Mish-mashi me tenderat/ Si u dëmtua familja Kabili nga ‘paaftësia’ e institucioneve! Prona që u rikonstruktua, u shemb për Unazën e re! Vetting zbardh korrespondencën

Jan 23, 2025 | 20:25

EMISIONI VETTING

Zanafilla e problemit te familjes Kabili lidhet me statusin dhe të dhënat e vendit, ku ka bërë shtëpinë Mustafa Kabili dhe institucioni që disponon dokumentet për këtë vend dhe ka përgjegjësi është Bashkia Kamëz.

Konkretisht pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, sipas Aktit Normativ nr. 9, datë 16.12.2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, Fondi Shqiptar i Zhvillimit është caktuar si zbatues për “Programin e Rindërtimit në zonat e prekura nga tërmeti” në bashkitë Durrës, Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak dhe Vorë, duke qenë njëkohësisht përgjegjës për zbatimin e rindërtimit të banesave individuale, ndërtimi dhe rikonstruksioni i infrastrukturës publike dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të këtyre zonave.

Për të siguruar informacionet për banorët dhe infrastrukturën e dëmtuar nga tërmeti, bashkitë në bashkëpunim me ekspertët e përfshirë, kanë identifikuar banorët e dëmtuar nga tërmeti, të cilët kanë përfituar nga Programi i Rindërtimit.

Në këtë rast ka qenë Bashkia Kamëz, e cila ka kërkuar nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit rindërtimin e 177 banesave individuale, duke përfshirë edhe banesën e Mustafa Kabilit.

Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se ka mospërputhje të datës së hapjes së tenderit të Rindërtimit nga Fondi Shqiptar i Rindërtimit me planin e miratuar nga Vendimi i Këshillit të Ministrave, për Bashkinë Kamëz.

Më 28 prill 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të çelte tenderin për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti “Rindërtimi e 162 banesave individuale, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të tyre”. Në këtë projekt kishte një kategorizim të banesave, nga të cilat 46 sipas modelit 1+1, 58 sipas modelit 1+2 dhe 58 sipas modelit 1+3, në Bashkinë Kamëz të shpërndara në Njësitë Administrative Kamëz dhe Paskuqan. Ky tender është fituar nga kompania “Gjikuria” shpk.

Pra, projekti nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit se si do të bëhej dhe se si do të zbatohej është bërë përpara se ta miratohej Vendimi nga Këshilli i Ministrave dhe Bashkia Kamëz.

Konkretisht me anë të vendimit nr. 525, datë 19.10.2020, 6 muaj pasi është hapur tenderi Bashkia Kamëz ka miratuar Planin e Detyruar Vendor për Zonat e Dëmtuara Pikësore, për 177 banesa individuale duke u bazuar paraprakisht te Vendimi i Këshillit të Ministrave.

Në këtë rast, si është hapur gara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit kur akoma nuk ishte miratuar se cilat banesa do të rindërtoheshin? Si është bërë përllogaritja e tenderit, kur FSHZH nuk ka qenë në dijeni të shkallës së dëmtimit të banesave të goditura nga tërmeti nëpërmjet vlerësimit nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit?

Kjo është vetëm njëra nga devijimet, e cila ngre dyshime për projektin. Problemi tjetër lidhet me sipërfaqen e gllabëruar nga Bashkia Kamëz. Kryetari i Bashkisë Rakip Suli ka paraqitur një projekt në planin e përgjithshëm, e cila sipas dokumenteve dhe deklaratave të Mustafa Kabilit cenon të drejtën e pronës, pasi nga 130 metra katror që e kishte Kabili, ia kanë zvogëluar në 80 metra katror.

“Vetting” i dërgoi një kërkesë për informacion FSHZH-së nëse para apo gjatë këtij tenderi ka patur informacion që në këtë zonë do të kalonte  gjurma e Unazës së Madhe  Tiranë – Sheshi Shqiponja – Bulevardi  Shkozë.

ec87cac3-bc85-4a4b-91eb-ff76098e29e8

Në kthim-përgjigje për “Vetting”, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka sqaruar se:

“Konkretisht, Bashkia Kamëz ka kërkuar nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit (KSHR) rindërtimin e 177 banesave individuale, përfshirë edhe banesën e qytetarit Mustafa Kabili. Pas miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 46, datë 27.08.2020, janë hartuar dhe miratuar planet për zhvillimin dhe rindërtimin e zonave të dëmtuara nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Bashkia Kamëz ku përfshihen njësitë e banesave individuale që do të rindërtoheshin në të njëjtin truall, pa ndryshuar vendndodhjen e banesave të dëmtuara.”

Në fakt, vendimi që i referohet Fondi Shqiptar i Zhvillimit është i paqartë sepse në fletoren zyrtare nuk gjendet një vendim i Këshillit të Ministrave nr, 46, datë 27.08.2020, por mund të jetë një Vendim i Këshillit Bashkiak Kamëz.

Në lidhje me gjurmën e projektit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, FSHZH deklaroi se nuk ishte në dijeni me këto vendime.

