
Kreu i Partisë Demokracia Sociale sqaron në një intervistë për gazetën “Panorama” arsyet pse nuk ishte në drekën që Edi Rama zhvilloi me disa nga krerët e partive opozitare. Milo shprehet i habitur pse nuk është ftuar dhe pse thotë se gjatë paradites i kishte kërkuar zotit Rama një tryezë zyrtare të opozitës për çështjet e reformës zgjedhore. Milo përgënjeshtron opinionet se PDS mund të shkëputet nga koalicioni opozitar dhe të bashkohet me LSI-në. “Do t’u bëja thirrje që bashkëpunimin me PDS të mos e mendojnë me skemat e së kaluarës, sepse PDS dhe kryetari i saj nuk kanë dalë në skenën politikë që të lypin as karrige deputeti, as ndonjë post tjetër, cilido qoftë ai”, shprehet Milo në intervistë.
Zoti Milo, ju keni munguar në një drekë, takim informal të disa kryetarëve të partive opozitare të thirrur nga kreu socialist, Edi Rama. Përse erdhi kjo mungesë?
Edhe unë u habita pse nuk u ftova. Ndërkohë që zotit Rama paradite i bëra një mesazh ku i shprehja shqetësimet e mia përse nuk po mblidhet tryeza e opozitës dhe përse nuk kishim asnjë informacion për negociatat që bëheshin me PD rreth reformës zgjedhore. Me sa duket, zoti Rama nuk e ka parë të arsyeshme që unë të isha i pranishëm në atë tavolinë bisedimesh.
Këto dy javë kemi qenë në kulmin e negociatave mes PS dhe PD për reformën zgjedhore. Ju si aleatë nuk jeni mbledhur. Si e gjykoni këtë mungesë konsultimi mes aleatëve?
Mua gjithnjë më shqetëson dhe më ngjall dyshime të mëdha heshtja ose negociatat e fshehta, sepse e shpreh hapur që kam frikë se mos përsëritet historia e vitit 2008, që një ditë, pa pritur e pa kujtuar, të miratohet një paketë zgjedhore që do të mbajë vulën vetëm të dy partive të mëdha dhe do të legjitimojë edhe njëherë monopolin e tyre në administrimin e proceseve zgjedhore. Për më tepër, mbrëmë më ka “trembur” një deklaratë e papërgjegjshme në kundërshtim me deklaratat e zotit Berisha, të deputetit Jemin Gjana, ku përjashton në mënyrë absolute të emër të PD kërkesën jo vetëm tonën, por dhe sugjerimin e ndërkombëtarëve për korrigjimin e sistemit zgjedhor aktual, të paktën korrigjim kombëtar të sistemit proporcional rajonal. Me këto shenja aspak optimiste unë jam i prirë të besoj se përsëri nuk do të ketë një reformë zgjedhore të saktë që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ka opinione në PS se mungesa juaj në tryezë ka lidhje me një shkëputje tuajën nga tryeza e opozitës dhe një bashkim tuajin me LSI-në. Qëndrojnë këto opinione?
Nëse ka njerëz në PS që kanë filluar të shikojnë ëndrra në diell, kjo mund të jetë e vërtetë. Unë e di që ajo parti është burim thashethemnajash profesionale të vazhdueshme dhe kjo është një nga fatkeqësitë e saj. Por unë nuk kam nevojë të marr certifikatë besnikërie nga ca elementë, kushdo qofshin ata brenda PS, të cilët kanë dëshmuar në këtë histori 20-vjeçare politike që janë lëkundur si penduli i sahatit nga një ekstrem në tjetrin, janë puthur e përqafuar me kundërshtarin e tyre politik me dhjetëra e dhjetëra herë dhe që mendojnë për fatkeqësinë e tyre se vetëm atyre u takon monopoli i të bërit politikë dhe se ne të tjerët duhet të jemi dele të bindura që duhet të shkojmë pas tyre, sepse ne nuk kemi as aftësi, as fuqi për të bërë politikë. Nëse ka njerëz të tillë, po e them në mënyrë relative, këta janë mjeranë politikë dhe të kenë kujdes jo kryetarin e PDS, por veten e tyre në radhë të parë, se kanë treguar gjithnjë se turren pas thelave të pushtetit dhe tradhtojnë çdo princip, qoftë dhe atë më të thjeshtin njerëzor. Nëse PDS ka një mendim të pavarur për mjaft çështje dhe një sjellje qytetare në politikë, këtë e bën sepse është një parti moderne, pavarësisht se është e vogël. Ndërkohë që PS, edhe pas 20 vjetësh, ende ka në gjirin e saj mjaft njerëz që bien erë myku nga politika e vjetër dhe që, me sa duket, do të varrosen politikisht me gjithë këtë ndjesi negative për ambientin shqiptar.
