Ministria e Drejtësisë heton 12 krerë gjykatash

Oct 29, 2011 | 10:35
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi

TIRANE – Ministria e Drejtësisë urdhëroi dje një kontroll të befasishëm në 12 gjykata të ndryshme të vendit, përfshi Apelin dhe në Shkallën e Parë. Inspektimi, i cili filloi njëherësh në të gjitha gjykatat, është bërë për të “kaluar në test” kryetarët dhe kancelarët e këtyre gjykatave në 12 qytetet më të rëndësishme në vend. Burime zyrtare nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se kontrolli kishte për qëllim verifikimin e zbatimit të ligjit gjatë procedurave për hedhjen e çështjeve në short, ndarjen e tyre, si dhe caktimin e seancave të para. “Ky kontroll nisi pas ankesave e shumta të mbërritura në Ministrinë e Drejtësisë nga qytetarët për hedhjen e shortit dhe abuzimet me të”, njoftoi dje zyrtarisht zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, Migena Demirxhi. Kontrolli nisi dje në dy shkallët e Krimeve të Rënda, si dhe në gjykatat e Apelit e Shkallës së Parë të Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Vlorës, Lezhës dhe Shkodrës. Në urdhrin e firmosur nga ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, shtoheshin shtatë detyra për 12 inspektuesit që do të “kalojnë në sitë” procedurat e shorteve në gjykatat e përzgjedhura nga Ministria. Sipas urdhrit, në “skaner” do të kalojnë të gjitha procedurat e hedhjes së shortit në këto gjykata nga data 01.10.2011 deri më 28.10.2011. “Ushtrimin e inspektimit tematik për kontrollin e zbatimit të ligjit gjatë procedurave të çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit nga data 01.10.2011 deri në datën 28.10.2011”, thuhej në urdhrin e ministrit. Në urdhër, numri një i Ministrisë së Drejtësisë urdhëronte anëtarët e grupit të inspektimit të evidentonin numrin e çështjeve të regjistruara pranë çdo gjykate të inspektuar gjatë kësaj periudhe dhe numrin e shorteve të zhvilluara dhe llojin i tyre. Po sipas urdhrit, kontrollorët do të verifikojnë datën e orën e zhvillimit të çdo shorti, si edhe numrin e çështjeve të ndara. Në një nga detyra e përcaktuara nga ministri për kontrollorët janë edhe mënyrat e zhvillimit të shortit. “Të verifikohet mënyra e zhvillimit të shortit, duke përfshirë edhe mjetin e njoftimit të përdorur për transparencën dhe monitorimin, si dhe mënyrën e dokumentimit dhe zhvillimit të shortit”, thuhej në urdhër. Po ashtu, inspektorët do të verifikojnë edhe mënyrën e ndarjes së çështjeve me short, në raport me ndarjen e gjyqtarëve në dhoma, seksione, trupa gjykues dhe me listën e planifikimit të gjyqtarëve për gjykimet e kërkesave të hetimit paraprak. Në zbatim të urdhrit të djeshëm inspektorët do të kontrollojnë datat e lëshimit të urdhrit të gjyqtarit për caktimin e seancës së parë gjyqësore dhe datën e seancës së parë gjyqësore të caktuar. ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura