
Muamar Gedafi, i cili për 42 vjet qeverisi Libinë me dhunë, u varros dje në agim, pa asnjë ceremoni, në një vend të pashënuar në shkretëtirë. Fundi i tij i palavdishëm u dëshmua vetëm nga dy anëtarë të lartë të Këshillit Nacional të Tranzicionit në Libi, të cilët u betuan se nuk do ta tregonin kurrë vendin se ku ndodhej trupi i kolonelit. Në shkretëtirë ai u varros bashkë me të birin, Mutasim. Ndërsa djali i tij i preferuar, Saif Al Islam, thuhet se po bën përpjekje të dëshpëruara për të kaluar kufirin me Nigerin. Fjalët e fundit të lutjeve islamike u bënë nga Khaled Tantoush, kleriku personal i Gedafit, i cili ishte arrestuar kur Gedafi u kap. Ritet u ndoqën gjithashtu nga dy kushërinjtë e Gedafit, Mansour Dhao Ibrahim, dikur lider i gardës së frikshme Popullore dhe Ahmed Ibrahim. Edhe këta u kapën kur u shkatërrua konvoji i makinave të Gedafit në Sirte. Abdel Majid Mlegta, zëdhënës i KNT, tha: “Zyrtarëve të Këshillit iu dorëzua trupi, pasi sheiku përfundoi ceremoninë e riteve në orët e para të mëngjesit dhe po e çojnë atë diku thellë në shkretëtirë. Vetëm dy njerëzve të besuar iu është treguar ky mision sekret. Ata nuk janë roje, por njerëz shumë të besuar të KNT-së”. Varrimi mbylli epokën 42-vjeçare të Gedafit si lider i Libisë dhe i dha fund luftës civile që zgjaste prej më se tetë muajsh në Libi, por nuk mbylli thirrjet ndërkombëtare për hetim mbi vrasjen e Gedafit. Qeveria e përkohshme Libiane ka rënë dakord, pas rritjes së presionit ndërkombëtar, për të hapur një hetim mbi vdekjen e Gedafit.
Videot e tmerrshme
Videot që qarkullojnë online pas kapjes së diktatorit libian e tregojnë atë të nxirë dhe të rrahur keq përpara ekzekutimit të tij. Grafikët tregojnë se si Gedafi është tërhequr, lënduar dhe gjakosur, duke u tërhequr që nga tubacionet, i shtyrë e përplasur në tokë, i tërhequr nga flokët dhe duke iu hedhur pluhur në fytyrë. “Globalpost” deklaron se një pjesë veçanërisht shokuese në videot e publikuara, tregojnë se në një moment final sadist poshtërimi, një nga ushtarët e ka dhunuar atë me një shkop metali, ndërsa ai po vdiste. Një analizë imazh pas imazhi të filmimit, duket se tregon një rebel të veshur me gri i përkulur mbi Gedafin dhe tregonte një objekt, që dukej si shkop çeliku apo bajonetë nga një pushkë, në anusin e tij.
Strehimi i Saifit
Një zyrtar i lartë në Niger tha se djali i favorizuar i Gedafit dhe trashëgimtari i tij, Saif al-Islam, po shkon drejt kufirit të vendit. Ai duket se po përdor të njëjtën rrugë që përdori vëllai i tij, Al-Saadi. Rissa ag Boula është ish-lideri rebel Tuareg, i cili tani është anëtar i këshillit rajonal në Agadez. Ai tha se Saif po shoqërohet nga Tuaregë etnikë, të cilët ishin ndërmjet mbështetësve më të fortë të Gedafit. Qeveria e Nigerit tha se anëtarët e familjes së Gedafit, që kërkonin strehim në këtë vend, nuk do të ktheheshin në Libi, nëse më parë nuk garantohej siguria e tyre. Saif është zotuar se do të bëjë hakmarrjen e duhur kundër vdekjes së të atit. Qeveria e përkohshme libiane kishte deklaruar se e kishte kapur Saif al Islamin kur u kapën edhe besnikët e tjerë të Gedafit, por në të njëjtën kohë, 39-vjeçari u shfaq në televizionet siriane me mesazhin: “Ne vazhdojmë rezistencën tonë. Unë jam në Libi, jam gjallë, i lirë dhe kam ndër mend të bëj hakmarrjen më të saktë dhe më të duhur. Unë ju them shkoni në ferr ju minjve, dhe NATO pas jush. Ky është vendi ynë, unë jetoj në të, dhe ne vdesim në të, por do ta vazhdojmë betejën. Ne do ta vazhdojmë rezistencën tonë”. Mesazhi u transmetua në stacionin sirian “Al-Rai” të dielën. Nuk ishte e qartë nëse ai ishte drejtpërdrejtë apo i regjistruar.
Rrëfimi i truprojës
Kolonel Gedafi i ka kaluar javët e tij të fundit i fshehur në qytetin e tij të lindjes, në Sirte, duke u alternuar mes zemërimit dhe melankolisë që regjimi i tij po rrëzohej. Kështu ka rrëfyer shefi i truprojave të tij. Ish-lideri libian, djali i tij Mutasim dhe një grup prej 24 njerëzish më besnikë, u shkëputën nga bota duke evituar TV, telefonat apo elektricitetin gjatë arratisë prej rebelëve. Mansour Dao, një anëtar i klanit të Gedafit, tha se tirani kishte kaluar shumë kohë duke lexuar, duke mbajtur shënime apo duke pirë çaj, duke ua lënë planet e betejave djemve të tij. Dao, nga qelia e tij në Misrata, tha: “Ai nuk po udhëhiqte betejën. Djemtë e tij po e bënin këtë. Ai nuk planifikoi dhe as nuk mendoi për ndonjë plan.











