Avokati Gentian Serjani ka bërë një denoncim publik lidhur me trajtimin e një prej të arrestuarve që mbahet prej rreth 48 orësh në bllokun e sigurisë të Komisariatit Nr. 3 në Tiranë, Niko Qarkaj.
Sipas avokatit, klienti i tij është dhunuar nga forcat e policisë gjatë qëndrimit në qeli, ndërsa gjendja e tij shëndetësore nuk është marrë parasysh, pavarësisht se vuan nga epilepsia dhe ka shfaqur disa kriza gjatë ndalimit.
“Mbrëmjen e djeshme, kur e kanë kapur krizat, ai vetë nuk është i vetëdijshëm në atë moment, por nga ana e policisë së shtetit nuk është treguar kujdes që ai të kalonte sa më lehtë atë krizë, por është dhunuar për shkak të krizës që ka kaluar. Ai është dhunuar, më ka treguar edhe rrobat që i kishte të gjakosura nga goditjet që i kishin bërë efektivët e policisë”, tha ai për News24.
Ai po ashtu ka bërë me dije se Niko Qarkaj ndodhet në grevë urie që prej momentit të shoqërimit e deri më sot.
Avokati: Gjendja e tij nuk është marrë parasysh fare, që prej momentit që është shoqëruar dhe deri më tani, e kanë kapur tri herë krizat e epilepsisë. Mbrëmjen e djeshme, kur e kanë kapur krizat, ai vetë nuk është i vetëdijshëm në atë moment, por nga ana e policisë së shtetit nuk është treguar kujdes që ai të kalonte sa më lehtë atë krizë, por është dhunuar për shkak të krizës që ka kaluar. Ai është dhunuar, më ka treguar edhe rrobat që i kishte të gjakosura nga goditjet që i kishin bërë efektivët e policisë.
Ne kemi bërë edhe ditën e djeshme një kërkesë ndaj Prokurorisë së Tiranës për lirimin e tij, pasi kemi të bëjmë me një situatë, sëmundje, që personi nuk mund të mbahet në arrest në burg. Kërkojmë lirimin, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Që prej momentit të shoqërimit e deri më tani ai është në grevë urie për shkak të padrejtësisë që mendon se i është bërë. Pasi, ashtu siç e kemi deklaruar, nuk ka pasur lidhje me protestën, thjesht ka hyrë në lokal dhe aty është shoqëruar nga forcat e rendit.
Unë do jem këtu në prezencë, do njoftojmë edhe “Helsinkin”. Unë po qëndroj për të parë se si do jetë gjendja shëndetësore e tij dhe për çdo veprim procedural që do t’u nevojitet. Romario është në rregull, i motivuar për të dalë dhe të vazhdojnë protestën. Niko është në grevë urie që prej momentit të shoqërimit deri tani, nuk ka ngrënë asnjë gjë. Ka qëndrimin për të vazhduar grevën e urisë.












