Mijëra protestues në qytetin Erfurt, në Gjermaninë Lindore, kanë bllokuar rrugët kryesore që çojnë drejt qendrës së kongreseve ku po zhvillohet kongresi i partisë së ekstremit të djathtë Alternative für Deutschland (AfD).
Pavarësisht mobilizimeve të mëdha kundër saj, sondazhet e fundit e nxjerrin partinë në një pozicion të forcuar, ndërsa në dy lande gjermane ku pritet të mbahen zgjedhje lokale, ajo konsiderohet favorite për fitore.
Rreth 15 mijë protestues, të organizuar nga sindikata, organizata të shoqërisë civile dhe parti të majta, kanë bllokuar autostrada dhe rrugë dytësore që të çojnë drejt qendrës së kongreseve. Policia gjermane ka qenë e pranishme në numër të madh, me forca shtesë të dërguara edhe nga rajone të tjera të vendit për të menaxhuar situatën.
“Duam të bëjmë të qartë se nuk do ta tolerojmë këtë, se fashizmi po shfaq një rritje këtu në Gjermani”, deklaroi Georg Becker, zëdhënës i organizatës “Widersetzen” (Rezistenca), e cila është e angazhuar kundër AfD-së.
Kongresi, ku pritet të rizgjidhen dy bashkëkryetarët e AfD-së, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, po zhvillohet vetëm pak javë përpara zgjedhjeve në landet lindore të Saksonisë-Anhalt dhe Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, ku sipas sondazheve, partia e ekstremit të djathtë pritet të dalë fituese. Një fitore e mundshme në këto zona mund t’i hapë rrugën AfD-së për suksese të mëtejshme edhe në nivel kombëtar.
Alternative für Deutschland (AfD) është kthyer në partinë më të madhe të opozitës në Gjermani, pasi në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar shënoi rezultatin më të lartë historik për një parti të ekstremit të djathtë në vend që nga Lufta e Dytë Botërore.
Që atëherë, partia ka rritur popullaritetin e saj, duke përfituar nga pakënaqësia ndaj qeverisë së koalicionit të drejtuar nga kancelari Friedrich Merz, e cila është kritikuar për mungesë uniteti dhe për vështirësitë në adresimin e problemeve ekonomike të vendit.
Kundërshtarët e AfD-së e akuzojnë atë për promovim të politikave raciste dhe qëndrimeve që bien ndesh me vlerat demokratike të Gjermanisë, duke paralajmëruar se partia përbën rrezik për rendin kushtetues. Partitë kryesore gjermane kanë përjashtuar çdo bashkëpunim me AfD-në, duke zbatuar të ashtuquajturin “mur mbrojtës” politik për izolimin e saj nga qeveritë e mundshme të koalicionit.
Nga ana e tyre, drejtuesit e AfD-së i mohojnë akuzat se partia është kundër themeleve demokratike të vendit. Madje, më herët këtë vit, ata fituan një vendim gjykate që i ndalon shërbimit të inteligjencës të etiketojë partinë si “ekstremiste”.
Sondazhet e fundit tregojnë se AfD gëzon rreth 29% mbështetje, krahasuar me rreth 22% për kristiandemokratët CDU/CSU të kancelarit Merz. Partia ka shënuar rritje edhe në disa zgjedhje rajonale në Gjermaninë perëndimore gjatë këtij viti.
Megjithatë, mbështetja më e lartë e AfD-së mbetet në landet e Gjermanisë Lindore, ku sondazhet tregojnë nivel të lartë pakënaqësie ndaj partive tradicionale.
Në Saksoni-Anhalt, ku një sondazh i fundit i jep AfD-së 41% të votave kundrejt 23% për CDU-në, partia synon një fitore të qartë. Ajo ka gjithashtu shpresa të dalë forca e parë edhe në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore.
© Panorama.al












