Vrasja e Eglant Koçit nga miku i tij, kompjuterët e sekuestruar të Armand Shakajt zbardhin të dhëna për kriptomonedha! Dyshimet e hetuesve

Jul 4, 2026 | 12:14

Kompjuterët e sekuestruar në zyrat e Armand Shakajt, kanë zbuluar të dhëna që lidhen me llogari të kriptomonedhave, duke forcuar dyshimet e hetuesve se vrasja e shokut të tij, Eglant Koçi, mund të ketë ndodhur për motive financiare të lidhura me këtë aktivitet.

Armand Shakaj
Armand Shakaj

Gazetarja Xhensila Kodra, bën me dije se pajisjet elektronike janë zbërthyer në Laboratorin Kriminalistik, ku mësohet se në to janë gjetur prova që pritet të kenë peshë në ecurinë e hetimeve.

Bazuar në këto gjetje, grupi hetimor do të vlerësojë edhe mundësinë e ndryshimit të akuzës nga “vrasje me dashje”, që aktualisht është nën hetim, në një tjetër vepër më të rëndë penale.

Sipas hetimeve, Armand Shakaj akuzohet se ka vrarë shokun e tij, Eglant Koçi, dhe më pas ka hedhur trupin e pajetë në një humnerë në rrethinat e Elbasanit. Trupi i të riut u gjet pas rreth dy javësh në gjendje dekompozimi, ndërsa ekspertiza ka zbuluar se ai është qëlluar me një plumb në kokë.

Ndërkohë, Armand Shakaj vijon të jetë në arrati, ndërsa po zhvillohen negociata me familjarët e tij për mundësinë e vetëdorëzimit.

© Panorama.al

Te lidhura