Një informaticiene që sjell një libër bisedash me 8 nga drejtuesit më të lartë të shtetit dhe qeverisë shqiptare. Si ka qenë komunikimi me ta, si e kanë pritur, përse nuk pranuan të tjerët? Jeta e saj mes Parisit dhe Tiranës
“Në praninë tuaj ne bëhemi guximtarë, bëhemi oratorë…”. Kjo bisedë me një piktor të njohur shqiptar më erdhi menjëherë ndërmend, ndërsa kisha në duar librin “Pesha e pushtetit” të Milena Haritos. Jo pak, por tetë nga ish-drejtuesit më të lartë të shtetit dhe qeverisë shqiptare janë rrëfyer për të. Mes tyre 3 ish-presidentë e të tjerët ish-kryeministra. Sigurisht, politikanët e kanë zanat të flasin, por në këtë rast feminiliteti, inteligjenca, por edhe pozitiviteti i autores i ka bindur të flasin për të. Alia, Meidani, Moisiu, Nano, Bufi, Meksi, Fino, Ahmeti janë “rrëfyer”, jo vetëm si politikanë, por diku-diku flasin edhe për veten. Dhe këtë lloj rrëfimi nuk mund ta bëjnë më mirë se para një gruaje. Milena Harito është një nga ato femra që mund ta quajë veten të realizuar në profesionin e saj. Dikur një studente e shkëlqyer, pastaj një informaticiene “zhivë”, që për gati 10 vjet ka punuar si inxhiniere e studimeve informatike në Paris e sot drejton një departament në Telekomin Francez, mban leksione në universitet gjithashtu. Por ajo është vazhdimisht në kërkim. I pëlqen të shkruajë. Është vazhdimisht e pranishme në shtypin shqiptar dhe tani ofrohet me një libër-dëshmi për 20 vitet e tanzicionit shqiptar. Dhe nuk është thjesht një libër me intervista. Si një njeri shifrash, ku saktësia është bazë, ajo i ka dhënë librit një strukturë të veçantë, grupuar sipas tematikave, apo çështjeve që i interesojnë…
Ju jeni një grua e plotësuar në profesionin tuaj, ç’ju shtyu të bënit një libër të tillë, ç’nevojë kishit për ta bërë atë?
Kam një lidhje shumë të fortë me Shqipërinë, si të gjithë ata që janë larguar nga vendi në njëfarë moshe. Jam larguar 25 vjeç, kur i kisha krijuar lidhjet dhe miqësitë e mia. E kam mbajtur këtë lidhje me dëshirë dhe vullnet, sepse gjithnjë kam ardhur, jam angazhuar në punë të ndryshme, si në Bashkinë e Tiranës, apo kam dhënë mësim në universitete. Nuk di të të përgjigjem saktësisht, se përse kjo temë dhe përse tani. Gjithnjë kam qenë e interesuar për politikën si në Francë edhe këtu. Dëshira erdhi nga fakti që ne vazhdimisht e shajmë klasën tonë politike, por duke sharë vazhdimisht politikën shqiptare, apo ata që e bëjnë këtë politikë, ne të gjithë bëjmë pis veten tonë, sepse jemi ne ata që votojmë për ta. Mendoj vërtet se ka shumë gjëra që duhen kritikuar, por në 20 vjet, një periudhë, e cila nuk është shumë e gjatë, janë bërë shumë gjëra të mira. Nganjëherë ka edhe hapa mbrapa vërtet, por është një rrugë e gjatë. Mendoni, në libër Ylli Bufi tregon se në vitin 1991 kur erdhën ndihmat e para, ai nuk dinte si t’i shpërndante, sepse i vetmi rrjet shpërndarjeje ishte ai shtetëror, edhe ai i amortizuar. Sot na duket e paimagjinueshme me strukturat që kemi. Them se ky është motivi…
Si ka qenë komunikimi me politikanët që pranuan të intervistohen? I keni takuar personalisht?
