Në rast se do të bënim një klasifikim të derbeve më të zjarrta të Evropës, pa diskutim ai i Madoninës mund të quhej më prestigjiozi. Kuqezinjtë kundër zikaltërve dhe anasjelltas janë unik në llojin e tyre.Nuk ka sot qytet në botë që të ketë një rivalitet kaq të madh në një ndeshje futbolli. Anglia dhe Spanja mund të kenë me të vërtetë kampionat më kualitativ, por 7 ekipet që ka Londra, as që kanë të krahasuar, me atë që kanë fituar milanezet në Itali dhe Evropë. Sfida mes dy skuadrave të Milanos është në nivel palmaresi, është njëri mes tre takimeve të futbollit më të ndjekura në botë. Një event sportiv prestigjioz, që sheh për protagoniste skuadrat e vetme të një qyteti, që kanë arritur të ngrenë kupën e Ligës së Kampioneve. Milani është klubi me më shumë tituj në botë. Numri i trofeve të tyre shkon në 47, në rast se do t’i shtojmë dhe dy kampionatet e Serisë B. Nga ana tjetër, kushërinjtë zikaltër kanë arritur të ngrenë në qiell 38 trofe. Nuk ka Madrid, Londër, Mançester, Romë apo Monako që t’i rivalizojë. Kurrë më parë, derbi numër 274 i Madoninës nuk ka qenë kaq emocionues. Ai është i 176-i në kampionat dhe bëhet edhe më i rëndësishëm, sepse pas shumë vitesh, pritet të vendosë fatin e titullit. Milani është vetëm 2 pikë përpara Interit dhe mund të shohim rrokadë, por mund të “mbyllet” edhe kampionati. Dy skuadrat e kanë fituar 7 herë Kupën e Botës për klube (4 herë Milani dhe 3 Interi). Këtu derbi i Madridit mund të krahasohet. Atletiko, edhe pse nuk e ka fituar asnjëherë Champions-in, ka arritur të fitojë Kupën Interkontinentale pas tërheqjes së Bajernit të Mynihut. Mes fitoreve më të thella që janë në kujtesën e tifozëve të Milanit, është ajo 6-0 në majin e 2001-shit, apo ajo 4-0 me Leonardon në pankinën e Milanit. “Djalli” kryeson me 106 fitore, ndaj 95 të Interit dhe 72 barazimesh.
Flamini
Matjë Flamini ka fituar vendin e tij në formacionin e trajnerit Alegri, kështu që do të jetë titullar edhe në mbrëmjen e sotme kundër Interit. “Kundër Interit do të jetë një ndeshje për jetë a vdekje. Sigurisht, është faji ynë nëse u kemi dhënë shansin kundërshtarëve tanë që të hapin kampionatin, sepse me pak më shumë kujdes në ndeshjet e kaluara, mbi të gjitha në atë barazim kundër Barit në “San Siro”, do të kishim ende një avantazh që do të na ofronte më tepër qetësi dhe siguri. Gjithsesi, Milani është një skuadër e madhe. Në fushë ne do të bëjmë lojën tonë, sepse nuk besoj se sulmues si Aleksandre Pato dhe Robinjo janë më pak të rrezikshëm se Ibrahimoviç”, shpjegon mesfushori.
Leonardo
“Derbi vendoset nga detajet dhe i tejkalon arsyetimet taktike, sidomos mes dy skuadrave që janë në vend të parë dhe të dytë në klasifikim. Të gjithë i njohin rivalët dhe s’ka ndonjë gjë për të zbuluar. Kam shumë mundësi zgjedhjeje, por s’dua të them gjë tjetër. Kam pasur një raport shumë të gjatë me Milanin, që ishte pozitiv, por tani kam bërë një zgjedhje, duke qenë i vetëdijshëm për atë që do të ndodhte. E bëra këtë duke u bazuar te ndjesitë e mia. Për mua kjo rezultoi pozitive. Unë jam shumë i lidhur me Interin dhe i falënderoj të gjithë për atë që më kanë dhënë këtu. Jam krenar për zgjedhjen time”.
Alegri
“Interi niset favorit? Atëherë mua do të më mjaftonte të mos e humbisja këtë ndeshje. Nëse arrijmë të ruajmë kryesimin, qoftë edhe më një barazim në këtë takim, atëherë gjithçka do të vazhdonte të ishte në favorin tonë, – nënvizon Alegri, i cili më pas mbron skuadrën e tij nga sulmet e fundit të medias. – Javët e fundit, është përfolur për ne si një skuadër në krizë. E vërtetë që kemi marrë vetëm një pikë në dy ndeshjet e fundit, por harrohet fakti që kemi 21 javë në kryesim. Ne e nisim sfidën si skuadra që ruan vendin e parë të kampionatit dhe ajo që ka dy pikë avantazh kundrejt zikaltërve në superformë”.
Sonte, ora 20:45
Milan-Inter
Formacionet e mundshme
Milan (4-3-1-2): Abiati, Antonini, Tiago Silva, Nesta, Abate, Flamini, Sedorf, Gatuzo, Boateng, Robinjo, Pato
Inter (4-3-1-2): Hulio Sezar, Zaneti, Kivu, Ranokia, Maikon, Kambiaso, Mota, Stankoviç, Shnajder, Eto, Pacini











