Mijëra në shesh kundër Edi Ramës, Qeveria miraton vendimin, shpërblen pensionistët dhe shtresat në nevojë me 5 mijë lekë!

Jun 30, 2026 | 22:45

Ndërsa mijëra qytetarë vijojnë protestat kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama në Tiranë, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për shpërblimin financiar të pensionistëve dhe shtresave në nevojë.

Protesta, edi rama, qeveria, bonus

Sipas vendimit të qeverisë, personat që përfitojnë pension pleqërie, invaliditeti, pension familjar, pension social, si dhe kategori të tjera të përcaktuara në ligjet për sigurimet shoqërore, do të marrin një shpërblim në masën 5 mijë lekë.

Në vendim përcaktohet se përfitues do të jenë edhe kategori të tjera si pensionistët e minierave në nëntokë, ish-ushtarakët me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, veteranët e LANÇ-it, përfitues të trajtimeve të veçanta financiare, si dhe kategori të tjera të parashikuara në legjislacion.

Ky vendim vjen në një kohë kur mijëra qytetarë janë mbledhur në protestë në Tiranë prej një muaji, me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesën kryesore, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

V E N D I M PËR SHPËRBLIMIN E PENSIONISTËVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpërblimin, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë, të personave, sipas kategorive të mëposhtme:

a) Personat, që përfitojnë pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar e pension social, sipas ligjeve nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;

b) Personat, që përfitojnë pension, sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe sipas ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;

c) Personat, që përfitojnë pension sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, personat që marrin trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, dhe personat, që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar;

ç) Personat, që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakeve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; dhe nuk janë të punësuar në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi;

d) Personat që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar si veteranë të LANÇ-it, sipas vendimit nr.190, datë 3.5.1995, të Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për merita të veçanta, sipas dispozitave të ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;

dh) Personat që nuk përfitojnë pension, por që përfitojnë vetëm pension shtetëror të posaçëm të caktuar në përputhje me nenin 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

e) Personat që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm të trajtimit të veçantë financiar, sipas neneve 5/1/a ose 5/1/b, të ligjit 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

ë) Personat që nuk përfitojnë pension nga ligji nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, por përfitojnë pension suplementar të caktuar sipas ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar;

f) Personat, që përfitojnë pension për shkak të profesionit të vështirë, sipas nenit 5, të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”;

g) Personat që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm të trajtimit financiar si fëmijë në përkujdesje të Republikës, sipas ligjit nr.129/2021, “Për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës””;
gj) Personat që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm sipas ligjit nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve që humbasin jetën në përmbushje të detyrës gjatë fluturimit”.

2. Të drejtën për të përfituar shpërblimin në masën e përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, e kanë edhe ata persona, që kanë datë të lindjes të së drejtës së përfitimit deri në datën 30.6.2026, duke përfshirë edhe këtë datë dhe kanë të drejtë të marrin vetëm një herë këtë shpërblim, pavarësisht se mund të përfitojnë më shumë se një përfitim.

3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 3 913 000 000 (tre miliardë e nëntëqind e trembëdhjetë milionë) lekë e ndarë në 3 886 000 000 (tre miliardë e tetëqind e tetëdhjetë e gjashtë milionë) lekë për shpërblimin dhe 27 000 000 (njëzet e shtatë milionë) lekë shpenzime administrative për dhënien e shpërblimit. Efektet financiare të këtij vendimi do të përballohen nga llogaria speciale me emërtimin “Fondi i pensioneve” pranë Bankës së Shqipërisë.

4. Shpërblimet kalohen në llogaritë e pensionistëve në muajin korrik 2026 dhe paguhen gjatë këtij muaji. Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit korrik 2026, ato të paguhen deri më 31.12.2026. Shpërblimet e patërhequra parashkruhen pas datës 31.12.2026.

5. Administrimi i fondeve buxhetore të shpërblimit të pensionistëve, caktimi i shpërblimit për çdo përfitues dhe pagesa realizohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare, sh.a., dhe bankat e nivelit të dytë, sipas të njëjtave procedura, që zbatohen për administrimin e fondit të sigurimeve shoqërore.

6. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

© Panorama.al

Te lidhura