Vetting kontaktoi Bashkinë e Kamzës në lidhje me pronën e Mustafa Kabilit, duke zbuluar një kaos vendimesh nga institucionet në lidhje me procesin e Rindërtimit.

Në kthim-përgjigje për “Vetting”, Bashkia do të deklaronte se “referuar Vendimit të Këshillit të Ministrave me nr. 748, datë 20.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin nr. 662, Datë 13.10.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, prone private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rishikimi i projektit për segmentin rrugor të vazhdimit të Unazës së Madhe të Tiranës”, ky subjekt është trajtuar sipas legjislacionit në fuqi për shpronësimet për interes publik nga ARRSH-ja”.

Por kjo është maja e Ajsbergut sepse në përgjigjen e administruar pranë Njësisë Administrative Paskuqan nga Bashkia Kamëz thuhet se në lidhje me zonën e banorit të dëmtuar është vepruar ne në zbatim të Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, VKM-së nr. 409, datë 15.6.2022 “Për rregullat, mënyrat dhe afatet e trajtimit të poseduesve pa leje që nuk legalizohen”, Marrëveshjes së  Bashkëpunimit me ARRSH-në me nr. 7787 prot., datë 21.07.2022.

Sipas këtij Vendimi të Këshillit të Ministrave, në këtë rast Mustafa Kabili hyn te ndërtimet pa leje të palegalizuara dhe si i tillë përfiton banesën. Por ky vendim do t’i hapte rrugën një sërë vendimesh të tjera që zbulojnë se vlerësimi i kësaj banese ka dyshime të forta për korrupsion.

Më anë të VKM-së NR.319, DATE 18.5.2022 “Për Kalimin te Bashkitë Shijak, Kamzë, Kavajë, dhe Krujë të Njësive Individuale të Banimit” do të shpërndaheshin banesat për personat e goditur nga tërmeti, ku përfshihej dhe banesa e Mustafa Kabilit me vlerë të objektit 25 milionë lekë ose 25 mijë euro.

Por VKM-ja e firmosur nga ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj, që është në kërkim ndërkombëtar për akuzat për korrupsion është firmosur pasi janë shpërndarë njësitë individuale, duke ngritur pikëpyetje për organizimin e tërë procesit.

Menjëherë pas këtyre vendimeve, në 13 tetor 2022 Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin nr.662 për shpronësimin e banorëve që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rishikimi i Projektit për Segmentin Rrugor të Vazhdimit të “Unazës së Madhe” Tiranë nga “Sheshi Shqiponja”-“Bulevardi i Ri” dhe “Rikualifikimi i “Unazës Lindore” për Lotet 4,5, 6”.

Në fakt, në projektin fillestar nuk gjendet emri i Mustafa Kabilit dhe vlera e kompensimit në këtë rast është 3.1 miliardë lekë ose 31 milionë euro dhe përfshihen 197 subjekte për shpronësim.

Disa muaj më pas, në 17 maj 2023, me anë të vendimit 287 Këshilli i Ministrave do të ndryshonte vendimin e mëparshëm duke shtuar vlerën e shpronësimit të projektit nga 3,1 miliardë lekë në 3.8 miliardë lekë.

Por përsëri qeveria do të ndryshonte vendimin 662, ku në 20 dhjetor 2023, Këshilli i Ministrave do të mblidhej përsëri për të ndryshuar vendimin e mëparshëm me anë të vendimit 748 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin 662 për shpronësimin e banorëve që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rishikimi i Projektit për Segmentin Rrugor të Vazhdimit të “Unazës së Madhe” Tiranë nga “Sheshi Shqiponja”-“Bulevardi i Ri” dhe “Rikualifikimi i “Unazës Lindore” për Lotet 4,5, 6”.

Në këtë vendim do të gjendej edhe emri i Mustafa Kabilit për përfitimin e shpronësimit të banesës së sapondërtuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Por në këtë rast vlera e banesës do të ishte 41 mijë euro nga 25 mijë euro që u deshën për rindërtimin e saj. Vlera e plotë e shpronësimit për ndërtimin e Unazës së Madhe në këtë segment do të nga 31 milionë euro në 4,1 miliardë lekë ose 41 milionë euro.

Problemi tjetër është se kemi devijim të projektit të unazës, që do të thotë se kemi përplasje edhe me tenderat e organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Historia e ndërtimit të Unazës së Madhe për segmentin 4,5,6 dhe 7 është denoncuar vazhdimisht nga Partia Demokratike për kostot e larta.

LEXO EDHE: 

Vetting/ Shtëpia iu shemb nga tërmeti, banesën e re s’ja dhanë kurrë, por ia ‘rrëzoi’ projekti i Unazës së Re! Kalvari i vuajtjeve të Policit të Burgjeve, që ngeli mes katër rrugëve!

Mish-mashi me tenderat/ Si u dëmtua familja Kabili nga ‘paaftësia’ e institucioneve! Prona që u rikonstruktua, u shemb për Unazën e re! Vetting zbardh korrespondencën

Vetting zbulon emrat e kompanive që u favorizuan tek Unaza e Re! Ekspertët analizojnë shkeljet: Dëm i dyfishtë, në fund e pësojnë qytetarët

© Panorama.al

Te lidhura