NATO: Kosova, problem politik, jo ushtarak

Oct 6, 2011 | 18:22
Ministrat e mbrojtjes te NATO-s kanë përfunduar takimin e tyre në Bruksel, në të cilin kanë diskutuar për operacionin e NATO-s në tërë botën, përfshi edhe misionin në Kosovë. 

Ndonëse nuk është thënë publikisht, shumë ministra kanë thënë se NATO-ja ka hequr dorë nga qëllimi që të ecë në fazën e re të zvogëlimit të trupave në Kosovë, për të parë se si do të zhvillohet situata në terren.

Kështu që, sipas burimeve diplomatike të vendeve anëtare të NATO-s, nuk pritet që zvogëlimi i trupave të diskutohet para pranverës të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë mësohet që shumë ministra të NATO-s janë shprehur të shqetësuar për situatën në Kosovë, ku në veri, nuk ekziston liria e lëvizjes, për shkak të vendosjes së barrikadave.

Mirëpo, shumë prej tyre, tashmë e shohin këtë situatë më shumë si një problem politik se sa ushtarak.

Zyrtarët e NATO-s po ashtu përkujtojnë që në veri të Kosovës, nuk është vetëm NATO-ja që ka përgjegjësi, por janë edhe Policia e Kosovës dhe EULEX-i, prandaj presin një ndarje të duhur të detyrave.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka përsëritur se NATO-ja do të mbetet e përkushtuar në Kosovë, mirëpo edhe ai ka bërë thirrje për nisjen e një dialogu politik në mes të Prishtinës dhe Beogradit, por me ndërmjetësim nga ana e Bashkimit Evropian.

Në Bruksel pohojnë që palët, pra, edhe Beogradi, edhe Prishtina, të tregojnë një maturi dhe një sjellje të moderuar në përballje me situatën e vështirë që është në veri, në të mirë të një zgjidhjeje e cila do të shkojë në favor të të gjitha grupeve etnike që jetojnë në Kosovë. (rel)

© Panorama.al

Te lidhura