
Një nga themeluesit e PD-së, libër për fillimet e demokracisë.
Në mars të vitit 1991, Sali Berisha fitoi kundër kandidatit të Partisë së Punës, Ermir Dobjani .
Dy ngritjet dhe rëniet e qeverisë Nano dhe akuzat që e çuan në burg.
Takimi Gjinushi-Berisha, ja çfarë i kërkoi për koalicion.
Si gazetar i hershëm, ua ka ditur rëndësinë shënimeve. Si ekonomist me përvojë, ka llogaritur humbjet dhe fitoret që ka pësuar Shqipëria në këto dy dekada demokraci. Ndërsa si politikan, e ka kuptuar se tashmë është fiks koha për të përballur shënimet dhe bilancet. Dhe këtu Mitro Çela shfaqet si shkrimtar… “Kronikë e një politikani të dështuar” është libri i tij i fundit, ku risjell fillimet e viteve ’90, përmes ngjarjeve dhe personazheve më të rëndësishme të asaj kohe. Sot mund të njiheni në gazetën “Panorama” me disa prej tyre…
Nga: MITRO ÇELA
(pjesë nga libri “Kronikë e një politikani të dështuar”)
GURË SHAHU NË POLITIKË
Pranvera politike ’91 të kujton një tablo flu. Baballarët e kombit: personazhe nga e kaluara. Ish-kryetarë të kooperativave bujqësore u bënë deputetë. Donkishotë që kërkojnë të mbajnë gjallë enverizmin! Ka ngjarje makabre: 2 prilli 1991 në Shkodër. U vranë Arben Broci, Besnik Ceka dhe Bujar Beshanaku. Deputetët e PD-së bojkotuan Parlamentin! Lindi precedenti bojkot, aq për “zemër” sot nga deputetët socialistë. Eksode me përmasa biblike. Mijëra shqiptarë pushtuan anijet në portet e Durrësit dhe Vlorës. U nisën drejt Italisë. Përfunduan në stadiumin e futbollit në Bari. U trajtuan si gladiatorë. Ushqimin, xhandarmëria italiane u a hidhte nga qielli, me helikopter. Pamjet filmike bënë xhiron e botës! Mijëra të tjerë kapërcyen kufijtë dhe vërshuan qyteteve dhe fshatrave të Greqisë! Në minierën e qymyrit të gurit në Valias (Tiranë) mbi tre mijë minatorë u futën në grevë urie. Synimi? Rrëzimi i qeverisë Nano 1. Partitë politike mbijnë si kërpudhat pas shiut! Mësimi i parë i komunistëve nga ekonomia e tregut: Kambizmi në bursë?! U tretën 70 milionë dollarë! “Ustai” Dhimitër Gazhga, – beniamini i Ramiz Alisë, – pas zbulimit të skandalit në beharin e vitit 1991, mbeti në Greqi si emigrant! Hallall!
Kryeministri Adil Çarçani
Janar 1981. Mehmet Shehu vrau veten. Varianti jo zyrtar: E vranë. Sebepi? Lufta për pushtet për fronet e trashëgimtarit të Enverit. Mehmeti ishte kryeministri më jetëgjatë në Shqipëri. Mbi 30 vjet. Vendin e tij e zuri Adil Çarçani. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, më 11 prill 1985, u bë “kukull” në duart e Ramiz Alisë.
Me krijimin e Partisë Demokratike, qeveria Çarçani u “kompozua”. Kjo ngjau më 22 dhjetor 1990. Në fillim kishte dy zëvendëskryeministra: Pali Miskën dhe Hekuran Isain. Pas dy muajsh, Ramiz Alia e kuptoi gabimin. Ndryshoi taktikë. Hoqi dy zëvendëskryeministra nga garda e “mykur”. Futi dy të rinj. Modernë:
Zëvendëskryeministër – Fatos Nanon
Zëvendëskryeministër – Shkëlqim Canin
Ministër i Ndërtimit – Ismail Ahmeti
Ministër i Arsimit – Skënder Gjinushi
Ministër i Financave – Qemal Disha
Ministër i Shëndetësisë – Sabit Brokaj
Ministër i Drejtësisë – Enver Halili etj.
