duke marrë shkas dhe nga zhvillimet më të fundit në Itali, ka disa të dhëna shumë ilustruese që lidhen me reformat e munguara si kontribuuesi kryesor në gjendjen që përjeton sot ky vend.
Italia, megjithëse një ndër vendet më të zhvilluara të botës, po përjeton kohë të vështira në ballafaqim me tregjet financiare, rënien e një sëre indikatorësh ekonomikë etj. E thënë shumë shkurt, gjendja aktuale është produkt i akumulimit të të gjithë efekteve të rezultuara nga mungesa e reformave të paktën për 10 vitet e fundit. Ka një citim interesant revista “The Economist”, kur thotë që në gjuhën italiane ka vetëm një fjalë për të dyja fjalët angleze: “policy” dhe “politics”, duke na dhënë kështu një përputhje me realitetin, ku edhe kur ka politika të mirëfillta, dhe nëse janë të politizuara ose të lidhura me kategori të ndryshme të shoqërisë të lidhura me politikën. Në media dhe komunikimin e përditshëm nuk evidentohen shpesh, por që në fakt ka indikatorë për të cilët mund të diskutohet shumë e nxirren plot mësime e konkluzione për të ardhmen.
Përpara 10 vitesh, raporti i borxhit me PBB-në ishte rreth 108 për qind, ndërsa tani është në nivelin 120% të PBB-së dhe niveli i borxhit në shifra nominale renditet i treti në botë.
Në “doing business” më të fundit Italia renditet e 87-ta (Greqia e 100-ta), domethënë jo vetëm disa vende më poshtë se Shqipëria dhe vendet e tjera të Europës Lindore, por edhe vende të tilla si Zambia e Mongolia renditen më lart. Në indeksin e respektimit e zbatimit të marrëdhënieve kontraktuale, Italia u rendit së fundmi në vend të 158-të, nga 183 vende të marra në studim.
Ambienti i biznesit është element thelbësor për të tërhequr shtresën e sipërmarrësve, që janë pjesa e shoqërisë që tërheqin shoqërinë drejt progresit. Si mund të stimulohet kjo, kur sipërmarrja më e madhe në këtë vend FIAT po kërkon të zhvendosë gjithnjë e me shumë impiantet e saj (mbase dhe zyrat qendrore) jashtë Italisë. Ndërsa brenda Italisë impiantet e kësaj kompanie punojnë me 33% të kapaciteteve, në Poloni, Turqi e Serbi punojnë me mbi 70% të kapacitetit.
Marrëdhëniet e tregut të punës janë tepër të rregulluara dhe përbëjnë një pengesë serioze në tërheqjen e promovimit e stimujve në punë, kështu ligjet në favor të profesioneve të caktuara kanë mbajtur peng reformimin dhe liberalizimin e shërbimeve, si dhe kostot tepër të larta e të rregulluara me ligje. Sistemi i rekomandimeve (raccomandazioni) përbën ende një sistem që aplikohet gjerësisht. Pjesëmarrja e grave në pozicionet menaxheriale është tej çdo krahasimi me vendet e zhvilluara, papunësia e të diplomuarve në universitetet italiane (që në fakt janë një problem tjetër i cilësisë së arsimit të lartë) është mbi 25% (Spanja ka më të lartën, 41% e të diplomuarve janë të papunë). Më tej në arenën globale, Italia që prej vitit të kaluar e ka humbur numrin 8 dhe ka zbritur, duke ia lënë vendin Brazilit për nga madhësia e PBB-së. Në 10 vite, Italia ka pasur një rritje akumulative rreth 1%, pra pothuajse stanjacion.
Këto që përmendëm dhe të tjera, me një shprehje të vetme do të definoheshin si kosto oportune, si shanse të humbura, si kosto që i kanë rënduar vendit e ekonomisë në tërësi si rezultat i mungesës së reformave, të paktën 10 vitet e fundit. Siç dihet, Berluskoni dhe qeveria e tij në tërë këto vite humbën shanset për të sjellë dobi ekonomike nga talenti dhe sipërmarrjet italiane, të mirëdiversifikuara dhe të njohura në gjithë botën.
Kjo lloj politike me karakteristikë kryesore mungesën e reformave, solli humbjen e konkurrueshmërisë në tregjet globale dhe mosrealizimin e mundësive potenciale të vendit. Këto ditë kemi qenë dëshmitarë të faktit që nuk ishin forcat e votuesve që bënë të largohet Berluskoni dhe qeveria e tij, por ishin forcat e tregut. Ky është një konkluzion shumë i rëndësishëm, është një mësim për të kuptuar se sa të rëndësishme janë reformat dhe vazhdimësia e tyre.
Ndaj, në diskutimin për modelin ekonomik, vazhdimësia e reformave gjykoj – përbën boshtin qendror për vendin tonë, i cili ka ende nevojë të konturohet në rajon dhe globalisht, duke optimizuar përdorimin e burimeve natyrore e njerëzore me sipërmarrjen e lirë në një ambient biznesi sa më konkurrues.
* Zv.ministër i Financave

© Panorama.al

Te lidhura