
Agim Përkola: Ishte një Gërdec i dytë. Niveli i gazit, i lartë pas shpimit në thellësi të pusit
Një nga minatorët e plagosur pas shpërthimit të djeshëm në minierën e kromit Bulqizë është Agim Përkola. Babai i pesë fëmijëve ka punuar si minator prej 26 vitesh në minierën e qytetit të lindjes. Ai është transportuar nga spitali i qytetit të Bulqizës për në atë të Burrelit, pasi shërbimi në këtë qytet është shumë herë më i mirë. Në rrëfimin e tij, ai thotë se ka përjetuar çastet më të vështira në jetën e tij. “Ishte një Gërdec i dytë”, shprehet Përkola, teksa nuk i ndal falënderimet për mjekët e qytetit të Burrelit. Megjithëse në gjendje jo të mirë shëndetësore për shkak të frakturave në këmbë, krah, brinjë dhe dëmtime në mëlçi e pjesë të tjera të trupit, ai pyet për kolegët e shtruar në Tiranë, Peshkopi e Bulqizë. Ka mësuar lajmin e vdekjes së Naim Shytit, por frikësohet se edhe gjendja e kolegëve të shtruar në Spitalin Ushtarak është e rëndë. Përkola jep një tjetër fakt që nuk pohohet nga ACR: atë të nisjes së punës në prodhim, ndonëse nga ana e METE-s ishte pezulluar aktiviteti në minierë deri në plotësisimin e kushteve. Sipas të mbijetuarit, prej 4 ditësh ishte ndalur puna për vendosjen e ventilatorit të dytë të ajrimit.
Kur e nisët punën ditën e djeshme?
Si çdo ditë, rreth orës 07:00 mbërritëm te gardërobat tona dhe u veshëm. Prej katër ditësh, puna në frontin tonë ishte ndërprerë. Unë dhe kolegët e mi ishim caktuar me detyrë për të vendosur një ventilator tjetër në nivelin 16, pasi gazmatësi kishte konstatuar se niveli i gazit ishte rreth 2 për qind, shumë më i lartë se përqindja e lejuar për të punuar.
Kush ju kishte urdhëruar të mos punonit në frontin e prodhimit të minierës?
Drejtuesit e minierës, sapo kishin mësuar se sasia e hidrogjenit ishte e lartë, kishin urdhëruar që të vendosej një ventilator i dytë, pasi ekzistuesi nuk po e pastronte ajrin në këtë nivel.
E mbani mend ngjarjen?
Po. Unë dhe shtatë kolegë të mi kemi qenë afro 200 metra larg vendit ku ishte qendra e shpërthimit. Naim Shyti dhe një punëtor tjetër po merreshin me vendosjen e tubave të ajrimit pranë ventilatorit të dytë. Ata ishin direkt pranë “llavës”. Ishin në përfundim të punimeve. Naimi po lidhte tubat e ajrimit dhe vuri në punë ventilatorin kur ndodhi ngjarja e rëndë.
Çfarë patë në ato momente?
Ka qenë një shpërthim që nuk e kam përjetuar në jetën time. Unë kam punuar zjarrmëtar prej 26 vjetësh dhe nuk kam parë në jetën time një ngjarje të tillë. Ishte një Gërdec i dytë. Shpërthimi mori përpara gjithçka. Megjithëse ishim 200 metra larg, pamë teksa shembeshin mbajtëset e galerive dhe gurë. U zvarritëm sa mundëm dhe ja që tani jemi gjallë.
A kishit urdhër për të punuar në atë front?
Katër ditë më parë konstatuam se përqindja e gazit ishte e lartë, nga 0.5 për qind, ajo arrinte në 2 për qind. Prej ditësh po kryhej shpimi me sondë nga niveli 16 në atë 20, për t’i paraprirë hapjes së pusit. Si duket, puna për shpimin me sondë bëri që sasia e gazit që vinte nga thellësia e mëtejshme e nëntokës të rritej. Katër ditë më parë, drejtuesit e minierës dhanë urdhër që të ndalej puna në prodhim dhe të montohej një ventilator tjetër. Unë kam përvojë të gjatë në minierë dhe nuk mund të nisja punën pa urdhrin e eprorëve.
Jeni marrë në pyetje për ngjarjen?
Disa kolegë të mi janë dërguar në spitalin e Peshkopisë me urdhër të prokurorëve. Me siguri po tentohet mbyllja e ngjarjes, siç ka ndodhur edhe në raste të tjera. Unë jam i vendosur të tregoj vetëm të vërtetën.
femijet
Gjendje e tensionuar ka qenë gjatë gjithë ditës dje në korridorin që të çon drejt sallës së reanimacionit pranë Spitalit Amerikan nr.1. Dhjetëra familjarë thuajse e kishin bllokuar këtë zonë dhe çdokush që dilte nga salla me bluzë të bardhë, kërkonte “llogari” mbi shëndetin e tre minatorëve. Por ndërsa familjarët në Tiranë morën shpresa për jetën, Bulqiza ka mbetur e shokuar.