I kam takuar të gjithë personalisht, sepse unë doja ta bëja një gjë të tillë. Në radhë të parë ishte një eksperiencë njerëzore shumë interesante dhe ndoshta ndryshe nga ç’e prisja unë. Të gjithë iu përgjigjën shumë lehtësisht kërkesës sime, u intonuan menjëherë në temën që u kërkova dhe shkëmbimi shumë i ngrohtë dhe i lehtë. Kjo ishte shtytja dhe motivimi që unë arrita të krijoj diçka koherente, ku janë të gjithë bashkë.
U dredhonin pyetjeve tuaja?
Patjetër, ata janë politikanë dhe përgjigjen kur duan të përgjigjen dhe sigurisht që edhe anashkalojnë, por ndoshta për shkak të këndvështrimit tim, le të themi se ishte pozitiv, sepse u referohej gjërave që ata kanë bërë, u përgjigjën me lehtësi pyetjeve.
Nuk u përpoqën të bënin të vështirin?
Ata që u përgjigjën, u përgjigjën, të vështirin bënë ndoshta ata që nuk u përgjigjen.
Mos vallë është çështje pushteti? Ata që pranuan, ndonëse ende janë aktivë në politikë, nuk kanë më pushtet, ndërsa ata që nuk pranuan e kanë atë?
Pa dyshim që duhet të ketë diçka nga kjo që thoni ju, sepse nuk mund të jetë koincidencë që tre nga ata që nuk u përgjigjen, e ushtrojnë pushtetin: Sali Berisha, Bamir Topi, Ilir Meta. Kështu që kjo është patjetër një pjesë e së vërtetës. A është e gjithë e vërteta, këtë nuk e di.
Përse nuk pranoi kryeministri Berisha, morët ndonjë përgjigje prej tij?
Unë i përdora të gjitha rrugët, zyrtare dhe ndoshta gjysmë miqësore, me kanale të ndryshme…, për të siguruar një takim me kryeministrin Sali Berisha. Nuk pata asnjë përgjigje dhe më vjen vërtet keq që ai nuk është pjesë e këtij libri, pasi siç e dimë të gjithë, është një nga protagonistët e kësaj periudhe dhe pa dyshim ka shumë gjëra për të thënë. Të shpresojmë që një ditë do t’i thotë dhe do të ketë një vëllim të dytë.
Cila është pritshmëria juaj nga ky libër?
Do të doja që njerëzit ta lexonin si një element pacifikues. Ideja ishte që të ishin të gjithë bashkë duke folur për këto çështje. Nga njëra anë, këta njerëz nuk duhet t’i shohim si perëndi, që me të ardhur do të zgjidhin problemet, por as si njerëz të “pavlerë”, pasi futen në politikë e bëhen “pis”, por si njerëz si të gjithë ne, që bëjmë gjëra të mira dhe të këqija. Të gjithë ne duhet të jemi pjesë aktive e kësaj historie, që gjërat të ecin.
Keni punuar 6 muaj në Bashkinë e Tiranës, përse hoqët dorë? E vështirë të punoje atje?
Ishte një kënaqësi të punoje në Bashkinë e Tiranës, kishte gjëra shumë interesante për të bërë. Punova njëfarë kohe, por m’u desh të hiqja dorë për çështje personale. Familja ime ishte në Paris dhe ishte e vështirë të bëhej një kthim i gjithë familjes, kështu që në njëfarë mënyre u sakrifikova për të.
Si e ndani kohën mes Tiranës dhe Parisit?
Unë aktualisht punoj në operatorin francez të Telekomit, që quhet France Telecom Orange. Pjesën më të madhe të kohës e kaloj në Paris, por vij shpesh edhe këtu. Kam dhënë mësim në Universitetin e Nju Jorkut dhe shkruaj në shtyp herë pas here, por tani ky është projekti im më i madh.
ALMA MILE
© Panorama.al