21 shkurt 1991.
Populli i Tiranës, më 20 shkurt shembi bustin e diktatorit në sheshin “Skënderbej”. Brenda asaj dite u shemben bustet edhe në Durrës e Korçë. Bustin e katërt e rrëzoi Ramiz Alia: Kryeministrin Adil Çarçani.
Qeveria Nano numër 1
23 shkurt 1991. Lindi qeveria Nano 1. E pati jetën të shkurtër. Dha dorëheqje më 7 maj 1991. “Shaka” e Ramiz Alisë. Për kureshtarët, po përmendim disa ministra. Shkëlqim Cani -zëvendëskryeministër;
Muhamet Kapllani – ministër i Jashtëm;
Gramoz Ruçi – ministër i Punëve të Brendshme;
Kastriot Islami – ministër i Arsimit;
Qemal Disha – ministër i Financave;
Sabit Brokaj – ministër i Shëndetësisë;
Ylli Bufi – ministër i Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore.
Ramiz Alia ëndërronte të mbante në pushtet me çdo kusht Partinë e Punës. Propaganda e kohës i bënte hosono kryeministrit Nano – si njeriu modern që do të shpëtonte socializmën. Paradoksi? Kjo qeveri “prodhoi” korrupsionin e parë shtetëror, që u bë shkak, që pas dy viteve, lideri i opozitës Fatos Nano të përfundonte në burg. Me pak fjalë, kemi këtë tablo.
Qeveria italiane dha për Shqipërinë 10 miliardë lireta. Paratë duhet të përdoreshin për të blerë artikuj ushqimorë. Kompanitë duhet të ishin italiane. Zgjedhjen e tyre duhet ta bënte qeveria Nano. Kryeministri propozoi një kompani nga Bari. Kundërshtoi këtë zgjedhje ministri i Financave, Qemal Disha. Në protokollet e mbledhjes, kundërshtimi i zotit Disha është bërë jo për arsye politike. Si financier, ai kërkonte të zbatoheshin procedurat. Zoti Disha u mbështet vetëm nga ministri i Tregtisë së Jashtme, Shane Korbeci. Një vit më vonë, protokollet e qeverisë Nano “ranë në dorë” të Blerim Çelës, kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ishte ky procesverbal, nga u ngrit akuza për të përfunduar në burgun e Bënçës Fatos Nano.
Inxhinieri Kroqi mundi Ramiz Alinë
31 marsi ’91. Zgjedhjet e para me shumë parti. Nuk ishte e thënë që PD të hynte në histori! Fitoi Partia e Punës. Një fitore si e Pirros. Fitoi në fshatra. Humbi në qytete. Hapu dhe të futem! U mund sekretari-gjeneral Ramiz Alia, nga inxhinieri gjeolog Franko Kroqi! Dhe ku? Në Tiranë. Rreth e rrotull shtëpisë, ku u themelua Partia e Punës! Për pak vota, desh u mund edhe kryeministri Fatos Nano nga një tjetër inxhinier, Sokrat Nesturi. Fitoi me balotazh në lagjen e Bllokut, pasi Partia e Punës u angazhua me qen e me maç, thotë populli! Parlamenti i asaj kohe ishte i “fryrë”. Me 240 deputetë. Nga këta, PD-ja fitoi 75 deputetë. Po gjeografia? Në Tiranë, nga 28 kandidatë, PD-ja fitoi 18 deputetë. Në Shkodër nga 18 deputetë, 16 ishin demokratë. Në Durrës PD-ja fitoi 13 deputetë, nga 19 që ishin në lista. Partia Demokratike fitoi gjysmën e deputetëve nga Vlora dhe Kruja; një të tretën në Elbasan. Dy deputetë në Lushnjë. Një në Berat. Asnjë deputet demokrat nuk fitoi në Fier, Dibër, Gjirokastër, Mat, Kukës, Sarandë, Pogradec, Librazhd etj. Për kureshtarët. Sali Berisha fitoi në Kavajë. Kishte për kundërshtar kandidatin e Partisë së Punës, Ermir Dobjanin (Avokat i Popullit nga viti 2001.) Skënder Gjinushi nga lista e Partisë së Punës, u mund në Tiranë nga Mitro Çela. Sabri Godo humbi në Berat.
Qeveria Nano numër 2
8 maj 1991. Rilindi qeveria Nano e dytë. Qeveri “pudër” e Ramiz Alisë.
Shkëlqim Canin – zëvendëskryeministër;
Ministër i Financave – Anastas Angjeli;
Ministër i Arsimit – Maqo Lakrori;
Kryetar i Komitetit të Sigurisë Kombëtare – Gramoz Ruçi;
Ministër i Ekonomisë – Leontjev Çuçi;
Ministër i Drejtësisë – Fatmir Zaloshnja;
Ministër i Mbrojtjes – Ndriçim Karakaçi;
Ministër i Transporteve – Kostandin Hoxha…
Qeveria Nano numër 2 nuk jetoi më shumë se një muaj e një ditë. Normale. Ishte qeveri demode. Kundra rrymës. Komunizmi nuk kishte më takat të qeveriste vendin. Rënia e Murit të Berlinit dhe pushkatimi i Çausheskut në Rumani, e kishin tronditur Presidentin Ramiz Alia… Ndërkohë kishin ngjarë kompromise liderësh, që sot kërkojnë t’i mbulojnë, si puna e strucit!… Në prill të vitit 1991, në Firence u takuan Berisha me Fatos Nanon. “Mblesi” ishte Mentor Çoku, kryetar i Komunitetit Mysliman në Romë. Në hije qëndronte ministri i Jashtëm i Italisë: Xhani de Mikelis… Pati edhe stërkëmbësha. Bërryla. Ministra që dalin nga hiçi dhe përfundojnë në hiç!… Ik e ik dhe shumë ngjarje i mbuloi pluhuri i kohës. Sikur të shkundim pak pluhur?
Gjinushi, në zyrën e Berishës
15 maj 1991. Gjinushi në zyrën e Berishës?! Paradoks! Fantazi! Të dyja bashkë për politikanët amatorë. Vite më parë: Gjinushi para Blendit Fevziut: “Ke përfituar në politikë nga Nano dhe Berisha?”
– Llafe ka shumë, – përgjigjet Gjinushi. – Por ka edhe një fakt historik: Kush është bashkuar me PSD-në ka fituar zgjedhjet. Ngjau kjo me Berishën, më 22 mars ’92. Ndodhi edhe me Nanon, më 29 qershor ’97. Përfundimi: Jemi parti pa borxhe!
Edhe unë jam tifoz i emisioneve të Blendit. Ndaj duhet të besoja. Por, si unë edhe Gjinushi, jemi edukuar me parullën e Stalinit: “Beso e kontrollo!”. Shto këtu edhe zakonin tim të keq për të futur hundët nëpër protokollet dhe llogaritë dalin kokëposhtë. Le ta nisim me skenografinë.
Vendi i ngjarjes: Zyra e Berishës.
Koha: 15 maj 1991.
Partitë: PD+PSD.
Personazhet: Sali Berisha me Eduard Selamin nga e djathta. Në të mëngjër: Gjinushi, Lisien Bashkurti, Haxhi Aliko, Teodor Laço. (PSD-ja në atë kohë ende nuk ishte çarë në dy pjesë).
Gjinushi: – PSD, zoti Berisha, ka qëllim të bashkëpunojë me ju, në misionin që opozita të jetë më e fortë. Duke shprehur këtë gatishmëri, do të donim një ndihmë në aspektin organizativ. Donim edhe ndonjë ndihmë materiale.
Berisha: – Dakord. Opozita ekziston jo fort e unifikuar.
Gjinushi: – I thamë Fatos Nanos. Nuk bëjmë koalicion me partinë tënde. Mund të krijohen koalicione në raste të veçanta, si qeveri të shpëtimit kombëtar. Kjo kushtëzohet nga zgjedhjet e parakohshme. Në qoftë se e pranon PD-ja, ne jemi për zgjedhje, në janar ’92… Mënyra më e sigurt e shkatërrimit të Partisë së Punës është koalicioni.
