
Kryetari i Partisë Komuniste, Hysni Milloshi, shpjegon mungesën e tij në ceremoninë e varrimit të ish-presidentit Ramiz Alia. Në një prononcim për gazetën “Panorama” ai tha se nuk mund të ishte prezent në përcjelljen për në banesën e fundit të Alisë për shkak të kritikave të shumta 20 vjet më parë, kur u shpërbë Partia e Punës. “Ne si Parti Komuniste, përpara 20 vjetësh e kemi kritikuar Ramiz Alinë për arsyen se ne s’kemi qenë dakord të shkatërrohej ashtu Partia e Punës në Kongresin e 10-të, më 12 qershor 1992. Ne kemi qenë dhe mbetemi të mendimit se PP mund të mbetej ashtu siç ishte dhe të krijohej PS-ja. Sikurse e dini, PS-ja, e dirigjuar nga Ramiz Alia, kaloi si tufë delesh nga Parti Komuniste që lufton për socializmin, në një parti kapitaliste. Kjo ka qenë ankesa jonë më e madhe në atë kohë. Duke qenë se 170 mijë anëtarët e Partisë Komuniste kaluan nga PS e PD, u krijua PK-ja me njerëz fare të thjeshtë, ku pjesa më e madhe nuk kishin qenë kurrë në parti”, tha Milloshi. Sipas tij, me gjithë kritikat, ish-presidenti Alia duhet vlerësuar për faktin se që 16 vjeç ka marrë pjesë në luftë dhe në moshën 19-vjeçare ka qenë komisar divizioni. Milloshi thotë gjithashtu se Alia nuk kishte rast për t’u bërë diktator. “Ai nuk ka qenë diktator. Çdo gjë mund t’i thuash, por jo diktator. Nuk ka pasur as arsye dhe as rast të bëhej diktator. Me kë do të bëhej, me Lidhjen e Shkrimtarëve, apo me njerëzit e artit, kulturës dhe shkencës? Meritat atij nuk ia mohojmë, por nuk ishim aty që njerëzit të mos thonë ‘këta dje e kritikonin, sot kanë ardhur këtu me hipokrizi’”, thotë Milloshi. Lidhur me mungesën e kreut të PS-së, Edi Rama në këtë ceremoni, kreu i komunistëve tha se “ne jemi të habitur që atje mungoi PS-ja. Ju mund të thoni që atje ishin Gramoz Ruçi dhe Namik Dokle, ata ishin atje, por atje nuk ishte kryetari i Partisë Socialiste. Edhe shokë të mi mund të kenë qenë dje atje, por nuk isha unë dhe nuk quhet që ka shkuar Partia Komuniste. PS-ja është produkt i Ramiz Alisë. PS-ja nuk ka themelues, siç thonë sot që e kemi themeluar ne. Kush e themeloi PS-në? Partinë e Punës e ka kthyer Ramiz Alia me shokët e tij në Parti Socialiste”.











