Është mbyllur protesta e 31-të radhazi në Tiranë, pas marshim të qytetarëve në rrugët e kryeqytetit dhe kthimit përfundimtar sërish para Kryeministrisë.
Pas fjalimeve të mbajtura para godinës së Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin drejt disa institucioneve kryesore në Tiranë, duke kaluar pranë Bashkisë dhe Parlamentit.
Gjatë kalimit pranë Kuvendit, qytetarët shoqëruan marshimin me thirrje kundër institucionit, mes tyre: “Parlament i krimit” dhe “Parlament analfabetësh”.
Më pas, turma vijoi drejt selisë së Partisë Demokratike, ku u dëgjuan sërish thirrje kundër politikës, “Opozitë e shitur!”, si dhe “PD, PS, klysha komunistësh!”, ndërsa më tej protestuesit u rikthyen drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë.
Gjatë gjithë marshimit, thirrja kryesore e protestuesve ishte: “Rama jep dorëheqjen”, ndërsa në fund të tubimit u dëgjuan mesazhet: “Nesër më shumë” dhe “Shqipëria e re”.
Protesta e sotme shënoi ditën e 31-të të tubimeve të njëpasnjëshme, me organizatorët dhe protestuesit që kanë deklaruar se do të vijojnë qëndrimin e tyre edhe në ditët në vijim.
© Panorama.al





