Mendoni se kjo thashethemnajë ka ndikuar dhe te kreu socialist, zoti Rama, në mosthirrjen tuaj në tryezën e dy ditëve më parë?
Ju thashë që thashethemet në ambientet e PS, si kudo, mund të jenë një sëmundje ngjitëse. Unë nuk marr përsipër që t’i shëroj ato, por do të dëshiroja t’u thosha atyre se ka shumë thashetheme, sepse ndodhemi përpara një sezoni të ri politik, ku ka shumë lëvizje, mes të cilave dhe paketa e PS për bisedime me PD dhe ndoshta dikujt në PS i dhemb veshi kur dëgjon pikëpamjet e mia objektive, qoftë dhe për paketën, apo dhe çështje të tjera. Me sa duket, atje janë mësuar me politikën e rreshtit, kjo nuk është në kulturën dhe as në edukatën time, e as në formimin tim politik. Do t’u bëja thirrje që bashkëpunimin me PDS të mos e mendojnë me skemat e së kaluarës, sepse PDS dhe kryetari i saj nuk kanë dalë në skenën politike që të lypin as karrige deputeti, as ndonjë post tjetër, cilido qoftë ai. Integritetin tim e përfaqësoj vetë dhe në mënyrë të veçantë e mbroj ndaj shpifësve ordinerë, kushdo qofshin ata. Ne na interesojnë gjithnjë marrëdhëniet institucionale me PS. Nëse kryetari i saj dhe lidershipi i PS do të jenë korrektë dhe bashkëpunues me PDS, unë do të vazhdoj të jem ai që kam qenë. Nëse ata, siç po tregohet në disa raste, nuk do ta respektojnë kryetarin e PDS dhe mendimet e tij, por dëshirojnë t’i cilësojnë dhe t’i interpretojnë sipas skenave të vjetra dhe të njohura në PS, është punë e tyre. Unë nuk dua që kjo frymë, që mund të filtrohet qëllimisht nga njerëz që nuk e duan vetë PS, nga njerëz që duan të minojnë pozitat e kryetarit të PS, duhet që të mos dëgjohen dhe të mënjanohen. Aleanca me PS mendoj se duhet të qëndrojë mbi bazën e parimeve të njohura të moralit dhe partneritetit, dhe jo mbi baza interesash meskine apo shfrytëzim të koniunkturave të caktuara politike. PDS dhe unë si kryetar i saj do të vazhdojmë të qëndrojmë fort në idenë se koalicioni opozitar duhet të funksionojë në mënyrë transparente dhe bashkëpunimi intensiv, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të ekzistojë fryma dhe qëndrimet selektive në raportet mes aleatëve. Kjo do të dëmtonte shumë frymën e koalicionit, të ardhmen e tij dhe, mbi të gjitha, do të krijonte një amulli brenda vetë këtij koalicioni, që nuk do të ishte në interes të askujt.
Ju si parti e vogël në spektrin politik shqiptar, a jeni të kënaqur me realizimin e 52 rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, apo kërkoni më shumë se kaq?
Të 52 rekomandimet janë për të bërë një sistem zgjedhor brenda standardeve europiane, nëse ato zbatohen kur të vijë koha. Në Kod mund të bëhen shumë ndryshime dhe në ligj shumë amendamente. Në Shqipëri nuk është vuajtur për ligje të miratuara në letër. Por për zbatimin e tyre. Kam frikë se mos po ndodh e njëjta gjë. Kërkesa kryesore që ka të bëjë me parimin bazë të funksionimit të demokracisë dhe respektimin e vullnetit të shqiptarëve është që të kemi një sistem zgjedhor që ta përfaqësojë plotësisht këtë vullnet në Kuvendin e Shqipërisë. Që në momentin që përjashtohet dhe mbyllet Kodi Zgjedhor për të mos e hapur, për të mos e demokratizuar dhe për të garantuar sistem bipolar në Shqipëri, siç dëgjuam zotin Gjana dy ditë më parë, që këtu reforma zgjedhore quhet e kompromentuar dhe ne nuk kemi ç’të presim prej saj.
ARISTIR LUMEZI