Ndërsa i gjithë qyteti i vogël dhe media “ziente” nga lajmi tragjik për vdekjen e punëtorit të ajrimit në minierë, Naim Shyti, duket se familja e tij e ka marrë vesh e fundit. Bashkëshortja e tij është informuar shumë vonë, ndërsa dy fëmijët e viktimës, njëri në klasën e shtatë dhe tjetri në klasën e tretë, kanë vijuar normalisht mësimin pranë shkollës së qytetit. Asnjë prej mësuesve nuk ka pasur dot guximin që t’u thotë këtyre fëmijëve për humbjen e babait të tyre.
specialistet
Në thellësitë e nëntokës ka sasi të mëdha të gazit metan, i krijuar nga shpërbërja e mbeturinave bimore. Specialistë të minierave sqarojnë se nga zbërthimi i metanit (me formulë CH4) çlirohet hidrogjen. Në thellësitë e minierës, ku ka prani të konsiderueshme gazi, specialistët kryejnë në mënyrë të vazhdueshme matjet e hidrogjenit, për të krijuar një sistem ajrimi brenda normave të lejueshme.
kreu i ps
Kreu i PS-së, Edi Rama, vizitoi dje minatorët e plagosur në minierën e Bulqizës. Teksa ngushëlloi familjen e minatorit të vrarë dhe më pas uroi shërim sa më të shpejtë për të plagosurit, Rama shprehu solidaritetin sipas tij për të gjithë skllevërit e korrupsionit qeveritar në Bulqizë. Kreu i opozitës garantoi bulqizakët se me të ardhur në qeveri Aleanca për të Ardhmen, do të bëjë drejtësi për të gjitha plagët e tmerrshme të korrupsionit shtetëror.
Lajmi: Shpërthim në minierë, 1 i vdekur

Një minator humbi jetën dhe 8 të tjerë plagosen rëndë nga shpërthimi i gazit në minierën e kromit në Bulqizë. Ngjarja fatale ndodhi paraditen e djeshme, në nivelin 16 të pusit nr.2. Viktima është Naim Shyti, 39 vjeç, i cili ishte pjesë e minatorëve protestues për 3 muaj me radhë. Shpërthimi ka ndodhur në rrethana të pasqaruara nga grupi hetimor dhe ekspertët po punojnë për të zbuluar momentin kur gazi përfshiu minatorët. Ngjarja u shënua pak kohë pasi nëntë minatorë ishin porositur të kryenin punime në thellësitë e minierës. “Si rezultat i rrjedhjes së gazit “metan”, janë helmuar dhe kanë pësuar djegie 9 punëtorë, të cilët në momentin e ngjarjes kanë qenë duke punuar në këtë nivel”, bëri të ditur Policia. Megjithëse gjendja ka qenë kritike, drejtuesit e minierës dhe vetë minatorët kanë arritur të menaxhojnë situatën. Fillimisht janë nxjerrë nga galeritë 7 nga nëntë minatorët e aksidentuar në thellësitë e nëntokës. Janë vënë në funksionim ashensorët dhe mjetet e tjera të minierës, duke mundësuar nxjerrjen nga nëntoka të minatorëve, të cilët u dërguan me shpejtësi në spitalin e Bulqizës. Për shkak të gjendjes së rënduar është rekomanduar dërgimi i tre prej tyre në Tiranë. Gjendja erdhi duke u përkeqësuar, pasi nuk dihej ende fati i dy minatorëve që ndodheshin në frontin e punës në momentin e shpërthimit. Specialistë me përvojë të gjatë në miniera dhe punëtorët e avari-shpëtimit nisën kërkimet për gjetjen e dy minatorëve që konsideroheshin të zhdukur. Momenti më kritik i ngjarjes së djeshme ishte gjetja pa jetë e trupit të minatorit Naim Shyti, njëri nga

minatorët që protestoi për tre muaj së bashku me kolegët, për kushte më të mira pune. Rreth orës 11:00, minatorët që ishin vënë në kërkim të kolegëve të zhdukur, kanë gjetur trupin e babait të dy fëmijëve. Pak çaste më pas u gjet në gjendje të mirë minatori tjetër Astrit Çupi. “Ishte një moment mjaft i dhimbshëm kur kemi gjetur trupin e pajetë të Naimit. Kishim menduar se ai do të ishte larguar nga vatra e shpërthimit dhe thamë se do ta gjenim diku në skutat e minierës”, thanë minatorë të përlotur. Ata akuzuan ACR-në se nuk e mbajti premtimin e dhënë për plotësimin e kushteve të punës në galeri. Nga ana e saj, Ministria e Ekonomisë ka kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas saj, ngjarja ndodhi pak ditë pasi kjo Ministri pezulloi punën në minierën e kromit, deri në plotësimin e kushteve të sigurisë në punë. Një ekip pune është ngritur menjëherë nga ministri Nasip Naço dhe, nën drejtimin e zv/ministrit Neritan Alibali, është nisur me urgjencë drejt Bulqizës nëpërmjet helikopterit. Specialistët e nisur drejt Bulqizës do të verifikojnë nëse punëtorët e firmës koncesionare ACR ishin duke kryer veprime kundër urdhrit të dhënë nga METE, apo ishin në minierë për riparimin e defekteve të konstatuara për shkak të ndërprerjes së punimeve.
