Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja përfaqësoi Shqipërinë në TOURISE Summit në Riad, një nga platformat më të rëndësishme globale të të turizmit botëror.
Gonxhja thotë se pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë forum shënon një mundësi për të forcuar pozicionin e Shqipërisë në hartën ndërkombëtare të turizmit.
Në kuadër të samitit Gonxhja u prit në një takim zyrtar nga Lartësia e tij Mbretërore Princi dhe njëherazi Ministri i Kulturës së Arabisë Saudite, Bader bin Abdullah bin Mohammed bin Farhan Al Saud.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Arabisë Saudite, në përputhje me vizionin “Saudi Vision 2030”.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ministri Gonxhja, tregon se me Princin biseduan mbi nxitjen e shkëmbimeve kulturore, zhvillimin e industrive krijuese, bashkëpunimin në fushën e filmit, artit pamor dhe ekspozitave, si dhe promovimin e iniciativave të përbashkëta që pasurojnë dialogun kulturor dhe lidhjet midis dy vendeve tona.
Postimi i plotë nga ministri Gonxhja
Kënaqësi të përfaqësoj Shqipërinë në TOURISE Summit në Riad, platformën më të rëndësishme globale që po përcakton horizontet e reja të turizmit botëror.
Ky samit, nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit të Arabisë Saudite, bashkon liderë vizionarë nga qeveritë, bizneset, investimet dhe teknologjia, për të ndërtuar një sektor turizmi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt së ardhmes.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë forum shënon një mundësi të vyer për të forcuar pozicionin tonë në hartën ndërkombëtare të turizmit, për të ndarë përvojat tona të suksesit dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi që do të ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të industrisë sonë turistike.