Unë po e mbyll protokollin. Ju hapni muhabete, në qoftë se keni oreks, lexues të nderuar! Veçse mos e bëni qimen tra. Gjëra që ngjizen në politikën moderne!
QEVERIA E STABILITETIT
4 qershor 1991. Ora 2:30 e mëngjesit. Qeveria Nano 2 u dorëzua pa kushte. Për 24 orë në Parlament oshtinte thirrja: deputetët komunistë vdesin dhe nuk e dorëzojnë Nanon! Për çudi, në aksham (pasdite vonë, kur nis e erret), deputetët dorëzuan qeverinë dhe nuk vdiqën!
E njëjta ditë. Ora 19:30. Fatos Nano kërkoi dorëheqje. Ishte gjetur formula. Do krijohej qeveria e Stabilitetit. Kryeministri do të ishte socialist. Debati mes deputetëve socialistë “hëngri” emri i kryeministrit. Të vjetrit kërkonin të ishte përsëri Fatos Nano. Të moderuarit kundërshtuan. Pas këshillave të “urta” të Ramiz Alisë, dhe telefonatave nga përtej detit, të vjetrit u dorëzuan… Kastriot Islami, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, i ra këmborës. Parlamenti u mbyll. Deputetët e kuq ishin të hutuar. Ne, deputetët blu, ishim në humor për inerci. Na gënjente mendja! Ishim të bindur se e rrëzuam ne Nanon nga froni!
Në korridor takova Ylli Bufin. Ishim miq të vjetër. Ishim njohur rreth viteve ’80. Unë gazetar i “ZP”. Ai kryeinxhinier në Ndërmarrjen Ushqimore Fier. Më vonë u bë ministër i Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore. Ishte zgjedhur deputet nga Partia e Punës. Më ftoi për kafe. Morëm rrugën drejt hotel “Dajtit”. U ngjitëm në katin e dytë. Një tavolinë dhe dy kafe përpara.
– Sot në drekë më thirri Ramiz Alia. Partia të do kryeministër, -më tha.
– Kur të donte Partia dhe Presidenti Alia për kryeministër, pse i latë deputetët të bënin gam-gam gjithë ditën!?
Ylli buzëqeshi, duke ngritur supet. Kuptova. Ai ishte personazh. Regjisori ishte i padukshëm. Me skenarë të tillë do të ambientoheshim në vitet që do të vinin. “Qeveria do të jetë e përbashkët, – tha Ylli Bufi. – Janë 5 parti. Zgjidh një kolltuk edhe ti. Do më pëlqente të të kisha në kabinet si zëvendëskryeministër. Nuk besoj të kundërshtojë Berisha. Ekonomistët PD-ja i ka si “ujët e pakët”!
Duke qenë i martuar dhe me një fëmijë, në vend që të pranoja ofertën, i bëra një pyetje: “Ku do të shkojë Nano?”. “Ministër i Jashtëm”, – tha Ylli Bufi. Gaboi. Disa ditë më vonë u bë Kongresi i 10-të i Partisë së Punës. Fatos Nano u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste! Formalisht, për disa ditë mbajti portofolin e ministrit të Lidhjeve Ekonomike me Jashtë.
© Panorama.alViti 1991, si qeverisën bashkë socialistët dhe demokratët
Vizita e parë e përfaqësuesve të Qeverisë së Stabilitetit në Itali dhe takimi me Papën
11 qershor 1991. Qeveria Bufi ishte betuar para Presidentit Ramiz Alia. I dyti nga rëndësia vinte Gramoz Pashko. Financat i kishte Genc Ruli. Kulturën, Preç Zogaj. Ajka e PD-së. PSD-ja kishte portofolin e ministrit të Drejtësisë – Shefqet Muçi. PS-ja kishte për zëvendëskryeministër Zydi Pepën.
Ministër i Arsimit – Maqo Lakrorin;
Ministër i Ushqimit – Vilson Ahmeti;
Muhamet Kapllanin – ministër i Jashtëm;
Partia Republikane zgjodhi Kontrollin e Lartë të Shtetit. Kryetar: Alfred Karamuço.
U bë edhe adeti: pagëzimi i qeverisë së stabilitetit në Parlament! Kohë moderne. E kuqja dhe bluja në qeveri! Europa u gëzua. Më shumë nga të gjithë, Italia. Kryeministri italian Andreoti, në vend të telegramit, parapëlqeu një ftesë për homologun shqiptar…
Korrik 1991.
Ende pa bërë mirë “pagëzimin” në Parlamentin e sunduar nga komunistët dhe pa u tharë boja e firmës së Presidentit tashmë të “pavarur”, Ramiz Alia, një ftesë mbërriti nga Roma. Qeveria tha “Si”… Dielli piqte si saç. Një aeroplan “Çarter” qëndroi në “Rinas”. Njeri pas tjetrit hipën Kryeministri me dy ministra: Muhamet Kapllani (i Jashtmi) dhe Preç Zogaj (i Kulturës). Të gjithë nën shoqërinë e grave. Isha edhe unë. Kuptohet, solo (vetëm), sepse unë me një rrugë do të bëja dy punë: pjesëtar delegacioni “de jure” dhe një vizitë mjekësore “de fakto”. (Në atë mot, mjekët shqiptarë ma kishin prerë biletën për në botën tjetër! Nuk u doli fjala falë aftësive profesionale!) Ndërsa fluturonim drejt aeroportit ushtarak, m’u kujtua filmi i Felinit: “Roma qytet i hapur”. Më vonë bëra një korrigjim: Roma qytet krahëhapur për kryeministrat shqiptarë! Ylli Bufi, Vilson Ahmetaj, Meksi, Bashkim Fino, Nano, Pandeli Majko, Meta, Berisha më shumë kanë vizituar Romën, sesa krahinat nga u bënë deputetë a vendlindjet!
…Një eskortë e dubluar na shoqëroi drejt hotel “Ambasador”. Veç pesë yjeve, kishte edhe dy policë te pragu i derës së çiftit kryeministror. Njeri mashkull. Tjetra femër… Në orën 13:00, takim kortezie me Andreotin. Një orë më vonë, drekë po me Andreotin. Në një sallon, brenda mureve të godinës së qeverisë hëngrëm edhe drekë. Biro, o Mina! Salltanet si në përrallat e Arabisë! Piktura që mbushnin muret dhe tavanet. Një “tabor” me lugë, pirunë e thika të argjendta për kokë! Unë që e kisha udhëtimin e parë jashtë atdheut, më shumë pashë se hëngra! Lamë Andreotin dhe takuam Presidentin Kosiga. Më tej, na prisnin afaristët që përfaqësonin FIAT-in, AGIP-in, ENIN, Kremoninin, Parmalatin, Ferucion.
Një hollësi nuk mund t’i shpëtonte syrit tim si gazetar: para dhe pas çdo bisede me qeveritarët italianë, delegacioni shqiptar takohej me Don Viçenco Palja, ndërmjetës i Papës me Kryeministrin. I thjeshtë. I qeshur. Me humor. Ministri i Jashtëm, Muhamet Kapllani, pyeti, jo pa ironi: ky është prift apo diplomat? Një ditë më vonë erdhi haberi: Papa do të takonte vetëm Kryeministrin! Delegacioni nisi ankesat. Kuptohet, te prifti. Ai buzëqeshte. Dhe ndodhi çudia: Papa prishi protokollin. Në fillim Papa bisedoi me Kryeministrin Bufi. Ne qëndruam në korridor midis kardinalëve. Mes nesh edhe Kardili, ambasadori i Italisë në Tiranë. Kardili më prezantoi mua dhe Preç Zogajn te ministri i Jashtëm i Vatikanit: “Këta janë heronj të demokracisë!”. Dhe buzëqeshi në mënyrë enigmatike…( Pasi iku nga Shqipëria, Kardili e vazhdoi karrierën diplomatike në Arabinë Saudite. Më vonë u hap haberi. Kardili ndërroi fe. Ishte katolik. U bë mysliman). Pas një ore u hap dera. I gjithë delegacioni rrethoi Papën!… Në darkë një koncert simfonik me muzikantë nga Shqipëria. Pas koncertit, gjysma e muzikantëve kërkoi strehim politik në Itali. Normale, për kohën…