RISHM-i: Ngjarja do të zbardhet së shpejti
Specialistë të Repartit të Inspektimit e Shpëtimit të Minierave thanë dje se në nivelin e 16-të të minierës, në pusin nr.2, punohej për strukturën e pusit. RISHM-i thekson se një shpërthim i paparashikueshëm hidrogjeni ka shkaktuar incidentin e rëndë që preku dhe nivelin e 17-të ku punonin minatorët. Drejtori i Repartit të Inspektimit dhe Shpëtim-Minierave, Saimir Zekaj, tha se një muaj më parë, RISHM-i ka kryer vëzhgimin e fundit në këtë zonë të minierës dhe i ka lënë detyrat të caktuara për rehabilitimin e minierës specialistëve të ACR-së.
Sindikata: Duhet të ketë përgjegjës
Për drejtuesit e Konfederatës së Shqipërisë, përgjegjësia kryesore për ngjarjen e rëndë bie mbi kompaninë koncesionare ACR dhe RISHM-in. “Specialistët e avari-shpëtimit para fillimit të punës kryejnë kontrollin e fronteve. Ata kanë edhe mjete për matjen e gazit metan në galeri. Në rastet kur doza është e lartë, ata urdhërojnë mosfillimin e punës në atë front pune, detyrë kjo që është neglizhuar nga ACR dhe RISHM-i. Është përgjegjësi e rëndë të lejosh punëtorët të fillojnë punë në një galeri kaq të rrezikshme. Ndoshta këtë herë Prokuroria nuk do të heshtë”, tha Koleci, duke kërkuar dhe dorëheqjen e ministrit të Ekonomisë.
Minatorët
I vdekur
Naim Shyti, 39 vjeç
Të plagosur
Kujtim Lami
Zaim Përkola
Astrit Çupi
Agim Përkola
Luan Gjoka
Xhelal Ruçi
Hajri Koçi
Basri Toska
Ministria e Shëndetësisë në gatishmëri
Me urgjencë, sapo u mësua ngjarja e rëndë në galeritë e nëntokës, u njoftua Ministria e Shëndetësisë dhe autoritetet e tjera të shtetit. Gjendja kritike e të plagosurve bëri që mjekët të vendosnin për transportimin e tyre drejt Tiranës. Drejt Bulqizës u nisën nga Ministria e Shëndetësisë dy helikopterë, ku një prej tyre transportoi tre të plagosurit drejt spitalit Ushtarak në Tiranë. Gjatë gjithë kohës, ministri i METE-s, Nasip Naço ka qenë në lidhje të vazhdueshme me ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, duke ndjekur nga afër transportimin dhe ecurinë e shëndetit të të plagosurve në minierën e Bulqizës.
ACR: Punohej për pusin e ri
Firma austriake ACR sqaroi dje se “aksidenti i rëndë ka ndodhur pas shpërthimit të hidrogjenit në pusin 2, niveli i 16-të i minierës së Bulqizës gjatë punës për hapjen e pusit të ri, numër 9, një nga detyrimet e marrëveshjes koncesionare me METE. Grupi ekspert i ajrimit në përbërje e të cilit është gazmatësi dhe tre punëtorë ajrimi kanë vajtur në front për të matur gazin dhe për të përgatitur tubat për ajrimin e frontit. Pas disa momentesh, kur këta ekspertë ishin në distancë rreth 40-50 metra larg ballit të punimit, ka ndodhur shpërthimi i gazit”. ACR merr përsipër të gjitha shpenzimet shëndetësore për të plagosurit.
Kreu i minierës fajëson punëtorët
Pas ngjarjes, drejtori i minierës së Bulqizës, Medat Zogu, bëri të ditur se shpërthimi i gazit nuk ka qenë pa arsye. “Dikush e ka ngacmuar, ndonjë shkëndijë, gazi nuk shpërthen nëse nuk do ishte ngacmuar nga jashtë”, u shpreh ai. Sipas Zogut, në minierë, para se të kryhen punime në një sektor, matet niveli i gazrave. “Një grup i matjes së gazrave që përbëhet nga gazmatës dhe punonjës ajrimi, ka qenë në nivelin e 16-të të minierës dhe kanë kryer matjet e ajrimit, kurse minatorët ndodheshin në nivelin e 17-të, pra 200 metra larg zonës ku kryheshin matjet”, tha ai. Sipas Zogut, kanë qenë 2 punëtorë që po kryenin matjet, një prej tyre dhe Naim Shyti, minatori që u gjet i vdekur në minierë. “Vala e shpërthimit ka goditur minatorët që ndodheshin larg zonës ku ndodhi shpërthimi”, është shprehur ai.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











